Në afërsi të Kalasë së Prizrenit ka nisur ndërtimi i një zip-line, që mundëson “fluturimin me kabllo” te pjesa tjetër e luginës. Synimi është krijimi i një shërbimi të ri atraktiv për turistët dhe vizitorët e Prizrenit.
Ky investim i mërgimtarit Valon Elshani nga Prizreni, që për shumë vite ka punuar dhe jetuar në Gjermani, aktualisht po realizohet nën mbikëqyrjen e ekspertit holandez që merret veçanërisht me këtë lloj aktiviteti.
Paul de Gast, pronar i “Ropes Course Solutions”, që është një kompani e specializuar në këtë fushë, dhe njëherësh trup i certifikuar për inspektime dhe trajnime në kuadër të Shoqatës përkatëse evropiane (European Ropes Course Association) ka treguar se në këtë lokalitet do të ketë zip-line të dyfishtë.
“Ky është një projekt me zip-line të dyfishtë. Zip-line i dyfishtë me gjatësi prej 550 metrash që kalon mbi një luginë, ku ndodhen dy linja dhe ku dy persona mund të kalojnë njëkohësisht nga njëra anë në tjetrën”, ka thënë ai për Telegrafin.

Sipas tij, vendndodhja e zip-linet është mjaft e përshtatshme për vizitorët dhe turistët, që preferojnë relaksim në Qendrën Historike të Prizrenit.
“Ky projekt do të funksionojë shumë mirë. Mendoj se vendndodhja është shumë e përshtatshme. Ka shumë turizëm këtu. Ka edhe shumë njerëz nga vetë Kosova që vijnë në Prizren për t’u çlodhur. Kështu që ndjesia ime është se ky projekt do të ketë sukses”, është shprehur eksperti holandez.
Në të njëjtën kohë ka nënvizuar se projekti në fjalë do të realizohet sipas standardeve evropiane.
“Tani projekti po ecën shumë mirë. Do të certifikohet me materialet më të fundit që ekzistojnë. Do të zhvillohet pa probleme. Gjithçka është ndërtuar sipas standardit evropian EN 15567-1 për pistat e litarëve. Pra, do të përmbushë standardin evropian. Do të certifikohet nga një shoqatë e njohur evropiane. Prandaj, për turizëm, mendoj se ky projekt do të funksionojë shumë mirë”, ka thënë de Gast për Telegrafin.
Zip-line zakonisht shërben për argëtim dhe aventurë, apo edhe si atraksion turistik në zonat e bukura natyrore. /Telegrafi/