15.4 C
Prizren
E shtunë, 20 Shtator, 2025

Në Hoçë të Vogël, përkujtohen dëshmorët dhe martirët e kombit

Në fshatin Hoçë e Vogël të Rahovecit, u përkujtua 16 vjetori i rënies së 9 dëshmorëve dhe 34 martirëve, në tubimin ku ishin të pranishëm shumë qytetarë, familjar, zyrtarë komunalë dhe nxënësit e shkollës fillore të Hoçës së Vogël, të cilit në fund recituan vargje kushtuar dëshmorëve dhe martirëve.

Nënkryetari i komunës se Rahovecit, Xhemali Haxhimustafa, tha se rënia heroike e dëshmorëve që i përkujtojmë sot, është shembulli më i mirë se si çlirohet një popull që ka qenë i shkelur me shekuj.

“Për t’i nderuar rëniet heroike të dëshmorëve dhe martirëve të kombit, kemi ardhur këtu nga anembanë komuna jonë të bashkuar nga katër anët, sepse rëniet e këtilla janë dëshmi se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte gjithëpërfshirëse dhe e drejtë. Rënia heroike e dëshmorëve që i përkujtojmë sot, është shembulli më i mirë se si çlirohet një popull që ka qenë i shkelur me shekuj. Liria e Kosovës është një godinë që u ndërtua mbi gjakun e dëshmorëve dhe martirëve. Dëshiroj të përkujtoj se nderimi për dëshmorët dhe martirët e kombit është përgjegjësi institucionale dhe përmbushja e këtyre detyrimeve na bënë të gjithëve më të pasur”, tha Haxhimustafa.

Ai në fund i lutet Zotit që t’i bekoj shpirtrat e atyre që u flijuan për dheun e Kosovës, t’i ruaj dhe t’i mbroj të gjithë ata që sot mallëngjehen për të dashurit e tyre.

Kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës dega në Rahovec, Vajdin Berisha, tha se Anadrinia ishte urë lidhëse drejt kufirit shqiptaro – shqiptar, duke u bërë hambar për zonat e tjera të luftës dhe pikë kyçe e logjistikës.

“Historia e luftërave çlirimtare na ka mësuar se të gjithë ata që nuk i frikësohen vdekjes, e fitojnë pavdekësinë e Kombit shqiptar në të gjitha periudhat të vështira historike ka pasur bijë e bija që nuk janë frikësuar nga vdekja. Pranvera e vitit 1998, ishte periudha që i riktheu kombit shqiptar shkëlqimin, e kjo rrugë që u nis lavdishëm në Prekazin legjendar të Adem Jasharit, përhapi shkëndijat e luftës çlirimtare anekënd Kosovës. Edhe ky përkujtim sot, dëshmon se Anadrinia ishte urë lidhëse drejt kufirit shqiptaro – shqiptar, duke u bërë hambar për zonat e tjera të luftës dhe pikë kyçe e logjistikës”, tha Berisha.

Kurse, në emër të fshatit, foli kryetari i Këshillit Organizativ, Skender Gashi, i cili duke përmendur emrat e dëshmorëve dhe të martirëve, tha se këta ia këputën prangat shqiponjës dhe e bënë të fluturoj e lirë, sepse nuk deshën të jetonin të vdekur, por të jetojnë pas vdekjes.

“Dëshmorët e rënë ishin me të vërtetë sypatrembur, urrenin padrejtësinë dhe shtypjet ndaj kombit të vet. Ngjarja e 2 prillit për fshatin tonë kujton shumëçka, por mbi të gjitha kujton sakrificën sublime që bënë dhe përjetuan edhe fëmijët në djep”, tha Gashi./PrizrenPress.com/

Më Shumë

Nisma Socialdemokrate hap sot fushatën zgjedhore në Prizren

Nisma Socialdemokrate në Prizren ka njoftuar se sot do të mbajë hapjen zyrtare të fushatës zgjedhore në këtë qytet, me një ngjarje publike që...

2005 tiketa dhe 47 aksidente të regjistruara në 24 orët e fundit në Kosovë

Policia e Kosovës ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë evidentuar statistika të rëndësishme lidhur me trafikun dhe rendin publik. Gjatë kësaj periudhe...

Lajmet e Fundit