8.5 C
Prizren
E mërkurë, 22 Prill, 2026

LDK, mos u fsheh!

Shkelqim Hysenaj

Hedhja e gazit të parë lotsjellës, që çoi në bllokimin e punimeve të Kuvendit, këtu e gjashtë muaj më parë, gati nga të gjithë dhe sidomos nga ata të koalicionit PDK-LDK u parodizua pa fre. Asnjë prej tyre nuk do ta besonte se ajo që nisi si një gjetje e çastit do të paralizonte Parlamentin edhe pas gjashtë muajsh. Asnjë prej tyre nuk do ta besonte se gazi lotsjellës do të ishte “eureka” e opozitës, leva që kërkonte Arkimedi.

Ashtu siç nuk e ka besuar asnjë, se gazi do të jetë po aq i “fortë” sa dhe pozicionet fort të kundërta që krijuan mes tyre partitë politike në vend. Të gjendur në këtë situatë pa rrugëdalje, Thaçi-Mustafa u detyruan që ta ndërrojnë mënyrën e qëndrimit ndaj opozitës, tashmë duke u përpjekur që qytetarëve t’ua shesin idenë e pavlerë të dialogut në spektrin politik. Kryeministri, Isa Mustafa, që s’u votua as nga deputetët e partisë së tij, ka harruar shumë shpejt veprimin dinak për prishje të koalicionit VLAN.

Çdo thirrje që vjen nga ai për opozitarët është e pasinqertë dhe në këtë grackë nuk duhet të rrëshqasë asnjë nga liderët e opozitës. Ata duhet t’i thonë “Jo” dialogut, për faktin se Isa Mustafa i mashtroi të gjithë. Mashtroi deputetët, simpatizantët, votuesit e LDK-së, të “Vetëvendosjes”, të “Nismës” dhe të AAK-së. Si për çudi gjatë seancës së fundit, pasi opozita hodhi gazin lotsjellës në sallë, u panë fare pak deputetë të LDK-së, të mos flasim për ministrat dhe përfaqësuesit e tjerë të këtij subjekti.

Ndonëse janë në pushtet dhe udhëheqin me Qeverinë ata u larguan duke e lënë PDK-në të përballet e vetme me opozitën. Kryeministri, ministri i Brendshëm e as ai i FSK-së nuk u dukën gjatë kohës gjersa situata u tensionua brenda sallës në Kuvend. Isa Mustafa është i vetëdijshëm se në këto rrethana nuk do të mundë të çojë përpara asnjë nga planet dhe agjendat e tij, madje as atë të zgjedhjes së Thaçit president.

Frika nga rënia e Qeverisë e ka shtyrë partinë e Isa Mustafës që të bëjë fushatë për Hashim Thaçin, në mënyrë që të bëhet president. Isa Mustafa s’u ndal së foluri se si ai do t’i sigurojë votat për Presidencën e Hashim Thaçit, dikur por dhe tani, kundërshtarit më të madh politik që ka pasur LDK-ja. Si për të na mashtruar edhe në çështjen e presidentit, kryeministri u mundua vazhdimisht ditët e fundit ta lidhte me agjenda evropiane, ligje që duhen miratuar, por kjo gjë mbetet vetëm një sajesë. Kryeministër, mos na lodhni me agjenda evropiane! Zgjedhja e presidentit për ju është prioritet.

Por, a do t’ia arrijë ta zgjedhë Mustafa Thaçin president. Jo! Këtë do të mundë ta bëjë vetëm në salla alternative ose me përjashtimin e të gjithë deputetëve opozitarë. Mustafa që i mëshon fort argumentit se në Kuvend palët duhet të sillen institucionalisht, si mund të kërkojë ta zgjedhë president “armikun” e betuar të LDK-së pa praninë e ligjvënësve opozitarë.

Çfarë duhet të bëjë LDK-ja?

Duhet të dalë kundër partnerit të koalicionit. Në të kundërtën do të jetë i destinuar që në zgjedhjet, të cilat me gjasë nuk do të vonojnë, do të jetë parti e dorës së dytë. Mustafa duhet të fillojë të luajë “lojën” e Hashimit, i cili për të ruajtur pushtetin e tij dhe të partisë së tij përdor çdo skenar të mundshëm. Në këto kushte, LDK-ja mund të nisë e vetme diskutime me partitë e tjera politike, por, pse jo, nëse kjo gjendje s’ka përfundim, edhe të dalë nga koalicioni dhe të çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.

LDK-ja duhet të jetë më e guximshme sepse edhe nëse nuk arrin ta zgjedhë Hashim Thaçin president, në çdo skenar tjetër do të mbesin pa pushtet./zeri/

Më Shumë

105 vjet nga çelja e punimeve të parlamentit të parë shqiptar

Procesi i parë zgjedhor në Shqipëri zgjati disa muaj dhe më 21 prill të vitit 1921 u hapën punimet e Këshillit Kombëtar, parlamentit të...

Prizreni do të organizojë për herë të parë Festivalin e Kampingut, mbi 200 kamperë do të marrin pjesë

Prizreni pritet të shndërrohet në një nga destinacionet më të rëndësishme të turizmit aventurier në rajon, me organizimin për herë të parë të Festivalit...

Lajmet e Fundit