Në kuadër të takimeve të programit Permanent Transition, Fondacioni Lumbardhi me 14 dhjetor 2024 organizon ligjëratë me artisten Ruth Noack.
Kjo ligjëratë që mbahet në Kino Lumbardhi sipas njoftimit do të fokusohet në përvojën e Ruth Noack në vizionimin dhe ndërtimin e The Corner në Whitman Walker, institucion kulturor në Washington D.C. i cili u hap në 2019 dhe veproi gjatë viteve të pandemisë, para se të mbyllej në vitin 2021 për shkaqe financiare, raporton Telegrafi.
“Noack, e cila ishte ftuar të përgatisë një udhërrëfyes për zhvillim të institucionit, propozoi “kopshtin” në vend të “udhës”, si koncept për formësimin e tij. Përkundër kohëzgjatjes së saj, kjo eksperiencë ofroi një mundësi për të kërkuar forma më relevante dhe përmbushëse të ndërveprimit mes artit dhe jetës”, thuhet në njoftimin e Lumbardhit.
Aty sqarohet se Ruth Noack është historiane arti, kuratore, edukatore dhe shkrimtare e cila njihet më së shumti për punën e saj si kuratore në edicionin e 12 të documenta-s. Ndër të tjera ajo ka mbajtur pozicionin si drejtore ekzekutive në The Corner në Whitman Walker në Washington D. C. dhe ka kuruar ekspozita të shumta në muze dhe institucione të artit bashkëkohor.
Po ashtu theksohet se është angazhuar si ligjëruese në akademi dhe universitete për mbi 20 vite, dhe se ka mbajtur pozicionin e udhëheqëses së programit për kurim të artit bashkëkohor në Royal College në Londër, ka qenë ligjëruese në Dutch Art Institute, profesoreshë e ftuar (AVU, Pragë; Städelschule në Frankfurt), si dhe është autore e mbi 50 eseve mbi artin bashkëkohor përfshirë këtu dhe monografinë mbi punën e Sanja Ivekovi?, raporton Telegrafi.
Ky është prezantimi i tretë prej serisë së ligjëratave të organizuara për projektin “Permanent Transition” mbështetur prej European Cultural Foundation. Programi”, sipas Lumbardhit, sjell një mori hulumtuesish dhe profesionistësh e praktikues të fushës së artit, linguistikës, aktivizmit, ekonomisë dhe fushave të tjera, me synimin për të propozuar mënyra të ndryshme të të kuptuarit të krizës klimatike dhe të reagimit në të ardhmen. /Telegrafi/