Në Suharekë përkujtohet atdhetari Fadil Vata

Në fshatin Sallagrazhdë të Suharekës është përkujtuar sot atdhetari Fadil Vata, në 36-vjetorin e ndarjes nga jeta. Me këtë rast, pranë varrit të tij janë mbajtur homazhe përkujtimore, ku morën pjesë familjarë, bashkëpunëtorë, përfaqësues institucionalë dhe qytetarë të shumtë.

Të pranishmit nderuan jetën dhe veprën e tij, duke e vlerësuar si një figurë të rëndësishme të lëvizjes kombëtare për liri dhe pavarësi, si dhe një shembull të përkushtimit atdhetar për brezat e rinj.

Fadil Vata lindi më 10 janar 1962 në Sallagrazhdë të Suharekës dhe që në moshë të re u angazhua në veprimtari atdhetare, duke u bërë pjesë e grupeve ilegale dhe më pas një nga figurat e Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK). Për aktivitetin e tij politik ai u përndoq dhe u dënua nga autoritetet e atëhershme jugosllave, duke kaluar vite në burg.

Në fjalimet përkujtimore u theksua se ai u përball me kushte të rënda në burg dhe më pas me probleme serioze shëndetësore, të cilat i sollën përkeqësim të gjendjes së tij deri në fund të jetës.

Ai ndërroi jetë më 25 prill 1990, ndërsa varrimi i tij ishte shndërruar në një tubim të madh qytetarësh nga vendi dhe diaspora. Për kontributin e tij, Fadil Vata është nderuar me titullin “Hero i Kosovës”.

Në përkujtim u theksua se figura e tij mbetet simbol i sakrificës, qëndresës dhe përkushtimit për lirinë e vendit.

Më Shumë

“Efekti Limaj” në Malishevë? PDK prin në bastionin tradicional të Nismës

Rezultatet e para preliminare nga komuna e Malishevës po e vendosin PDK’në të parën. Me 27 nga 72 vendvotime të numëruara, përkatësisht 37.50 për...

Sulmohet një autobus me armë zjarri në Malishevë, arrestohet i dyshuari

Një rast i rëndë njoftohet të ketë ndodhur sot në Malishevë, ku, në fshatin Pagarushë, një autobus është sulmuar me armë zjarri. Rastin e ka...

Lajmet e Fundit