Në Gjykatën Themelore të Prizrenit, të premten vazhdoi gjykimi ndaj ish-punëtorit të ProCredit Bank, Abdullah Thaqi, i cili po akuzohet për veprën penale ‘Zbulimi i fshehtësisë zyrtare’.
Shqyrtimi gjyqësor vazhdoi me marrjen në pyetje të përfaqësuesit ligjor të ProCredit Bank, Ramë Bajraktari, i cili u dëgjua në cilësinë e dëshmitarit.
Bajraktarit tha se me të marrë informatën për shkelje të mundshme të rregullave të punës në ProCredit Bank nga punëtori Abdullah Thaqi, banka ka marrë vendim me të cilin i ka ndërprerë marrëdhënien e punës punëtorit në fjalë. Madje tha se ndaj tij banka ka ngritur edhe kallëzim penal.
“Kemi ngritur edhe kallëzim penal kundër të akuzuarit dhe në bazë të të cilit kallëzim penal është duke u zhvilluar edhe kjo procedurë gjyqësore”, tha Bajraktari.
Ai bëri të ditur se arkatari ka mundësi teknike të qasjes në llogari të klientëve, sikurse që ekziston mundësia e printimit të llogarive. Por ai tha se pa prezencën e klientit, qasja në llogaritë e tyre paraqet shkelje për bankën.
“Nuk kam një ankesë formale të parashtruar prej tyre deri më sot, as nuk kam infomacione, megjithatë në bazë të shkrimeve që janë bërë në gazetën Koha Ditore, të njëjtit kanë thënë se do ta padisin bankën për cenim të të dhënave personale”.
Seanca e ardhshme do të vazhdojë me marrjen në pyetje të dëshmitarit të ProCredit Bank, e cila do të mbahet më 10 korrik 2015.
Për më tepër, Abdullah Thaçi akuzohet se më 31 korrik të vitit 2012, derisa ishte në orar të punës në cilësi të personit zyrtar dhe pa pasur autorizim u qaset llogarive bankare të klientëve të kësaj banke Nexhat Çoçajt – drejtor i Arsimit në Prizren dhe Bekim Thaçit – mësimdhënës.
Sipas aktakuzës, ai ka thyer procedurat e aplikueshme bankare, e pikërisht marrëveshjen mbi konfidencialitetin dhe moszbulimin e informacioneve bankare.
Abdullah Thaçi, sipas aktakuzës, gjendjen e llogarive të dy klientëve i futë në një zarf dhe ia dorëzon Lëvizjes “Vetëvendosje”, e cila këto llogari bankare i përdorë për të ushtruar kallëzim penal.
Tani për këtë rast, drejtori i DKA-së në Prizren Nexhat Çoçaj akuzohet për “keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”./Kallxo.com/