(E plotësuar) Ka përfunduar e qetë protesta kundër degradimit të arsimit në Komunën e Prizrenit.
Me fjalime të shkurtra para “Shtëpisë së Bardhë” i është dhënë fund kësaj proteste.
Kastriot Jahaj, nga “Qytetarët Aktivë”, ka thënë se disa individë janë bërë shkaktarë që festa e 7 Marsit të kalojë në protestë.
“Persona si Nexhat Çoçaj ulin dinjitetin e mësimdhënësve”, ka thënë Jahaj, teksa ka kërkuar largimin e menjëhershëm të Çoçajt, që i prin drejtorisë së Arsimit në Prizren.
Jahaj ka përmendur edhe faktin se në Prizren zyrtarët e saj të lartë dënohen, dhe megjithatë vazhdojnë të mbesin në kryerje të detyrave e nuk japin përgjegjësi.
Edhe Shefqet Osmani, mësimdhënës, ka thënë se festa do të duhej shënuar në një mënyrë tjetër.
“Zhvillimet në DKA na kanë shtyrë të dalim në rrugë për protestë”, ka thënë ai, teksa ka shtuar se duhen hetime nga organet e drejtësisë për parregullsitë.
Gazetari Rami Berisha, ka denoncuar shumë raste keqpërdorimesh dhe shkeljesh gjatë punësimeve. Ai ka thënë se Prizreni nuk e meriton këtë.
Në këtë protestë kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të partive politike në Prizren, që janë në opozitë atje.
Fatmir Memaj i LDK-së, ka thënë se u vjen keq që në këtë mënyrë të shënohet 7 marsi.
“Por shprehim zhgënjimin me degradimin në arsimin prizrenas”, ka thënë Berisha.
Artan Abrashi i Vetëvendosjes ka shprehur bindjen se pushteti në Prizren është më i korruptuari në Kosovë.
E në këtë aspekt, drejtësia po hesht”, ka thënë ai, raporton Koha.net.
*****
Dinjitet për mësimdhënësit, kundër degradimit të arsimit janë thirrjet që po dëgjohen në këto qaste nga protestuesit në Prizren.
Ata kanë lëvizur nga Shadërvani, në marshim, deri te Shtëpia e Bardhë ku po qëndrojnë aktualisht.
*****
Ka nisur në Prizren protesta për gjendjen në arsimin në këtë qytet.
“Nexhat Hajni”, “Poshtë hajnat”, “Dorëheqje”, janë vetëm disa nga mbishkrimet që po mbajnë në duar qindra protestues që janë tubuar para Shadërvanit në qytetin antik.
Protesta po ndodh me 7 marsin, ditën e mësuesit. Ajo ka për kërkesë kryesore ndaljen e degradimit të arsimit në Prizren.
“Skandalet në arsimin e Prizrenit me shitjen e vendeve të punës dhe me punësimin e personave me shkollë të mesme për edukimin e fëmijëve tanë, kanë shtuar pakënaqësinë e qytetarëve karshi pushteti komunal. Duke besuar në vlerat dhe dinjitetin njerëzorë kemi vendosur që ta kundërshtojmë fuqishëm shkatërrimin dhe degradimin e sistemit arsimor”, thuhet në thirrjen për protestë.
Protesta është organizuar nga shoqata e veteranëve të arsimit, gazetari Rami Berisha dhe “Qytetarët Aktivë”, e mbështetur edhe nga Organizata të Shoqërisë Civile në Prizren dhe 4 partitë opozitare. Ajo fillon në ora 13:00 nga sheshi Shadërvan./Koha.net/