3.4 C
Prizren
E hënë, 2 Dhjetor, 2024

Pensioni po i fyen e poshtron mësimdhënësit e viteve të ’90-a?!

Adem Gavazaj

Mësimdhënësit që kanë punuar në vitet e ’90-ta në arsimin paralel të Kosovës, tani po shpërblehen me pensione që i poshtërojnë dhe i fyejnë. Këtë gjendje fyese dhe poshtëruese, këta mësimdhënës e kanë si “peshqesh” nga elitarët tanë politikë, të cilët ose nuk e dinë, ose nuk duan ta dinë historinë e heqjes së autonomisë së Kosovës nga regjimi millosheviqian.

Atëherë u fillua me masa represive, duke i larguar elitarët shqiptarë nga pozitat udhëheqëse, përfshirë edhe sektorin e arsimit, ku kontributi i mësimdhënësve është i paçmuar.

Ata duhet ta dinë ose ta kujtojnë përgjigjen e elitave arsimore të asaj periudhe, të cilët organizuan sistemin paralel arsimor, që u përqafua nga këta mësimdhënës. Këta mësimdhënës janë të vetmit që, me miratimin e Kushtetutës së Kaçanikut, filluan në mënyrë të strukturuar sistemin paralel arsimor, që ishte një sfidë e madhe, të cilën ata e kaluan me sukses. Ky sistem paralel vazhdoi deri në përfundimin e luftës, me ndërhyrjen ndërkombëtare të vitit 1999, atëherë kur forcat serbe u larguan nga Kosova.

Si mbetëm kështu me këto pensione? Nuk do t’ja uronim as armikut, thonë tani këta mësimdhënës pensionistë njëri-tjetrit!

Këtë gjendje fyese e poshtëruese për pensionistët mësimdhënës shqiptarë të sistemit paralel e ka mbjellë UNMIK-u, dhe është pranuar pa problem nga elitarët tanë politikë të asaj periudhe, ose nga padituria, ose qëllimisht për t’i dëmtuar këta kontributdhënës të shtetit të Kosovës.

UNMIK-u, në korrik të vitit 2002, me rregulloren Nr. 2002/1, krijoi Autoritetin Rregullator të Pensioneve, në të cilin u vendos edhe metodologjia për llogaritjen e pensioneve, ku u përjashtua kontributdhënia e mësimdhënësve që kanë punuar në sistemin arsimor paralel të Kosovës, ndërsa ata që kanë punuar në sistemin e ashtuquajtur jugosllav (kombësitë e tjera), iu llogarit kontributdhënia.

Nga ky ndryshim, në Kosovë ekzistojnë dy lloje të shpërndarjes së pensioneve:

1. Pensioni bazik
Pensionin bazik prej 120 euro e gëzojnë të gjithë njerëzit e lindur në Kosovë, edhe ata që kanë punuar deri kur janë pensionuar, por nuk kanë arritur 15 vjet punë në shtetin e paraluftës, të ashtuquajtur Jugosllavi, ku i heqin kontributdhënien e viteve të ’90-ta. Kjo kategori e punëtorëve, që ka kontribuar, por jo 15 vjet punë deri në vitin 1999 (kur përfundoi lufta e fundit në Kosovë), kanë vetëm trustin pensional të dalë nga rregullorja Nr. 2002/1, i cili filloi me grumbullimin e mjeteve në shkurt të vitit 2003, jo më herët.

2. Pensioni kontributpagues
Kurse, pensionin kontributpagues e gëzojnë të gjithë ata që kanë kontribuar për 15 vjet e sipër deri në përfundimin e luftës në vitin 1999. Për pensionistët kontributpagues, metodologjia për llogaritjen e pensioneve i ka ndarë në katër grupe sipas kualifikimit shkollor: me shkollim tetëvjeçar, me shkollë të mesme, me shkollë të lartë dhe me fakultet. Ata që kanë kontribuar në shtetin Jugosllav, pensionet i kanë si më poshtë:

 

Me shkollë fillore: 218 euro

Me shkollë të mesme: 236 euro

Me shkollë të lartë: 257 euro

Me fakultet: 318 euro

 

 

 

Më Shumë

‘Her World, Her Rules’: Sporti kundër dhunës ndaj grave në Dragash

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) organizoi një aktivitet të veçantë në Dragash, në kuadër të kampanjës ndërkombëtare të FIBA-s, “Her World, Her Rules”...

Arrestohet një person në Prizren, kanosi e ofendoi një polic

Në raportin e policisë bëhet e ditur se i dyshuari është dërguar në mbajtje. “Është arrestuar i dyshuari kosovar për shkak se i njëjti kishte...

Zemra e Forcës

Lajmet e Fundit