21.7 C
Prizren
E martë, 24 Qershor, 2025

Tri dorëheqjet e Ramush Haradinajt

Ramush Haradinaj është larguar nga dy mandate deputeti dhe nga pozita e kryeministrit. Dy dorëheqje i ka ofruar për shkak të akuzave për krime lufte. Të tretën për “gjendjen e krijuar në Kosovë”.

Për pesëmbëdhjetë vjet karrierë politike, Ramush Haradinaj ka dhënë tri herë dorëheqje. Herën e parë nga pozita e kryeministrit. Të dytën dhe të tretën nga pozita e deputetit.

Ai mund të cilësohet si lideri më fatkeq sa i përket posteve politike.

Seanca e fundit e liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës si deputet, është ajo e së premtes. Gjatë kësaj seance përjetoi tërheqjen zvarrë të kolegëve të tij opozitar nga Policia e Kosovës për shkak të hedhjes së mjeteve të klasifikuara si armë – gazit lotsjellës në Kuvend.

“Në mandatin tim prej deputeti, jam munduar që të ngre shqetësimet e mia serioze për çështje me interes për vendin, duke përfshire edhe gabimet që po bëheshin me nënshkrimin e dy marrëveshjeve kontestuese, Demarkacionin dhe Asociacionin, por jam injoruar nga uzurpatorët e pushtetit e të Kuvendit”, ka thënë Haradinaj në arsyetimin e dorëheqjes.

“Pikërisht si rezultat i një injorimi të tillë dhe e një papërgjegjësie ekstreme të pushtetarëve të këtij vendi, e vetmja rrugë veprimi e imja si deputet, kishte mbetur logjika e kundërshtimit me gaz”.

Ai i liroi vendin Ali Berishës në Kuvendin e Kosovës.

Haradinaj ka dhënë dorëheqje edhe në vitin fillim të vitit 2008 nga pozita e deputetit. Asokohe ndodhej në Gjykatën e Hagës në rigjykim për krime lufte që supozohej se kishte kryer në rajonin e Dukagjinit ku kishte komanduar gjatë viteve 1998-1999.

“Nuk mund të lejoj që në burg të mbahet një deputet”, ishte arsyetuar ai kur kishte dhënë dorëheqje pas certifikimit të zgjedhjeve.

Paraburgosja në Hagë nuk e kishte penguar Haradinajn që në ato zgjedhje të ishte prijës i listës për deputet dhe kandidat për kryeministër, pozitë kjo e lakmueshme prej tij.

Dy vjet e gjysmë më herët, Haradinaj kishte mbajtur pozitën e kryeministrit për 100 ditë falë zemërgjerësisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe liderit të saj të ndjerë, Ibrahim Rugova. Me tetë për qind të votave, ai kishte fituar pozitën e kryeministrit.

Haradinaj u zgjodh në këtë pozitë më 3 dhjetor 2004.

Më 8 mars të vitit 2005, Tribunali për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi publikoi aktakuzën për krime lufte ndaj tij.

“Sot kam dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës”, kishte thënë ai në një konferencë për media. Prapa tij qëndronte i terë kabineti qeveritar. Astrit Haraqija, ministër i Kulturës kishte derdhur lot për të.

Të nesërmen shkoi vullnetarisht në Tribunalin e Hagës. Me të mbërritur atje, u burgos. U gjykua për krime të rënda.
Por u shfajësua prej të gjitha akuzave.

Në Hagë u thirr për rigjykim dhe sërish u shpall i pafajshëm. Nga Haga u detyruar ta lirojë pozitën e deputetit.

E, Kur u kthye në Kosovë, u prit si hero lufte. Hashim Thaçi ia shtroi edhe tepihun e kuq në Aeroport. Ai tepih është vlerësuar si djegia më e madhe politike që ka përjetuar Haradinaj. Donte që Thaçi t’ia lëshonte postin e kryeministrit.

“Nuk kemi kohë, duhet me punu”, kishte thënë ai.

Këtë dëshirë e ushqeu disa muaj, derisa Thaçi ia bëri me dije se nukia lëshon postin e kryeministrit.

Në zgjedhjet e fundit, u zgjodh deputet ku qëndroi deri të premten. Ai është vetëm kryetar partie, mirëpo i gatshëm për të punuar për Kosovën nga pozita e kryeministrit. /insajderi.com

Më Shumë

Rruga Prizren–Tetovë drejt finalizimit, tuneli 6.4km do të lidhë dy qytetet

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka njoftuar se punimet për rrugën Prizren-Tetovë po vazhdojnë në anën kosovare të malit Korf (Vërtop), ndërsa nga ana...

Në Prizren arrestohet një person për tregti të ndaluar me produkte duhani

Hetuesit policorë nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, pas një hetimi, kanë arritur të sigurojnë prova se ekziston...

Lajmet e Fundit