Eqrem Kryeziu më në fund u është bindur lutjeve të elektoratit dhe të Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai do t’i hyjë garës për kryetar të Komunës së Prizrenit, edhe pse në 2007-n ishte mundur nga Ramadan Muja. Kryeziu në këtë intervistë për “Epokën e re” ka thënë se nuk ka mundur të prishet me LDK-në.
“Unë nuk e kam projektuar veten për këtë kandidaturë, edhe për qëndrimin që e kam mbajtur publikisht, por pasi ishte një insistim, dhe pse nuk jam i dashuruar fare në pushtet, megjithatë tash që jam në përfundim të karrierës politike nuk munda të prishem me dashnoren – LDK-në”, ka thënë Kryeziu.
Qysh në ditën e parë që është konfirmuar për kandidat për kryetar të Komunës së Prizrenit, Kryeziu ka shprehur optimizëm se mund të fitojë. “Pse mund të besoj unë se do të fitoj. Me të thënë të drejtën unë e kam me borxh t’u tregoj njerëzve se në qoftë se i ka marrë malli për sundim të ligjit dhe për antikurrupsion, unë jam ai i vjetri. Por, tash a më zgjedhin mua a jo, me të thënë të drejtën unë fort nuk mërzitem. Nuk kam nevojë për ta dëshmuar me parullë se kush jam sepse kam dëshmuar para shtatë vjetësh. Por, nëse njerëzit janë përmalluar për atë atmosferë, le të më votojnë mua”, ka thënë ai, per Epoka e re.
Kryeziu e quan veten më të mirin për ta drejtuar Komunën e Prizrenit, duke bërë me dije se nuk është më ai partizani primitiv dhe as që i shkon mendja ta përjashtojë PDK-në e as të tjerët nga “familja e përbashkët”. “Për ta përparuar Prizrenin, unë them se jam më i miri. Si një zot shtëpie burrë. Unë them se këtë shtëpi të përbashkët po ma merr mendja se e përparoj unë më mirë, se jo, jo si përjashtoj fare nga familja as PDK-në e as të tjerët”, është shprehur Kryeziu.