Festivali ndërkombëtar i filmave dokumentarë dhe të shkurtër që mbahet në Prizren ka njoftuar se aplikimet janë hapur për dokumentarë të gjatë dhe të shkurtër, si dhe për filma fiksion, të animuar dhe eksperimental, raporton Telegrafi.
Për aplikimet online është sqaruar se filmat mund të dërgohen vetëm përmes platformës FilmFreeway.
Edicioni i 24-të i DokuFest do të zhvillohet nëpër vende të ndryshme në Prizren nga 1 deri më 9 gusht 2025, ku si zakonisht do të prezantohet një program i pasur me filma dokumentarë, eksperimentalë dhe të shkurtër në tetë kategori garuese dhe në dhjetëra programe të kuruara me kujdes, si dhe sesione në formë të Q&A me filmbërës, panele, biseda dhe punëtori të ndryshme.
“Ne presim të shohim vepra të reja të pavarura që eksplorojnë kufijtë, sfidojnë audiencat, eksperimentojnë me stilin dhe teknikën ose frymëzojnë me kreativitetin”, thuhet në njoftimin e DokuFest, raporton Telegrafi.
DokuFest është festivali më i madh i filmit në Kosovë, dhe vlerësohet si një nga festivalet më të rëndësishme të filmit në Evropën Juglindore, derisa dy herë është votuar si një nga 25 festivalet më interesante të filmit nga revista Filmmakers. Gjatë fillimit të gushtit mbush kinematë dhe kinematë e improvizuara në qendrën historike të Prizrenit me një përzgjedhje prej më shumë se 200 filmash nga mbarë bota.
Themeluar në vitin 2002, me qëllim rikthimin e kinemasë dhe jetës kulturore në Prizren, DokuFest është rritur në festivalin më të madh kulturor në vend dhe në një nga festivalet kryesore të filmit dokumentar dhe të shkurtër në Evropë.
DokuFest është në listën e festivaleve kualifikues për Çmimin BAFTA për Filmin më të Mirë të Shkurtër Britanik, si dhe për Akademinë Evropiane të Filmit duke nominuar kandidatin për Çmimet Evropiane të Filmit në kategorinë e filmit të shkurtër