Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj dy të pandehurve, B.H. dhe I.H., të dyshuar për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mosdhënia e ndihmës”.
Sipas njoftimit të Gjykatës, gjyqtarja e procedurës paraprake ka caktuar paraburgim ndaj të pandehurit B.H., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.4 i Kodit Penal, ndërsa ndaj I.H. është caktuar paraburgim për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Mosdhënia e ndihmës” nga neni 188, paragrafi 4, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.
Sipas Gjykatës, nga provat e mbledhura deri në këtë fazë të procedurës, ekziston dyshimi i bazuar se më 29 qershor 2026, rreth orës 23:00, në fshatin Zlipotok të Komunës së Dragashit, i pandehuri B.H., me dashje, ka privuar nga jeta tani të ndjerin G.T.

Në njoftim thuhet se, “Sipas hetimeve të deritanishme, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje të mëhershme ndërmjet të pandehurit dhe viktimës lidhur me shfrytëzimin e një prone (livadhi)”.
Po ashtu, Gjykata thekson se, “I pandehuri B.H., i ka shkaktuar viktimës lëndime me mjet të mprehtë (thikë), si pasojë e të cilave viktima G.T., ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes”.
Lidhur me të pandehurin I.H., babain e të dyshuarit B.H., në njoftim thuhet se ai “dyshohet se, edhe pse ka qenë në afërsi të vendit të ngjarjes dhe ka pasur mundësi të ofrojë ndihmë pa rrezikuar veten apo të tjerët, nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për t’i ofruar ndihmë viktimës, e cila ndodhej në rrezik të drejtpërdrejtë për jetën”.
Gjykata ka theksuar se në këtë fazë të procedurës janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit.
“Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale”, thuhet në njoftim.
Sipas arsyetimit të Gjykatës, paraburgimi është caktuar me qëllim të sigurimit të prezencës së të pandehurve dhe zhvillimit të papenguar të procedurës penale.
Gjykata vlerëson se, “me masën e paraburgimit do të arrihet të sigurohet prezenca e të pandehurve dhe se do të mund të zhvillohen normalisht dhe pa pengesa procedura penale”.
Në arsyetim thuhet gjithashtu se pesha e veprës penale, mënyra e kryerjes së saj dhe rrethanat konkrete krijojnë rrezik të ikjes.
“Duke pasur parasysh peshën e rëndë të veprave penale i dyshuari B.H., në mënyrë mizore apo dinake dyshohet të ketë goditur me thikë në shpinë dhe qafë viktimën ndjerin G.T., po ashtu duke shtuar faktin se i pandehuri është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është gjetur dhe arrestuar nga Policia, për Gjykatën rezulton se me lënien në liri ekziston rreziku i ikjes dhe arratisjes, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale”, thuhet në njoftim
Gjykata ka vlerësuar se masa e paraburgimit është e domosdoshme për mbarëvajtjen e hetimeve, administrimin e provave materiale, marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe të dyshuarve, si dhe për të siguruar prezencën e tyre para organeve të drejtësisë.
Në fund, Gjykata thekson se “masa tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për sigurimin e prezencës së të dyshuarve dhe rrjedhën e papenguar të fazës hetimore”.
Marketing
Realizoni projektet tuaja me BiCredit, partneri juaj i besueshëm financiar në Prizren!
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit
Hapësira me qira në objektet e reja te ‘RENELUAL TAHIRI’ në Prizren
