23.8 C
Prizren
E shtunë, 28 Shtator, 2024

Një prozë e shkurtër dhe e përsosur

Rrafshina në flakë, Juan Rulfo

Nga Beti Njuma, gazetare

Leximet e mia, edhe ato poshtë çadrës, lidhen kryesisht me titujt që prezantoj çdo të diel në “Vitrinën e librit” në Top Channel. Nëse më pyesni për një libër vere, këtë fundjavë do të sugjeroja një shkrimtar që la pas jo më shumë se 300 faqe të shkruara, dhe e ktheu heshtjen e vet në art. Këmbënguli në këtë heshtje letrare për tridhjetë vite, gjer sa mbylli sytë, më 7 janar të 1986-ës, në moshën gjashtëdhjetë e tetë vjeçare. Juan Rulfo i përket asaj kategorie shkrimtarësh për të cilët është thënë thuajse gjithçka, pasi misteri që ka shoqëruar heshtjen e tij u bë shkas për një vorbull të pandalshme hamendësimesh. Këtyre “legjendave” vetë shkrimtari zgjodhi t’u përgjigjet kësisoj: “Për fat të keq më vdiq xhaxha Selerino, ai që më tregonte historitë”, padyshim një justifikim që me gjasë ishte një shaka e përsëritur për të dalë nga situata, përderisa Rulfo nuk kishte xhaxha, dhe Selerino ishte thjesht një trill i tij. Këto ditë është botuar një përmbledhje me veprën e shkrimtarit meksikan, që në fakt përbën vetëm pjesërisht risi në fushën e botimeve. Kjo për faktin se tregimet e Rulfos janë publikuar edhe tri vite më parë në shqip në përmbledhjen “Thuaju të mos më vrasin”, përkthyer nga Urim Nerguti. Kësaj here, shtatëmbëdhjetë tregimet vijnë në një shqipërim të ri, nga Bajram Karabolli, me titullin “Rrafshina në flakë”, të shoqëruara edhe me romanin “Pedro Paramo”. E botuar në 1955, “Pedro Paramo”, e cilësuar si një ndër veprat më të mira të letërsisë hispanike dhe të ashtuquajturit realizëm magjik, është kronika e vdekjes së një prijësi në Komala, nga ku Gabriel Garsia Markez mori cytjen për të shkruar “100 vjet vetmi”. Një premtim bërë së ëmës në shtratin e vdekjes e çon Huanin në fshatin Komala, në kërkim të të atit, Pedro Paramo, një karakter i çuditshëm me torturën e tij të brendshme dhe përçmimin për të tjerët, një personazh që zbulohet dora-dorës në një atmosferë surreale, gjurmët e së cilës i gjejmë tek tregimi “Luvina”. “Të gjithë personazhet janë të vdekur, rrëfimin e tregon një i vdekur që i flet një tjetër të vdekuri, në një dialog mes të vdekurish në një fshat të vdekur. Romancierët e revolucionit nuk janë vetëm kronistë ngjarjesh historike ku ata kanë qenë dëshmitarë. Ata janë sidomos zbuluesit e një letërsie që lind dhe vdes me ta”, shprehej Rulfo në një nga intervistat e rralla që ka dhënë. Revolucioni për të cilin ai flet nuk është vetëm tronditja e madhe shoqërore e 1910-ës, që rrëzoi diktaturën e Profirio Diazit, por edhe drama që ai përjetoi gjatë fëmijërisë së vet, kur i ati iu vra më 1923-in, pas një rebelimi kundër qeverisë federale, më pas tre ungjit dhe më 1927-ën edhe e ëma. Janë këto vitet që lanë një mbresë të pashlyeshme në universin e tij të pikëlluar, të shoqëruar nga vite të errëta depresioni e që ushqyen e frymëzuan prozën e tij të shkurtër por të përsosur, si nga gjuha poetike dhe simbolike ashtu edhe teknika narrative. Duket sikur e tërë vepra e Rulfos ka dalë nga kjo tragjedi e luftës civile që e shtyu të kalojë disa vite në jetimore, në një kohë trazirash politike, në një botë të përçarë e të përndjekur nga vdekja dhe fryma e hakmarrjes, me njerëzim të mbërthyer në një vorbull fatale shkatërruese. “Vetëm një njeri i lindur gjatë kësaj lufte dhe që kishte humbur shumë mund të shkruante një vepër kaq të egër dhe të nevojshme” shprehej për Rulfon në 2008-ën teksa merrte çmimin Nobel Jean-Marie Gustav Le Clezio, që ndër të tjera ia kushtoi çmimin Rulfos dhe veprës së tij.

Më Shumë

Arrestohet Jens Lehmann, dyshohet se voziti i dehur

Ish-portieri i Arsenalit, Jens Lehmann, është ndaluar për shkak të dyshimit se ka vozitur në gjendje të dehur. Lehmann u fotografua duke festuar në festivalin...

Hajnat vjedhin bulonat e anësoreve të rrugës në Suharekë

Të hënën në Bjeshkët e Grejkocit një person ka raportuar që disa persona të panjohur i kanë vjedhur anësoret e rrugës. “Ankuesi mashkull kosovar, ka...

Prizreni pa rivalë

Lajmet e Fundit