9.6 C
Prizren
E hënë, 6 Prill, 2026

Vetëvendosje! akuzon Qeverinë për shpërfillje të kërkesave të qytetarëve

Pas skadimit të ultimatumit dyjavor që opozita i kishte dhënë Qeverisë së Kosovës për realizimin e disa kërkesave të saj, Lëvizja Vetëvendosje! ka vlerësuar se Qeveria nuk njeh gjuhën e mirëkuptimit, por atë të presionit.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, Visar Ymeri ka akuzuar të shtunën Qeverinë e Kosovës, e cila sipas tij, jo vetëm që nuk i ka adresuar këto kërkesa, por ka vazhduar me avazin e vjetër duke e forcuar kështu edhe më tej kapjen e shtetit.

“Me këtë, Qeveria po e dëshmon se ajo nuk interesohet fare për interesin e qytetarëve sepse është në funksion të zaptuesve të shtetit. Është bërë mburojë e ruajtjes së profitit të Bechtelit, KEDS-it, Limakut, Devollëve e Elkosit, në dëm të interesit të qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai gjatë një konference për media.

Ymeri theksoi se opozita do të vazhdoj të insistoj për çlirimin e shtetit nga kapja, për krijimin e një mjedisi demokratik në Republikën e Kosovës, të një hapësire që garanton pjesëmarrje të qytetarëve në vendimmarrjen politike e mirëqenien ekonomike.

“Ne do t’i intensifikojmë aksionet dhe veprimet politike për ta realizuar plotësimin e këtyre kërkesave. Kjo Qeveri e kapjes nuk mund të jetë Qeveri e Republikës. Qytetarët e organizuar janë fondamenti i Republikës, dhe vetëm qytetarët e organizuar mund ta çkapin shtetin e bëjnë Republikën”, ka thënë ai.

Ndërsa, nënkryetari i VV-së, Driton Çaushi, tha se koalicioni qeverisës ka vazhduar me neglizhim të skajshëm të interesave të qytetarëve dhe shpërfillje të institucioneve të vendit.

“Asnjë seancë parlamentare nuk është mbajtur tash e dy javë. Këto kërkesa të protestës janë të drejta, legjitime dhe në interes të mirëqenies së qytetarëve. Shpërfillja e qeverisë karshi këtyre kërkesave është shpërfillje e qytetarëve të vendit, dhe rrjedhimisht shpërfillje e interesave jetike të Republikës së Kosovës, dhe tregon qartë se qeveria nuk njeh gjuhën e mirëkuptimit por atë të presionit. Kjo e bën organizimin dhe angazhimin e qytetarëve edhe më të rëndësishëm e të domosdoshëm”, theksoi ai.

Rikujtojmë se opozita ka protestuar me 18 prill në Prishtinë, duke kërkuar plotësimin e pesë kërkesave si: të shfuqizohet vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) i datës 29 gusht 2014 dhe të shkarkohet Bordi i ZRrE-së; “Trepça” të shpallet me ligj ndërmarrje publike me status të veçantë; të shkarkohet ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi; të dorëhiqet kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, të shkarkohet menaxhmenti i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) dhe të ndalohet krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kërkesa këto që Qeveria ka pasur ultimatum t’i plotësoj brenda dy javësh.

Më Shumë

35 aksidente me të lënduar dhe 2,233 tiketa trafiku në 24 orët e fundit

Policia e Kosovës ka publikuar statistikat e përgjithshme të 24 orëve të fundit, ku bëhet e ditur se janë regjistruar 35 aksidente trafiku me...

Komuna e Malishevës hap thirrjen për aplikim për mjete bujqësore

Komuna e Malishevës, përkatësisht Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, në bashkëpunim me organizatën Islamic Relief Kosova, ka shpallur thirrjen për aplikim për...

Lajmet e Fundit