14.7 C
Prizren
E premte, 25 Prill, 2025

Kuvendari i Prizrenit reagon për mungesën e ujit në varreza, “Hidroregjioni Jugor” tregon vlerën e borxhit

Ndërprerja e furnizimit me ujë në varrezat e qytetit është ngritur si shqetësim në mbledhjen e fundit të Kuvendit të Komunës së Prizrenit. Madje kuvendari nga radhët e komunitetit turk, Ertan Simitçi ka paralajmëruar reagim përmes rrugëve ligjore për këtë çështje.

Sipas tij ka katër muaj që në këto varreza nuk ka ujë.

“Ashtu siç jeni dëshmitarë edhe ju, tash e rreth 4 muaj në varrezat e qytetit të Prizrenit nuk ka ujë për përdorim. Këtë problem e kemi ngritur disa herë. Fatkeqësisht, as ndërmarrja “Eko Regjioni” dhe as “Hidroregjioni Jugor” nuk kanë arritur që të ofrojnë një zgjidhje. Qytetarët dhe punonjësit në varreza janë ankuar për këtë çështje. Edhe sot nuk kishte ujë. Prandaj dua t’ju drejtohem hapur përgjegjësve të “Eko Regjionit” dhe “Hidroregjionit Jugor” me pyetjen se a nuk keni aspak ndërgjegje dhe përgjegjësi?”, ka thënë Simitçi.

Sipas tij zgjidhja e këtij problemi është përgjegjësi e këtyre ndërmarrjeve publike.

“Presim që sa më shpejt të gjendet një zgjidhje. Në të kundërt, dua të njoftoj se si qytetarë do ta shprehim reagimin tonë përmes rrugëve ligjore”, ka deklaruar kuvendari i YTHP-së.

Lidhur me pretendimet e kuvendarit Simitçi ka reaguar Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor”, duke sqaruar se në prill të vitit 2024, pas kërkesave të qytetarëve, ishte rikthyer furnizimi me ujë në varrezat e qytetit, duke kryer edhe sanimin e të gjitha instalimeve të nevojshme.

“Sipas të dhënave tona nga prilli 2024, borxhi i akumuluar në emër të faturave të papaguara për ujin kishte arritur në mbi 17,000 euro. Duke marrë parasysh ndjeshmërinë e rastit dhe nevojat e banorëve të qytetit të Prizrenit, vendosëm të rikthejmë furnizimin me ujë, duke shpresuar për një zgjidhje të qëndrueshme të problemit financiar. Pas takimit tonë me përfaqësuesit e Eko Regjionit, morëm përgjigje të prerë se ata nuk marrin përgjegjësi për pagesën e faturave të ujit”, thuhet në reagimin e “Hidroregjionit Jugor”.

Tutje theksohet se faturat e ujit nuk janë paguar.

“Për fat të keq, edhe pas shprehjes së gatishmërisë sonë për të gjetur një zgjidhje, më 16 prill 2024 organizuam një takim të përbashkët me përfaqësues të Kuvendit Komunal. Deri në dhjetor të vitit 2024, nuk është paguar asnjë faturë për ujin e konsumuar”, ka bërë të ditur “Hidroregjioni Jugor”.

Sipas kësaj kompanie deri më tani, borxhi i akumuluar ka arritur shumën prej afër 33 mijë eurove.

“Për këtë arsye, jemi detyruar të ndërpresim furnizimin deri në zgjidhjen e problemit të obligimeve financiare. Është e papranueshme dhe joetike të fajësohet KRU “Hidroregjioni Jugor” si një institucion i papërgjegjshëm ose pa ndjenja”, përfundon reagimi i KRU “Hidroregjioni Jugor”./Telegrafi

Më Shumë

66 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se brenda 24 orëve të kaluara janë shënuar 66 aksidente dhe janë shqiptuar 2000 gjoba në trafik...

130 mijë euro i kapi pak nga pak, pronarja e zbulon punëtoren në Malishevë dhe e çon në Polici

Një punëtore e një zyre të një institucioni mikrofinanciar në Malishevë është arrestuar nën dyshimet për keqpërdorim të besimit, pasi dyshohet se ka tërhequr...

Lajmet e Fundit