Drejtori i RTSH-së, Martin Leka, këtë fundjavë u ka dhënë përgjigje të gjitha pikëpyetjeve që kanë lindur këtë javë për këngën dhe klipin e Eneda Tarifës “Fairytale”, përfaqësuese e Shqipërisë në Eurovision. Pas shumë reagimeve dhe aludimeve për vlerën e lartë të klipit, por edhe për një pjesë të kolegëve që e kanë konsideruar depresive këngën e Enedës, Leka u ka dhënë përgjigje të prerë. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, drejtori i RTSH-së sqaron:
“Përshtypjet e para janë të mira. Klipi kushtoi 5 mijë euro dhe për ata që s’e kanë pëlqyer, unë jam indiferent,- thotë Leka, duke shtuar se elementët identifikues që përdor këngëtarja në klip, në rrjetet sociale janë keqkuptuar dhe keqinterpretuar.
Sipas tij, ata që kanë bërë dislike në YouTube nuk janë të zgjuar të kuptojnë se çfarë simbolizon ai “kapuçi i kuq” që Eneda vendos në kokë: “Pra, deri kur të kuptojnë se ç’do të thotë “duvak”, një mbulesë që vendosnin nuset shqiptare dikur në kokë, s’kam ç’them. Autorët e këngës dhe regjisori e menduan si element, por që në rrjetet sociale u keqkuptua, duke u krahasuar me veshjet e serialit indian “Bidaii”,- u shpreh Leka.
Në lidhje me faktin se si do të jetë perfomanca në Eurovizion e Eneda Tarifës, Leka shton: “Nuk di të ketë koreografi. Eneda do të jetë në qendër dhe tre backvocal-et. Mund të them që do të ketë efekte në skenë, ndërsa veshja është surprizë. Sa për pritshmëritë, ne synojmë një përfaqësim origjinal, dinjitoz të Shqipërisë. Shpresojmë në mbështetjen e gjithë shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve tanë politike”,- tha ai. / KultPlus.com