5.2 C
Prizren
E enjte, 5 Dhjetor, 2024

Të lumtë Lumbardh!

Lumbardh Dellova, i cili shkëlqeu në fushën e blertë gjatë ndeshjes kundër Rumanisë, ka bërë një veprim që tejkalon sportin.

Me një performancë të jashtëzakonshme dhe një shpërthim krenarie, ai jo vetëm që tregoi aftësitë e tij si futbollist, por gjithashtu dha një mesazh të fuqishëm për të gjithë ata që e ndjekin. Duke kryer shqiponjën në mes të fushës, Dellova i dha një përgjigje të qartë atyre që tentojnë ta mohojnë identitetin dhe të drejtën e Kosovës për të ekzistuar si shtet i pavarur.

Lumbardh Dellova, një djalë i lindur në flakët e luftës së vitit 1999, mbart në vetvete pasojat e një historie të dhimbshme. Pavarësisht se ishte vetëm një foshnje në ato momente tragjike, ai nuk mund ta harrojë atë që ndodhi në fshatin e tij, Krusha e Madhe, dhe në të gjithë Kosovën. Fshati i tij ka paguar një çmim të tmerrshëm – 243 të vrarë dhe masakruar nga forcat serbe, dhe shumë të zhdukur. Ky është një ngarkesë që Dellova e mban me vete, dhe që nuk mund ta fshijë kurrë.

Ai vjen nga një vend ku është lindur dhe rritur një nga kolosët e kombit shqiptar, Ukshin Hoti, dhe ku çdo familje ka një histori të dhimbshme për shkak të agresionit serb. Kjo përvojë e dhimbshme dhe kjo trashëgimi janë ato që e bëjnë Lumbardhin dhe shokët e tij të futbollit të ndihen të lidhur me çdo ndeshje, çdo gol dhe çdo moment të futbollit që ata përjetojnë.

Por në fushë, Lumbardhi dhe shokët e tij ishin më shumë se futbollistë. Ata ishin ambasadorë të Kosovës, dhe me çdo lëvizje, çdo përpjekje dhe çdo veprim ata treguan forcën e popullit shqiptar. Kur u përballën me thirrjet fashiste dhe raciste të tifozëve rumunë, ata qëndruan të patundur, kokë lartë dhe me krenari, duke demonstruar se Kosova është një realitet i pakontestueshëm.

Duke bërë shqiponjën, Dellova dhe kapiteni Amir Rrahmani i treguan të gjithëve se ata nuk janë vetëm futbollistë – janë mbrojtës të një kombi dhe të një shteti që ka bërë sakrifica të mëdha për lirinë. Ata nuk janë vetëm lojtarë, por janë djem që mbajnë në zemër kujtimin e atyre që kanë rënë për lirinë dhe për çlirimin e Kosovës.

Lumbardh Dellova dhe shokët e tij treguan më shumë se sa aftësi sportive. Ata treguan se si duhet të mbrohet liria, si duhet të respektohet historia dhe si duhet të nderohen ata që dhanë jetën për atdhenë. Në fund të fundit, kjo është më shumë se një ndeshje futbolli – është një akt i fuqishëm i kombit që qëndron i bashkuar.

Të lumtë Lumbardh!

Ju lumtë gjithë djemve  që treguan se Kosova është realitet dhe se ajo do të jetë gjithmonë në zemrat e atyre që luftuan dhe vazhdojnë të luftojnë për lirinë e saj./B. Kajdomçaj/

 

 

Më Shumë

Lajmet e Fundit