29.2 C
Prizren
E martë, 17 Qershor, 2025

Prokuroria kërkon paraburgim ndaj policit që dyshohet se grushtoi një qytetar në Prizren

Prokuroria Themelore e Prizrenit, ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj zyrtarit policor, Remzi Pulaj, i cili dyshohet se ka keqtrajtuar një qytetar.

Pulaj, dyshohet se e ka grushtuar një qytetar, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, të dielën kur viktima ishte ndaluar nga policia fillimisht për një kundërvajtje në trafik.

Rasti është regjistruar në IPK dhe hetuesit janë angazhuar duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore përfshirë shikimin e video-incizimeve të kamerave të sigurisë, identifikimin e dëshmitarëve të mundshëm dhe intervistimin e zyrtarit policor të dyshuar në këtë rast.

“Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, ndaj të dyshuarit R.P., i cili gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” nga neni 195, par.1 dhe “Lëndimi i rëndë trupor” nga neni 186, par.1, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”.

“Sipas kërkesës, më datë 14 qershor 2025, rreth orës 21:35 min në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren, i pandehuri R.P., në cilësinë e personit zyrtar – zyrtar policor – dyshohet se duke vepruar së bashku me kolegun e tij N.B., gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, ka keqtrajtuar të dëmtuarin S.F. Ngjarja ka ndodhur pasi zyrtarët policorë i kanë shqiptuar një gjobë për kundërvajtje të dëmtuarit për shkak të parkimit të palejuar, duke e vendosur tiketën e gjobës në xhamin e veturës. Në atë moment, i dëmtuari, i cili ndodhej brenda një kafiterie afër vendit të ngjarjes, ka dalë jashtë dhe ka hedhur gjobën në tokë. Pas kësaj, zyrtarët policorë i kanë kërkuar të dëmtuarit të paraqesë dokument identifikimi, por ai nuk i është bindur urdhrit të tyre. Si pasojë, ata kanë tentuar ta arrestojnë. Gjatë përpjekjes për arrestim, i dëmtuari ka rezistuar, dhe në një moment, i pandehuri i ka vendosur këmbën të dëmtuarit me qëllim të neutralizimit të rezistencës së tij, me ç’rast kolegu i tij, zyrtari policor N.B., është rrëzuar së bashku me të dëmtuarin, duke rënë mbi të. Ndërsa i dëmtuari ndodhej në pozitë të shtrirë përtokë, dhe gjatë tentativës për ta vënë nën kontroll, i pandehuri e ka goditur disa herë me grushte në pjesën e kokës, përkatësisht në zonën e syrit dhe të veshit të majtë, duke i shkaktuar lëndime trupore. Me këto veprime, R.P., ka kryer veprat penale të lartëcekura”.

Prokuroria Themelore në Prizren, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.

Marketing

Më Shumë

Hidroregjioni Jugor nis ndërtimin e klorinatorit tek “40 Burimet” në Prizren

Kompania Rajonale e Ujësjellësit "Hidroregjioni Jugor" ka nisur punimet për realizimin e projektit “Ndërtimi i klorinatorit tek 40 Burimet” në Prizren, raporton PrizrenPress. Ky projekt,...

Fillon ndërtimi i impiantit për ujërat e zeza në Breznë të Dragashit

Ka nisur ndërtimi i impiantit për përpunimin e ujërave të zeza në fshatin Breznë të Dragashit, një projekt që pritet të sjellë përmirësime të...

Lajmet e Fundit