Ministria e Arsimit është udhëhequr nga politikanë të papërgjegjshëm e njerëz joprofesionistë
Lidershipi korruptiv, skandalet, aferat, e degraduan sistemin arsimor
“Rritja e cilësisë në arsim dhe reformat rrënjësore për ta vënë arsimin në binarë nuk varen nga një ministër, edhe po të ishte ai ministër më i duhuri dhe më i ndershmi, por kjo varet nga vullneti i mirë i politikës dhe lidhet direkt me ‘peshqit e mëdhenj’ të politikës, të cilët qëllimisht e kanë sjellë në këtë derexhe arsimin”, thotë analisti Faik Krasniqi
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, që kur është themeluar e gjer te mandati i Ramë Bujës, është udhëhequr nga ministra që nuk kanë ditur të menaxhojnë me arsimin. Nëse sot gjendja në këtë sektor, cilësia, infrastruktura lë për të dëshiruar, faji kryesisht bie mbi ish- ministrat, duke u nisur nga Rexhep Osmani, i cili ka vënë themelet mbrapsht në këtë ministri, për të vazhduar me Agim Veliun, i cili ka qenë ndër ministrat më të dobët që ka pasur arsimi, ndërsa për të kulmuar te njeriu i eksperimenteve Enver Hoxhaj, i cili ka bërë shumë veprime të dëmshme në arsim, duke nisur nga keqpërdorimi i fondit me tekste shkollore, loja me klasën e 13-të, e deri te ndërtimi i shkollave në mënyrë të pakontrolluar.
As në mandatin e ishministrit Ramë Buja, gjërat jo vetëm që nuk u përmirësuan, por u bënë edhe më kaotike. Kur e dorëzoi mandatin te ministri i tanishëm Arsim Bajrami ai, duke qeshur, pohoi se në dorë po ia lë pataten e nxehur, duke pranuar kështu degradimin e madh arsimor. Duke parë këtë kronologji të qeverisjes së dështuar dhe të politikanëve që kanë udhëhequr arsimin, është e qartë se ish-ministrat u vunë në këtë pozitë jo për ta zhvilluar, por për ta rrënuar arsimin../kosova sot/