Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj ka bërë të ditur se është në pritje të njoftimit zyrtar nga organet e drejtësisë lidhur me aktakuzën ndaj shtatë zyrtarëve komunalë për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Sipas tij për veprimet eventuale mund të diskutohet vetëm pas njoftimit me përmbajtjen e aktit të akuzës.
“Ne ende nuk kemi marrë asnjë dokument prej Prokurorisë ose Gjykatës. As personat që përmenden nuk e kanë marrë asnjë dokument zyrtar. Në momentin kur e marrim zyrtarisht prej Gjykatës ose prej Prokurorisë atëherë mund të bisedojmë për veprimet tona eventuale”, ka thënë Totaj.
Në të njëjtën kohë ka shtuar se nuk mund ta komentoj këtë çështje pa dokumentet zyrtare të organeve të drejtësisë.
“Personalisht unë i besoj stafit tim. Por në anën tjetër i besoj Prokurorisë dhe drejtësisë. Gjithmonë them aty ku ka argumente unë jam për të vepruar. Mendoj se pa e marrë dokumentin nga Prokuroria dhe Gjykata, nuk mund të jap asnjë koment. Përndryshe në momentin kur e marrim atë ne i kthehemi reagimeve tona konform standardeve tona të lidershipit, të cilat i kemi proklamuar në fushatë të vitit 2021”, ka deklaruar Totaj gjatë një interviste në RTV Besa.
Prokuroria Themelore në Prizren në fillim të javës ka njoftuar se Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj shtatë zyrtarëve komunalë përkatësisht të pandehurve Xh.D., Y.G., Q.K., S.V., E.Sh., L.S., B.J., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe ndaj D.N., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi apo mashtrimi në prokurim publik”.
Për këtë çështje ka reaguar Qendra e LVV-së në Prizren, duke theksuar se qytetarët nuk meritojnë qeverisje korruptive.
“Ne ritheksojmë se qeverisja e PDK dhe kryetarit Shaqir Totaj, është shndërruar në simbol të keqpërdorimit e zhvatjes së parasë publike në Komunën e Prizrenit. Qytetarët e Prizrenit nuk e meritojnë një pushtet të zhytur në afera korruptive!”, thuhet në reagim.
Ndërkaq dega e LDK-së në Prizren ka dënuar “çdo formë të abuzimit me pozitën zyrtare, shpërdorimin e parasë publike dhe çdo veprim që cenon besimin e qytetarëve në institucionet tona”.
Pas ditë më pas ky subjekt ka vlerësuar si të papranueshme heshtjen e kryetarit të Komunës, Shaqir Totaj lidhur me aktakuzën e sipërpërmendur. Madje ka theksuar se “heshtja e kryetarit Totaj është bashkëfajësi”.
Në anën tjetër, organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe” përmes një reagimi të enjten ka kërkuar nga kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj që të respektojë zotimin se askush me aktakuzë nuk do të jetë pjesë e qeverisë komunale.
Për këtë arsye është kërkuar shkarkimi ose dorëheqja e drejtorit komunal ndaj të cilit është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Themelore në Prizren, raporton Telegrafi.
Kjo organizatë joqeveritare ka sjellë në kujtesë premtimet elektorale të dhëna nga Kryetari i Komunës së Prizrenit dhe subjekti i tij politik se “askush me aktakuzë nuk do të jetë pjesë e kabinetit qeverisës”. /Telegrafi/