30.8 C
Prizren
E premte, 4 Korrik, 2025

Nexhmije Pagarusha: Me vdekjen e Lilit unë ndihem bosh

Vdekja e bilbilit të muzikës shqiptare – Liliana Çavolli, ka lënë një boshllëk të madh në kulturën shqiptare. Humbja e saj ishte një tronditje e madhe për të gjithë ata që e njohën dhe e dashuruar punën e saj, zërin e saj të mishëruar në meloditë shqiptare. Dikujt i mungon më shumë. Me të ajo ka kënduar disa herë në skena të ndryshme, dhe kur dy zërat janë bashkuar nuk ka pasur vesh e zemër që nuk e ka ndjerë emocionin. Nexhmije Pagarusha, sot, ende e tronditur thotë se lajmin për vdekjen e Cavollit po e përjeton shumë rëndë, duke humbur kështu një mike të shtrenjtë.

“Se sa do të ketë humbje në kulturën tonë me vdekjen e Lilianës, këtë do ta thonë më së miri adhuruesit e muzikës së saj. Mua ajo më së shumti po më mungon, unë tani e tutje do ta kem një mungesë shumë të madhe në shpirt”, u shpreh Pagarusha për KultPlus.

Ajo e pikëlluar tha se për të gjitha të arriturat e Lilit nuk ka as edhe pikë diskutimi, dhe adhuruesit e këngës shqipe do të mund të dëgjojnë zërin e saj përmes incizimeve të shumta që kanë mbetur në arkivat e muzikës, mirëpo mungesa e prezencës së Lilit për Pagarushën është ende e papranueshme.

“Punën e saj, talentin e saj e dijnë të gjithë, adhuruesit e saj prapë do ta dëgjojnë përmes veprave të lëna pas, mirëpo unë nuk do ta shoh më. Nuk e kam menduar humbjen e saj, edhe pse e kam ditur për sëmundjen e saj. Më mirë që ka shkuar më herët sepse nuk do të mund ta shihja me ato dhimbje”, thotë bilbili i muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha.

Nga dhimbja e madhe që kishte për humbjen e mikeshës së saj, Pagarusha nuk kishte mund t`ia jepte as lamtumirën e fundit në varrimin e saj, të dielën në mesditë.

“Mua është dukë më munguar jashtëzakonisht shumë, as në varrimin e saj nuk kam mundur të shkoj, e as që po mund ta mendoj që ka shkuar për gjithmonë. Unë kam qenë e lidhur më ndryshme me të, si kolege, si këngëtare, si motra. Shyqyr që ka lënë shumë incizime, xhirime. Kemi qenë të pandara”, pohon Pagarusha.

Liliana Çavolli vdiq në orët e hershme të së shtunës, në moshën 73 vjeçare, pas një sëmundjeje të shkurtër. /KultPlus.com/

Më Shumë

Shkëlqeu me Prizrenin vjet, Leonard Memaj i bashkohet Drinit të Bardhë

Klubi futbollistik Drini i Bardhë ka bërë përforcimin e radhës për sezonin e ri, duke afruar sulmuesin Leonard Memaj, i cili sezonin e kaluar...

Rock and Blues Festival javën e ardhshme në Prizren

Edicioni i tretë i Festivalit Rock and Blues 2025 do të zhvillohet më 11, 12 dhe 13 korrik në Prizren, duke sjellë një përzgjedhje...

Lajmet e Fundit