Sekretari i përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, ka deklaruar se nuk ndihen të dëmtuar nga akuzat e Lëvizjes Vetëvendosje! dhe LISBA-s. Përkundrazi, të fuqizuar. Ai ka thënë se akuzat e këtyre dy partive në adresë të AAK-së janë të pabaza.
Sipas tij, Vetëvendosje! dhe LISBA janë duke i terrorizuar qytetarët e Kosovës. “Gjithçka që dikush ka për ne le t’i dërgojë në prokurori. Mos t’i terrorizojnë njerëzit me llafe dhe shpifje të kota”, ka thënë në intervistën për “Epokën e re” Ramadani.
Ramadani ka kërkuar nga Vetëvendosje! të tërhiqet vullnetarisht nga pozita e nënkryetarit të Kuvendit. “Askush nuk duhet të na marrë të drejtën, madje Vetëvendosje! do të duhej vullnetarisht të tërhiqet, sepse nëse besojmë në parime të kushtetutshmërisë, atëherë do të duhej ta respektojmë Kushtetutën. Pra, ajo duhet të dalë dhe të thotë, ‘ok-ej, neve nuk na takon më pozita e nënkryetarit të Kuvendit’”, ka deklaruar Ramadani.
Ramadani ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk është duke i kuptuar proceset politike dhe se është duke iu frikësuar AAK-së. “Bindja ime është se Lëvizja Vetëvendosje! nuk i kupton proceset politike. Definitivisht nuk i kupton. Dhe në bazë të moskuptimit të proceseve bën interpretime ekstreme sikur pretendon se e di të vërtetën absolute”, ka thënë Ramadani. Ai ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje! të heqë dorë nga pozita e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës pasi, sipas tij, kjo lëvizje nuk është më partia e tretë parlamentare.
Ai është shprehur i bindur se AAK-ja në zgjedhjet e ardhshme lokale do të fitojë më shumë se 20 për qind të votave
Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, ka folur dhe për Projektligjin për Amnistinë. Ai ka vlerësuar se Projektligji për Amnistinë do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në integrimin e serbëve të veriut në jetën politike dhe institucionale të Kosovës.
Ramadani ka thënë se me këtë projektligj nuk do të amnistohen ata njerëz që kanë bërë vrasje, fshehur tatimin apo që u kanë shkaktuar të tjerëve lëndime të rënda.