Instituti për Psikologji dhe Kriminologji “Katalea” me seli në Prizren përmes një reagimi ka vlerësuar se vrasja e vajzës 15-vjeçare nga i ati në Prizren paraqet një thirrje urgjente për reflektim dhe veprim shoqëror.
“Ky akt i tmerrshëm nuk është vetëm një krim kundër jetës, por një akt dhune ekstreme që godet thellë themelet e familjes dhe sigurisë së fëmijëve”, thuhet në reagim.
Aty thuhet se vrasja nga prindi është një nga format më tronditëse të krimit familjar, “shpesh e shoqëruar me mungesë të sinjaleve paralajmëruese ose me injorim të tyre nga rrethi social dhe institucional”.
“Dhuna e përsëritur, kontrolli ekstrem ndaj anëtarëve të familjes, izolimi social, problemet psikologjike të prindërve dhe mungesa e ndërhyrjes së hershme janë faktorë që shpesh çojnë në tragjedi të tilla”, thuhet në reagim.
Tutje nënvizohet nevoja për ndërhyrje ndërkulturore dhe ndërinstitucionale.
“Raste të tilla kërkojnë një qasje të koordinuar ndërmjet institucioneve të sigurisë, mirëqenies sociale dhe sistemit arsimor, si dhe një ndjeshmëri kulturore në trajtimin e rasteve me shtetas të huaj”.
Në të njëjtën kohë është theksuar se parandalimi është detyrë kolektive.
“Shoqëria duhet të ndalë së relativizuari dhunën në familje. Raportimi, edukimi, dhe ndërtimi i sistemeve të forta të mbrojtjes së fëmijëve janë domosdoshmëri dhe jo opsion”, përfundon reagimi i Institutit “Katalea”.
Policia e Kosovës të mërkurën në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se një i dyshuar, shtetas i Turqisë, ka sulmuar me mjet të mprehtë dy vajzat e tij, ku njëra prej tyre nuk u ka mbijetuar plagëve dhe ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa, tjetra ka pësuar lëndime trupore. Sipas njoftimit lëndime ka pësuar edhe bashkëshortja e të dyshuarit respektivisht nëna e viktimës si dhe vet i dyshuari.
“Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes ndërsa e lënduara tjetër është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor dhe sipas mjekëve është në gjendje stabile. Në vendin e ngjarjes, përveç njësive policore ka dalë edhe prokurori i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet në obduksion, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje. Rasti në hetime”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.