0.3 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Monumentet në kryeqytet, të lëna pasdore

ZahirPajaziti-bustiPërkujdesja e Komunës ndaj përmendoreve apo shtatoreve të personaliteteve historike, si Skënderbeu, Nëna Terezë, apo edhe Zahir Pajaziti, të cilat janë të vendosura në Sheshin qendror të kryeqytetit apo edhe ato në pjesë të tjera, lë shumë për të dëshiruar. Në këtë kohë kur fluksi i qytetarëve dhe i turistëve, sidomos bashkatdhetarëve, është duke u shtuar, një nga vendet atraktive për t’u vizituar dhe për të marrë kujtime nga kryeqyteti janë përmendoret e heronjve, të cilat, në të shumtën e rasteve, janë të përfshira nga pluhuri me njolla të ndryshme nga jashtëqitja e zogjve, apo edhe ambiente të parregulluara përreth tyre.

Madje, shpeshherë, janë vetë ata që dëshirojnë të marrin foto para këtyre përmendoreve që pastrojnë hapësirat përreth apo edhe rregullojnë kurorat afër tyre para se ta shkrepin aparatin. Përveç kësaj, një e metë tjetër e këtyre përmendoreve është se ato janë të vendosura në hapësira aspak të përshtatshme.

Kështu mendojnë përfaqësues të opozitës në kryeqytet. Sipas tyre, përveç pastrimit, i cili nuk bëhet si duhet, monumentet aktuale janë mjaft të varfra në aspektin artistik dhe aspak bashkëkohore. Ndërsa zyrtarë komunalë kanë thënë për “Kosova Sot”, se mirëmbajtja dhe kujdesi komunal për shtatore dhe përmendoret në kryeqytet është në nivel të kënaqshëm dhe bëhet sipas një plani të bërë nga Drejtoria e Shërbimeve Publike.

Mungon mirëmbajtja e duhur
Lirak Çelaj, që drejton Kabinetin e Qeverisjes së Mirë për Prishtinën, në një prononcim për “Kosova Sot”, ka thënë se Komuna nuk është duke bërë mirëmbajtjen e shtatoreve si do të duhej. Sipas tij, ato janë një pikë mjaft e rëndësishme reference jo vetëm për qytetarët kryeqytetas, por edhe për turistët dhe sidomos bashkatdhetarët. “Mirëmbajtja nuk është duke u bërë në nivelin që duhet dhe nuk kam vërejtur se ato janë duke u pastruar si duhet”, ka pohuar Çelaj.

Por, sipas tij, shumë më brengosëse është përkushtimi i Komunës ndaj shtatoreve të heronjve të vendosur në hapësirat e kryeqytetit. Përveç kualitetit dhe nivelit artistik që nuk është si do të duhej të ishte, për Çelajn mjaft e gabuar është edhe vendosja e tyre, sidomos e shtatoreve që janë të vendosura në Sheshin “Nëna Terezë”. “E gabuar është mënyra se si janë vendosur ato përmendore në kryeqytet. Përmendorja e “Nëna Terezës”, ajo e Zahir Pajazitit, por edhe e Skënderbeut janë futur në skuta. Ato do të duhej të ishin më në qendër”, ka thënë ai, duke shtuar se edhe përzgjedhja e shumicës së modeleve të këtyre shtatoreve që janë të vendosura në hapësirat e kryeqytetit është dashur të ishin më të mira. Çelaj ka thënë se përmendoret janë pikë e rëndësishme reference, andaj ato do të duhej të ishin më të rregulluara, të mbajtura pastër dhe të vendoseshin në një vend më të përshtatshëm, në qendër të sheshit, dhe siç ka thënë ai, Komuna është dashur që me kohë ta bëjë përzgjedhjen sa më bashkëkohore të tyre.

“Shumica e monumenteve tona u ngjasojnë atyre surrealiste, të një periudhe të tejkaluar dhe nuk janë aspak bashkëkohore, janë të thjeshta dhe më shumë u ngjasojnë atyre të varrezave”, ka thënë Çelaj, duke shtuar se ato janë bërë ad hok, pa ndonjë vëmendje të veçantë dhe në shumicën e rasteve, pa ndonjë kriter.

Komunarët, pastrimi sipas orarit
Njëjtë është shprehur edhe Arbënor Dehari, sekretar i Qendrës së “Vetëvendosjes” për Prishtinë. Sipas tij, përmendoret në kryeqytet nuk janë duke u mirëmbajtur si duhet dhe janë të lëna pasdore. “Ky moskujdes ndaj shtatoreve të heronjve është një mosrespekt ndaj vetë figurës së tyre dhe kontribut të tyre”, ka thënë Dehari për “Kosova Sot”. Po sipas tij, edhe vendosja në hapësira e kryeqytetit është e gabuar dhe është bërë pa pasur konsultime serioze me ekspertë të fushës.

Ndërsa zyrtarë nga Komuna e Prishtinës janë shprehur se çdo gjë është në rregull dhe mirëmbajtja e shtatoreve kryhet sipas një orari të paraparë nga organet komunale. Burbuqe Thaçi, përgjegjëse për protokoll nga kabineti i kryetarit të Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, në një prononcim për “Kosova Sot”, është shprehur se në kuadër të projektit për mirëmbajtjen e përmendoreve, krojeve dhe fontanave në kryeqytet bëhet mirëmbajtja dhe pastrimi i tyre, sipas orarit që është caktuar nga Drejtoria e Shërbimeve Publike. “Mirëmbajtja bëhet edhe përreth tyre, ndërkohë persona të papërgjegjshëm mund të hedhin mbeturina, por që ato në momentin qe vërehen edhe largohen”, ka thënë Thaçi.

Më Shumë

192 vjet nga lindja e prijësit ushtarak Haxhi Zeka

Haxhi Zekë Byberi, i njohur si Haxhi Zeka, ka qenë ndër organizatorët e Lidhjes së Prizrenit dhe përkrahës i krahut autonomist të saj, drejtues...

Aktakuzë ndaj disa personave për tentimvrasje në Krajk të Prizrenit

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër disa personave lidhur me një rast të tentimvrasjes që ka ndodhur më 22 maj në fshatin...

Lajmet e Fundit