Buxheti i vitit 2015 nuk ofron zhvillim, prandaj nëse ekonomia e Kosovës shënon rritje deri në 3 për qind gjatë këtij viti, do të ishte sukses. Diaspora nuk do të mund të frenojë përjetshëm nivelin e varfërisë që ka kapluar vendin.
Kështu ka vlerësuar eksperti i ekonomisë, Ibrahim Rexhepi, në një intervistë për lajm.net, duke thënë se qeveria duhet të ketë prioritet zhvillimin ekonomik dhe të ndryshojë klimën e të bërit biznes. Ai ka thënë se premtimet elektorale për hapje të 200 mijë vendeve të reja të punës nga ana e PDK-së dhe 120 mijë sosh nga LDK-ja, kanë qenë premtime të mira, joshëse, për të marrë votën.
Rexhepi ka thënë se në këtë vit, edhe pse këto dy parti tashmë bashkëqeverisin Kosovën, nuk pret të duken shenja që ky premtim të mund të realizohet gjatë mandatit të tyre katërvjeçar.
“E nëse nuk realizohet ky premtim, atëherë do të ishte mashtrimi më i madh që iu është bërë qytetarëve deri më tani në Kosovën e pasluftës”.
Sipas Rexhepit “ka mundësi qe edhe në këtë vit ekonomia te mbaje ritmin e këtij viti që e lamë pas, sado qe ai nuk është në nivelin kënaqshëm dhe nuk premton zhvillim, apo hapjen e shumë vendeve te reja të punës. Kjo ekonomi e jona edhe më tej do te ketë sfida, te cilat kryesisht kanë të bëjnë me tregun që nuk garanton konkurrencë të drejtë, pastaj me pamundësitë e financimit me kosto të lirë, nuk premtohet asnjë rrethanë lehtësuese përmes politikave fiskale, apo se paku përkrahje për bizneset që janë të orientuara kah eksporti dhe hapja e vendeve të punës, sida këto që të gjitha partitë politike premtuan gjatë fushatës se do t’i zgjidhin. Pa dyshim se do te ketë rritje, por nuk ka asnjë element që do të ndikoj që norma e rritjes të jetë 4 për qind. Nëse kemi parasysh buxhetin për vitin 2015, ai nuk ofron zhvillim. Nga ana tjetër, bizneset janë të frikësuara nga ambienti politik shumë i paqartë. Me zvogëlimin e investimeve publike dhe me këtë ambient për të bërë biznes, nuk mund te këtë zhvillim. Duhet te jemi të kënaqur që në këto rrethana nëse arrihet norma e zhvillimit nga 2.5 deri 3.0 për qind”.
I pyetur nëse duhet kërkuar dhe në çfarë mënyre duhet bërë presioni ndaj dy partnerëve në koalicion (PDK-LDK), për mbajtën e premtimit të tyre për numrin e vendeve të punës gjatë fushatës, edhe për kundër faktit se premtimet e tyre duken të parealizueshme Rexhepi j konstaton se “ishte një premtim i mire elektoral – vetëm sa për të marrë votat. Por, në vitin 2015 as që do të duken shenjat e para për të përmbushur këtë premtim. Madje, as në vitet e ardhshme të kësaj qeverisje. Ndonëse ende nuk dimë cili është programi qeverisës, apo strategjia e zhvillimit ekonomik, megjithatë hapja e 120-200 mijë vendeve të reja të punesë nuk bëhet me fjalë boshe. Kurse qeveria aktuale, as që përmend premtimet e dhëna, meqenëse, duket se është e vetëdijshme se këtë nuk mund ta arrijë. Por, kjo asaj nuk mund t’i falet. Nëse nuk përmbush këtë premtim, ky do te ishte mashtrimi më i madh qe i bënë kësaj popullate – jo vetëm votuesve te partive te koalicionit”.
Rexjepi ka thënë se ky koalicion nuk ka ofruar vizion. Kam përshtypje se as që e ka këtë. E vetmja zgjidhje është ashpërsimi i presionit për zgjedhje të reja, por pasi që fillimisht Kuvendi i Kosovës të bëjë ndryshime në ligjet që kanë të bëjnë me zgjedhjet.