Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha
Kosova e dërrmuar nga pushteti i administrimit ushtarak do të arrijë në Kuvendin e Prizrenit, që është mbajtur më 8-10 korrik 1945 në qytetin e Prizrenit. Ky kuvend duhet theksuar se nuk ishte as i pari e as i fundit, i cili solli vendime që Kosova të aneksohej nga Serbia e Jugosllavia. Aneksimi nga kjo njësi federale kishte filluar qysh më herët, ndërsa nga ky Kuvend pushtetarët jugosllavë kërkonin formalisht vetëm një “verdikt të popullit”.
Në shkurt të vitit 1945, në KQ të Partisë Komuniste Jugosllave, është organizuar një mbledhje, në të cilën, përveç debateve të tjera, është folur edhe për Kosovën dhe statusin e ardhshëm të saj. Nga e tërë kjo doli se zgjidhja më e mirë dhe më e drejtë ishte: “Kosova e Metohija t’i bashkohen Shqipërisë, kurse Shqipëria të hyjë në federatën jugosllave por, meqenëse rrethanat ndërkombëtare nuk ishin të favorshme për një hap të tillë, Kosova e Metohija duhet t’i bashkohen Serbisë”. Kishte edhe aso propozime që Kosova t’i takojë vetëm Malit të Zi, ngaqë kishin një “histori të ngjashme” dhe një mentalitet të përafërt me shqiptarët.
Në dokumentet e Kuvendit Antifashist të Çlirimit Kombëtar të Serbisë, që u mbajt më 7-9 prill të vitit 1945 në Beograd, thuhej se nga Kosova merrnin pjesë si mysafirë: Dushan Mugosha dhe Mehmet Hoxha, të cilët në seancë kishin diskutuar dhe sipas dokumentit thuhej se kishin shprehur “dëshirën” në emër të popullit të Kosovës, që “Kosova të jetë nën Serbinë federale”.
Nga këto diskutime që u bënë në Beograd, mund të konkludohet se Kosova iu bashkua Serbisë në mënyrë arbitrare, në bazë të diskutimeve që u bënë nga dy mysafirë, e dihej në bazë të dokumenteve, se Kosova dhe populli i saj asnjëherë nuk diskutuan, nuk u pyetën dhe nuk votuan që ajo të ngelë në kuadrin e Serbisë Federale.
Për të qenë “çdo gjë në rregull dhe e ligjshme”, Serbisë dhe Jugosllavisë iu nevojit edhe ana formale për ta marrë “pëlqimin e popullit në një Kuvend”, sado formal që të jetë, meqë para opinionit të gjerë donte ta justifikonte tradhtinë e menduar me aq dinakëri. Kjo gjendje e saj u legjitimua më 10 korrik 1945, në Kuvendin që në popull më tepër njihej si Kuvendi i Prizrenit.
“Kuvendi i Prizrenit” ishte një tubim i një trupi jo të zgjedhur nga populli dhe në të kanë marrë pjesë 137 delegatë dhe të ftuar të tjerë, nga të cilët vetëm 32 ishin shqiptarë. Në të nuk kishin marrë pjesë përfaqësuesit e Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë dhe të aleatëve të tjerë të luftës, që do të ishin garantë se, pas përfundimit të luftës, çështja e Kosovës do të zgjidhej në bazë të dëshirës dhe vullnetit të lirë të popullsisë shumicë. Siç dihej, në këtë tubim u miratua Rezoluta, që në një mënyrë mund të quhej dokumenti i parë zyrtar që legjitimoi aneksimin e saj nga Serbia. Po citoj: “Kuvendi Popullor Krahinor i Kosovës dhe i Rrafshit të Dukagjinit deklaron, unanimisht, se popullsia e kësaj Krahine, si edhe të gjithë popujt e Jugosllavisë, nuk e kanë pranuar copëtimin e Krahinës së vet, që kanë bërë okupatorët, as copëtimin e Jugosllavisë, dhe shfaq dëshirën e tërë popullsisë së Krahinës, që kjo t’i bashkohet Serbisë Federale si pjesë përbërëse e saj…”.
Sipas të dhënave, thuhej se rreth rezolutës dhe përmbajtjes së saj nuk u hap ndonjë debat. Shumë pak delegatë diskutuan në mbledhje. Ata që ishin dhe shprehen pakënaqësinë dhe kundërshtimin e bashkimit me Serbinë, më vonë, patën pasoja të mëdha. Ata u përcollën nga organet e OZN-së, më vonë të UDB-së, u arrestuan, u dënuan me vite të shumta burgu. Bile, disa nga ata, edhe u likuiduan fizikisht.
Më 8-10 korrik 1945 Kosova edhe zyrtarisht do të aneksohej nga Serbia. Me aprovimin e Rezolutës nga Kuvendi Federativ, më 23 korrik 1945, dhe nga ai serb, më 1 shtator 1945, çështja e Kosovës do të konsiderohej si çështje e mbyllur. Pavarësisht se gjatë luftës ishin marrë shumë vendime dhe ishin bërë shumë marrëveshje për vetëvendosjen sipas vullnetit të popullit ato, më vonë, jo vetëm që nuk u respektuan, por në mënyrën më të vrazhdë u shkelën dhe u quajtën vendime armiqësore.
Një zgjidhje e tillë e çështjes “me dëshirë të vet popullsisë së Kosovës” ishte kundër logjikës së karakterit objektiv të strukturës kombëtare të Kosovës dhe të hapësirës së gjerë e, me vazhdimësi të shumicës etnike shqiptare në Ballkan. Kjo jo vetëm se nuk mbyllte historikisht problemin e Kosovës dhe atë shqiptar, por e rihapte këtë çështje në mënyrë virtuale në kontekst të ri historik. E tërë kjo që pasoi, ndikoi që forcat nacionaliste në Kosovë të reagojnë ashpër për vendimet që solli kuvendi në mënyrë arbitrare.
