Skandali “Zanzi Bar” i njohur tashmë në opinion, i ndodhur më 2009, kur PDK e kishte “kumtuar” lajmin për prishjen e koalicionit me LDK-në, për shkak se Isa Mustafa atë kohë zhvillonte një fushatë të ashpër kundër krerëve të partisë më të madhe në vend, duket të jetë përsëritur sërish të mërkurën.
Mirëpo, kësaj radhe, kanë ndryshuar vetëm aktorët dhe mënyra se si është dhënë lajmi.
Për dallim nga hera e parë, ku PDK u mblodh në gjysmë të natës për ta dhënë lajmin për prishjen e koalicionit përmes medieve, dhe ku zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi e kishte njoftuar edhe kolegun e tij, Ramë Manaj me një SMS për këtë veprim, të mërkurën, ishte Adem Grabovci, i cili ia bëri të qartë “pasojat” “homologut” të tij Ismet Beqiri.
Gazeta Blic ditën e djeshme ka raportuar se si Adem Grabovci i ka kërkuar takim urgjent Ismet Beqirit për largimin e disa njerëzve të PDK-së nga ATK-ja dhe zëvendësimin e tyre me ata të LDK-së. sipas burimeve të Gazetës Blic, Grabovci ka qenë shumë i qartë, që të ndalet ky trend, ose në të kundërtën, do ta rrëzojnë Isa Mustafën nga posti i kryeministrit.
“Nëse do të veproni kështu, do ta votbesojmë qeverinë”, mësohet t’i ketë thënë Grabovci Ismet Beqirit.
Takimin me Ismet Beqirin sot e ka konfirmuar për Gazetën Blic vetë Adem Grabovci, mirëpo nuk ka dashur që të jap detaje se çka ka ndodhur apo çka është biseduar në këtë takim.
“Jo vetëm Ismet Beqirin, por do ta takojmë secilin që është nevoja, në të mirë të funksionimit të koalicionit”, ka thënë ai.
Ai i ka thënë Gazetës Blic se me disa shkarkime që kanë bërë ministrat e LDK-së kanë bërë shkelje të rëndë të ligjit.
“Ne jemi ankuar për këto veprime. Ata kanë bërë shkelje të rëndë të ligjit dhe presim që të bëjnë korrigjime. Thjesht, janë shkarkuar disa njerëz profesionistë dhe janë zëvendësuar me ata partiak”, ka thënë Grabovci.
Megjithatë, Grabovci ka thënë se ata nuk presin se mund të vij deri të përfundimi i këtij koalicioni për shkak të këtyre veprimeve të fundit. “Presim përmirësimin e këtyre veprimeve jastëligjore të LDK-së”, ka thënë Grabovci.
Në anën tjetër, një deputet i LDK-së në kushte anonimiteti i ka thënë Gazetës Blic se PDK ia ka bërë të qartë LDK-së se nëse vetëm një njeri i tyre do të shkarkohet pa lejen e tyre, atëherë ata do ta prishin edhe qeverinë.
“Thjeshtë, ajo që ka ndodhur të mërkurën është një Zanzi Bar 2. PDK e ka shantazhuar haptas LDK-në, që ose do të bëni si të dojmë ne, ose vendi do të shkoj në zgjedhje të reja”, ka thënë ky deputet, i cili ka dashur të mbes anonim.
Sipas këtij deputeti, PDK ngjashëm ka vepruar edhe në kohën kur kanë bashkëqeverisur PDK- LDK, 2007-2010. “Edhe në atë kohë, PDK në vazhdimësi e ka shantazhuar LDK-në me prishje të koalicionit, nëse ata nuk do t’i binden politikave kadrovike të PDK-së. Kjo do të ndodh derisa PDK do ta konsideroj të nevojshme dhe moment të duhur për ta çuar vendin në zgjedhje”, tha ky deputet.
Mirëpo, Grabovci ka thënë se ata në asnjë mënyrë nuk po e shantazojnë LDK-në, por thjesht po kërkojnë korrigjime nga ministrat e LDK-së.
Ndërkohë, Ismet Beqiri për ORAinfo ka thënë se punën e ministrave mund ta vlerësojnë vetëm partnerët e koalicionit dhe kryeministri Mustafa.
“Nuk komentoj deklaratën e z.Grabovcit. Partneret e koalicionit kanë një marrëveshje. Puna dhe funksionimi i Qeverisë vlerësohet nga partneret e koalicionit, kurse përformanca e ministrave nga partnerët e koalicionit dhe Kryeministri”, ka thënë Beqiri.
Përpos në ATK ku u ndërruan më shumë dhjetë zyrtar, duke u zëvendësuar me njerëz të LDK-së, edhe në Ministrinë e Kulturës, atë të Tregitisë dhe të Industrisë ka luftë të ashpër ndërmjet PDK-së e LDK-së se kush të çoj sa më shumë njerëz të jetë e mundur./ Gazeta Blic