Isa Mustafa, me të marrë postin e kryeministrit, në intervistën e parë televizive u shpreh i bindur se në fillim të vitit 2015, Kosova do të marrë liberalizimin e vizave. Mirëpo, analistët politik shprehen skeptik për realizimin e këtij premtimi të Mustafës.
“Do të mundohem që si kryeministër të punoj me BE-në, në veçanti me Gjermaninë, që të punojmë shumë për të arritur liberalizimin e vizave. Njerëzve duhet t’ua hapim dyert që të shohin Evropën, por të kthehen këtu e të punojnë e ta zhvillojnë vendin. Unë jam shumë i bindur që vitin e ardhshëm kjo punë do të kryhet. Në pjesën e parë të vitit të ardhshëm do të insistoj që kjo çështje të mbyllet”, ka thënë Isa Mustafa në intervistën e parë pasi u zgjodh si kryeministër i vendit.
Në bazë të kësaj deklarate të tij, i bie që brenda pak muajsh qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm në të gjithë zonën Schengen.
Mirëpo, analistët politik shprehen skeptik me këtë deklaratë të Mustafës. Madje, sipas tyre, kryeministri i ndërroi brenda pak ditësh deklaratat për çështjen e liberalizimit të vizave.
Njohësi i fushës së integrimeve evropiane, Shenoll Muharremi ka thënë për Gazetën Blic se “nuk jemi në dijeni se ku po i merr Kryeministri këto informata kur dihet që është Komisioni Evropian dhe grupi i ekspertëve nga vendet anëtare të Schengenit që bëjnë vlerësimin e jo Qeveria e Kosovës”.
Sipas Muharremit, procesi nuk funksionon ashtu që pala që zbaton kushtet të vlerësojë veten.
“Qeveria e di këtë gjë mirë. Kryeministri para disa ditëve na tha që në fillim të 2015 do të ndodh liberalizimi… tash thotë ndoshta gjatë 2015. Pra, përgjigja është që ai apo ndonjë anëtar i qeverisë në fakt nuk e di se kur hiqen vizat dhe nuk janë ata që vlerësojnë dhe vendosin. Si ka mundësi që deri dje lideri i opozitës, tash kryeministër nuk mësoi nga ish KM Thaçi, i cili disa herë mashtroi qytetarët me afate kohore rreth liberalizimit”, ka thënë Shenoll Muharremi për Gazetën Blic.
Sipas Muharremit Kosova është në një situatë të ndjeshme, ku kemi një numër të madh të azilkërkuesve nga Kosova në BE.
“ Dhe, edhe nëse plotësohen të gjitha kushtet teknike, numri i azilkërkueseve është njëri ndër indikatorët kyç. Thjesht me këtë fluks ka pak gjasa. BE është e ngadalshme për nga veprimi. Andaj, statistikat për 2014 rreth kërkesave për azil do bëhen publike nga EUROSTAT semestrin e parë evropian 2015, pra edhe bindjet tek Vendet Anëtare të BE-së gjatë 2015 do të jetë që numri i azilkërkuesve nga Kosova po rritet, andaj liberalizimi i vizave me Kosovën mund te paraqet rrezik për BE”, thotë ndër të tjera Muharremi.
Edhe ish- kryeministri i Kosovës, tani zëvendëskryeministër, Hashim Thaçi disa herë kishte premtuar liberalizim të vizave, por që dolën të ishin premtime elektorale. Madje, Thaçi kishte premtuar që liberalizimi i viziave të ndodhte në vitin 2011, por kaluan katër vjet nga ajo kohë dhe ende asgjë nuk ndodhi në këtë drejtim.
Për dallim nga Kryeministri Mustafa, ministri i Integrimeve, Evropiane, Bekim Çollaku, është treguar më i matur në deklaratat e tija, sa i përket liberalizimit të vizave. Ai ka thënë se mund të ndodh që liberalizimi të ndodh në fund të 2015, eventualisht në fillim të 2016./ Gazeta Blic/