Inkuadrimi i kosovarëve në Siri merr përmasa shqetësuese. Pranvera Abazi, 30 vjeçe nga Prishtina, thotë se bashkëshorti i saj, Arbeni, kur shkoi në Siri para disa javësh, me vete dhe pa lejen e saj e mori edhe djalin, Erionin.
Fëmija i çiftit kosovar është vetëm 8 vjeçar dhe shihet në Siri në shoqërinë e luftëtarëve të ISIS’it.
Pranvera kërkon me dëshpërim që kushdo që e mban ta kthejë sa më parë në Kosovë djalin e saj të vetëm, raporton KTV.
Ka gati dy muaj që Pranvera Abazi imagjinon vetëm një skenë sa herë që nis dita e re – kthimin e djalit të saj, Erionit, në shtëpi.
Erioni, 8 vjeç, që duhej të niste klasën e tretë javën e ardhshme, është në Siri. Atë e ka marrë me vete babai i tij, Arbeni, që ka shkuar atje për të luftuar krah ISIS’it dhe kundër forcave të Assadit.
Nëna e tij është tmerruar kur ka parë sot fotot e para që prej largimit të dhunshëm të djalit. Ai shihet me të tjerë fëmijë dhe me luftëtarë të rritur, me gishtin lart – shenjë që Zoti është një – dhe me flamurin e ISIS’it. Pranvera, 30 vjeçe, kujton momentin kur e ka parë për herë të fundit djalin e tij, pasi që bashkëshorti i kishte thënë se po shkonin për disa ditë në Rugovë.
1 javë më pas gjithçka që ka marrë Pranvera është ky mesazh nga Arbeni, në të cilin ai vetëm i tregon se bashkë me Erionin është në Siri.
Pranvera thotë se kurrë nuk e ka menduar që Arbeni do të mund ta merrte djalin me vete, edhe pse vetë kishte dhënë shenja se do të shkonte për të luftuar.
Në gjithë këto javë, Pranvera ka folur vetëm një herë me Erionin në telefon.
Derisa vazhdon ta ketë shumë të vështirë ta kuptojë arsyen pse Arbeni e mori djalin me vete, Pranvera e lut atë dhe këdo tjetër që mban Erionin që ta kthejë së më parë në shtëpi.
Policia e Kosovës ka bashkëpunuar gjithë këtë kohë me familjen dhe po bën gjithçka që është e mundur të gjejë rrugë për ta kthyer fëmijën në shtëpi.
Si Erioni besohet se ka edhe të tjerë fëmijë kosovarë në Siri, e që me gjasë atje kanë shkuar familjarisht.
Pjesë e luftimeve të ISIS-it në Siri e Irak janë edhe fëmijë të moshës 12-13 vjeçare. Pasi e ka sulmuar në Irak, SHBA-ja po planifikon ta sulmojë këtë organizatë edhe në Siri.
Në çfarëdo rrethane Pranvera vazhdon të shpresojë që Erionin do ta lejojnë të kthehet aty ku është më i sigurti – pranë nënës së tij.