Aneksimi i Kosovës nga Serbia do të shohim më vonë se ishte vetëm një pjesë e padrejtësive që u bëheshin shqiptarëve në Jugosllavinë komuniste, sepse çështja e Kosovës nuk ishte krejt çështja shqiptare. Padrejtësinë që i bëhej popullit shqiptar në Jugosllavi e rëndonte edhe më tepër copëtimi i trevave, në të cilat shqiptarët ishin popullatë e vetme apo shumicë dërrmuese në tri republika jugosllave: si në Republikën e Serbisë, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi. Kosova jo vetëm që u shkëput nga trungu amë, por asaj iu shkoqën jo vetëm trevat e banuara kryekëput ose kryesisht me popullatën shqiptare në Maqedoninë Veri-Perëndimore dhe në Mal të Zi, por edhe Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, në të cilat shqiptarët ishin shumicë dërrmuese.
Në mbarim të vitit 1945, menjëherë pas mbarimit të luftës, të gjitha problemet, ë lidheshin me Kosovën dhe të ardhmen e saj, u shtruan dhe u tentuan të zgjidhen në kuadër të Jugosllavisë së Titos. Gjatë luftës udhëheqësit e PKJ-së kishin premtuar, ishte folur e shkruar se pas saj (luftës) do të respektohet Deklarata e Moskës, Karta e Atlantikut, Deklarata e Teheranit, Letra e Titos e botuar në gazetën “Proleter”, Rezoluta e Bujanit e shumë dokumente të tjera me rëndësi historike.
Në Jugosllavi, në fund të luftës, deklarohej se kriteri kombëtar do të vihej në themel të ndarjes territoriale dhe administrative të vendit. Por, pas përfundimit të saj, këto kritere për pushtetin jugosllav nuk ekzistonin dhe, si të tilla, nuk u morën parasysh.
Aneksimi i Kosovës në Serbinë Federale shënon manovrimin më dinak sllavo-komunist dhe fillimin e një tragjedie të re për shqiptarët këndej kufirit. Shqiptarët e Kosovës, edhe përkundër sakrificave të mëdha që bënë në luftën antifashiste, nuk përfituan nga rasti në përmbushjen e ëndrrës së tyre të çlirimit kombëtar. Ata, pas legalizimit të ripushtimit në Kuvendin e Prizrenit, u detyruan të ndiqnin një politikë më ndryshe dhe më të pranuar në kohë e hapësirë. Se lufta për çlirim dhe për të ardhmen e tyre kombëtare nuk do të pushojë, natyrisht me forma të reja, të imponuar nga situatat e krijuara.
Ato forca nacionaliste dhe ata patriotë, që kishin luftuar gjatë tërë kohës për një Shqipëri etnike, pas kësaj që ndodhi, vendosën që në mënyrë të organizuar, legalisht, por edhe ilegalisht të luftojnë dhe të veprojnë për bashkimin e tokave shqiptare. Ata u detyruan t’i kërkonin përkrahjen, mbështetjen dhe bashkëpunimin e forcave demokratike në vendet perëndimore. Ilegalja shqiptare, duke e parë se tokat shqiptare po rrëshqitnin në prehrin sllav, filluan organizimet për t’iu kundërvënë qëllimeve gllabëruese të tyre. U formuan shumë organizata patriotike shqiptare, e që manifestoheshin sidomos pas vitit 1944 dhe në fillim të vitit 1945. Në këto vite nga populli i okupuar formohen organizatat më të fuqishme nacionaliste siç ishin: Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare, Besa Kombëtare, Organizata nr. 2 dhe Këshilli i të Dymbëdhjetëve e disa të tjera më pak të njohura.
Pas aneksimit të Kosovës për popullin shqiptar filloi një etapë e errët, një kalvar i vërtetë. Filluan përsëri masakrat masive mbi popullatën e pafajshme dhe likuidoheshin patriotët dhe intelektualët e paktë. Në Drenicë, në Gjilan, në Ferizaj dhe në shumë vende të tjera të Kosovës bëhej gjenocid i vërtetë. Fundja, të gjitha masakrat që ua bënë shqiptarëve ishin të legalizuara nga organet shtetërore, që si bazë u shërbenin “Naçertania” e Garashaninit, elaboratet e I. Andriqit, I. Vukotiqit, të Vasa Çubrilloviqit, të cilat vazhduan të zbatohen me përpikëri si dhe projekte të tjera gjenocidale të mëvonshme.
Dhe krejt në fund, duhet theksuar se viti 1945 tek populli shqiptar do të kujtohet si viti më i përgjakshëm në historinë e Kosovës, sepse do të pushkatohen disa dhjetëra mijëra veta, shumë të tjerë do të zhduken pa gjurmë, mbi 30 mijë do të futen në burgje dhe do të vendosen në kampe, qindra mijëra të tjerë do të marrin botën në sy e shumë të tjerë do të vriten jashtë Kosovës. Të gjitha këto do të bëhen nën maskën e njëfarë “Vëllazërim-bashkimit” iluzor dhe të tëra këto padrejtësi krijuan tek shqiptarët pakënaqësi dhe nën këtë trysni të vazhdueshme në mënyrë të organizuar, populli shqiptar artikuloi qëllimet e kërkesat e veta parësore e supreme të cilat kishin: Çlirimin e Kosovës dhe bashkimin me shtetin amë – Shqipërinë.
(Kumtesë shkencore e lexuar në konferencën “Ripushtimi jugosllav i viseve shqiptare dhe Lufta e Drenicës 1944/45”, organizuar nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, 30 tetor 2015)