10.4 C
Prizren
E premte, 7 Nëntor, 2025

Dëshmitari Arbër Rexhaj e quan politik gjykimin e ish-punëtorit të Bankës “Pro Credit”

Në gjykimin kundër Abdullah Thaçit të akuzuarit për zbulim të fshehtësisë zyrtare dëshmoi Arbër Rexhaj nga Lëvizja “Vetëvendosje”.

Abdullah Thaçi akuzohet se si punonjës i Bankës “Pro Credit” më 31 korrik të vitit 2012 gjatë orarit të punës u ishte qasur pa pasur autorizim llogarive bankare të Nexhat Çoçajt – drejtor i Arsimit në Prizren dhe Bekim Thaçit – mësimdhënës.

Abdullah Thaçi, sipas aktakuzës, gjendjen e llogarive të dy klientëve i fut në një zarf  dhe ia dorëzon Lëvizjes “Vetëvendosje”, e cila këto llogari bankare i përdor për të ushtruar kallëzim penal.

Në këtë kohë kryetar i Lëvizjes “Vetëvendosje” në Prizren ishte Arbër Rexhaj.

Rexhaj gjatë dëshmisë së tij mohoi që Thaçi e dërgoi zarfin në selinë e “Vetëvendosjes”, por tha se këtë zarf e kishte gjetur para derës sekretari i këtij subjekti politik në Prizren.

Pastaj sipas Rexhajt, dokumentet e këtij zarfi ishin shqyrtuar nga ai dhe kolegë tjerë të “Vetëvendosjes” dhe nga këto dokumente ishte parë rrjedhje e mjeteve të shumta në xhirollogaritë e Nexhat Çoçajt e Bekim Thaçit për organizimin e “Javës së Remzi Ademajt”.

“Me ndihmën e juristëve të cilët punojnë në Lëvizjen ‘Vetëvendosje’, kemi hartuar kallëzim penal me ç’rast si kryetar i atëhershëm i Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ në Prizren, unë e kam deponuar (kallëzimin penal) në prokurorinë komunale,” tha Rexhaj.

KALLXO.com-i shkroi në dhjetor 2014 për aktakuzën kundër Nexhat Çoçajt, pjesë e së cilës ishte edhe kallëzimi penal i “Vetëvendosjes”.

Në këtë aktakuzë Çoçaj po ngarkohet për keqpërdorim të detyrës, ose autoritetit zyrtar.

Rexhaj tha se në Lëvizjen “Vetëvendosje” çdo javë vijnë dokumente të ndryshme nga qytetarët, të cilat deklaroi se shpeshherë nuk i deponojnë ngase nuk duan t’i marrin në qafë qytetarët.

Gjykimin ndaj Avdullah Thaçit, Rexhaj e quajti politik.

“Gjykimi i tij është politik, (ka ndërhyrje të prokurorit dhe avokatit), pse politik, e qysh politik, leje more politikën.. mendoj që gjykimi ndaj tij është politik,” tha Rexhaj.

Gjatë seancës pati ngritje zëri e tensione mes avokatit të Bankës “Pro Credit” Florin Vërtopi dhe dëshmitarit.

Vërtopi në një moment shprehu dyshimet se një anëtare e trupit gjykues është e njëanshme pa e dhënë emrin e saj, ndërsa gjykata e detyroi që kjo gjë të futet në procesverbal.

“Është e vërtetë se këtë e kam thënë, mirëpo duke ja shtu fjalën me gjasë, sepse në momentin kur unë të bindem që është i njëanshëm unë do të kërkojë përjashtimin e saj dhe do t’ i drejtohem edhe Këshillit Gjyqësor,” tha avokati Vërtopi.

Ky avokat kërkoi që Rexhaj të sjellë në gjykatë kallëzimin penal dhe transaksionet bankare që i shkuan “Vetëvendosjes” në zarf dhe fill pastaj të merret në pyetje.

Trupi gjykues mori vendim që këto dokumente t’i sjellë prokuroria, pasi Rexhaj i kishte dërguar në prokurori, ndërsa avokati Vërtopi kërkoi që kjo seancë të shtyhet dhe Rexhaj të dëshmojë pasi në gjykatë të vijnë dokumentet.

Seanca e radhës do të mbahet më 20 korrik.

/Kallxo.com/

Më Shumë

Vërmicë: Konfiskohen 25% e parave të padeklaruara të një udhëtari

Në pikën kufitare të Vërmicës, zyrtarët doganorë kanë ndaluar një sasi të mjeteve monetare të padeklaruara që u gjetën në çantën e dorës së...

Drejt përfundimit faza e parë e ujësjellësit për katër fshatra të Prizrenit

Po vazhdojnë me intensitet punimet në kuadër të projektit “Ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit për fshatrat Krushë e Madhe, Piranë, Zojzë dhe Medvec”, që...

Për Fatos Nanon

Lajmet e Fundit