3 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Ritmi i ngadalësuar i bisedimeve me Serbinë

Thaci_Dacic_Ashton5-21Grupet punuesë të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, janë duke vazhduar takimet e tyre në Bruksel.

Ata do të diskutojnë të hënën dhe në ditët në vijim lidhur me rolin e OSBE-së në organizimin e zgjedhjeve lokale, me theks të veçantë në komunat në veri të Kosovës.

Dren Zeka, këshilltar politik i zëvendëskryeministres Edita Tahiri, tha për Radion Evropa e Lirë se veç rolit të OSBE-së në organizimin e zgjedhjeve më 3 nëntor, në veri, do të diskutohet edhe për çështjen e Menaxhimit të Integruar të Kufirit (IBM).

“Bisedimet janë duke vazhduar, do të thotë po flasim për zbatimin e marrëveshjes për planet operacione, dinamikat, afatet kohore e kështu me radhë. Sot është duke u mbajtur takim i grupit punues për zgjedhjet, janë disa detaje të cilat po bisedohen me OSBE-në”.

“Po ashtu nesër do të takohemi për çështjet e IMB-së, ku do të shihet ecuria e zbatimit të kësaj marrëveshjeje, e cila është arritur më herët dhe do të provohet që të avancohet zbatimi i saj. Dialogu nuk është bllokuar, por është duke vazhduar”, tha Zeka.

Bisedimet në nivel kryeministrash, si dhe ato në nivele teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, është thënë se do të jenë intensive gjatë gjithë verës.

Baronesha Catherine Ashton pati kërkuar nga të dyja palët që t’i zbatojnë zotimet e marra me marrëveshjet e arritura.

Nga ana tjetër, njohësit e zhvillimeve politike në Prishtinë, konsiderojnë se ritmi i punës në këto bisedime ka rënë.

Analisti Imer Mushkolaj tha se pasi që Brukseli zyrtar i ka dhënë afat kohor Beogradit për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE, dhe Kosovës fillimin e negociatave për MSA, ka rënë dhe interesi për vazhdimin e dialogut në mënyrë intensive.

“Dialogu, qoftë politik në mes të dy kryeministrave, qoftë ai teknik, ka ngecur. Natyrisht se Beogradi mund ta përdorë si arsyetim mbase moszbatimin e pikave të marrëveshjes si pasojë e moszbatimit të Ligjit për Amnisti, gjë që përmendet edhe nga Qeveria e Kosovës. Mirëpo, në anën tjetër ne po shohim se nuk po ka rezultat as nga takimet e nivelit të lartë. Besoj se një arsye për këtë është edhe koha, në të cilën gjendemi, e kam fjalën në kohën e pushimeve në Bruksel”, vlerësoi Mushkolaj.

Ndërkaq, takimet e grupeve punuese Mushkolaj nuk i sheh dhe aq të rëndësishme, edhe pse, sipas tij, ka shumë gjëra për të cilat duhet të diskutohen.

“Në këtë rast, nëse liderët politikë nuk arrijnë të merren vesh për një çështje të caktuar, atëherë grupet punuese nuk kanë edhe pse të takohen. Pavarësisht që ka shumë detaje dhe shumë gjëra të tjera, të cilat opinioni nuk i di dhe ne, në fakt, nuk i dimë se si zhvillohen në praktikë, mirëpo prapë se prapë po them duhet dhënë sinjale nga liderët politikë në mënyrë që grupet punuese të vazhdojnë punën, të arrijnë marrëveshje praktike për zbatimin e të gjitha pikave në terren”, u shpreh Mushkolaj.

Ndryshe, takimi i 24 korrikut ndërmjet kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq ka përfunduar pa marrëveshje konkrete. Tema e takimit të fundit kanë qenë zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Kryeministri Thaçi e kishte vlerësuar pozitivisht fazën e deritashme të zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e raporteve me Serbinë.

Ai kishet deklaruar se strukturat paralele të sigurisë në veri të Kosovës po pushojnë së funksionuari, përfshirë edhe ato të drejtësisë.

Më Shumë

Nënshkruhet marrëveshja Kosovë-Shqipëri për Lojërat Mesdhetare 2030

Kryeministri Albin Kurti dhe homologu i tij shqiptar Edi Rama në emër të qeverive respektive nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit për organizimin e Lojërave...

Besëlidhja fiton ndaj Bashkimit

Besëlidhja ka shënuar fitore ndaj Bashkimit me rezultat 81:77 (19:20, 29:15, 19:19, 14:23), në javën e parë të Ligës Unike. Më të mirët te vendasit...

Lajmet e Fundit