16.2 C
Prizren
E hënë, 5 Maj, 2025

Analistët: Bojkoti i opozitës, taktikë politike

Tri partitë politike opozitare, Lëvizja Vetëvendosje!, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën, kanë bërë diferencimin e metodave të punës në Kuvendin e Kosovës sa i përket bojkotit të punës në këtë institucion.

AAK-ja dhe Nisma tashmë kanë një qëndrim të prerë se deputetët e këtyre partive politike do ta bojkotojnë punën në Kuvend, kurse Lëvizja Vetëvendosje! ka bërë me dije se në varësi të rëndësisë së seancës, ata do të vendosin nëse do të marrin pjesë apo jo. Lidhur për këtë çështje, njohës të çështjeve politike në vend kanë deklaruar për gazetën “Epoka e re” se partitë opozitare do të duhej të ishin të unifikuara dhe të bashkuara sa i përket bojkotit të Kuvendit, por ata mendojnë se ky mosunfikim nga opozita është një taktikë politike sa për ta tërhequr vëmendjen e opinionit.

Analisti politik Mazllum Baraliu ka thënë për gazetën “Epoka e re” se çështja e bojkotit të opozitës në Kuvendin e Kosovës varet nga shumica parlamentare se si do të veprojë pa opozitën në parlament. Ai bojkotin e partive opozitare në Kuvendin e Kosovës e ka quajtur taktikë politike të tyre.

“Këto janë taktika politike, të cilat i kanë përzgjedhur subjektet e opozitës. Për mendimin tim, më mirë do të ishte të ketë një mendim të unifikuar dhe konsensual të opozitës. Ose ta botojnë të gjithë, ose të shkojnë në parlament të gjithë, në mënyrë që të kërkojnë një zgjidhje konsensuale me dialog. Pra, që ta imponojnë atë zgjidhje me metoda demokratike ose metoda të tjera në kuadër të ligjit dhe të normave politike dhe etike”, ka thënë Baraliu.

Ai ka thënë se parlamenti aktual nga shumë segmente të shoqërisë dhe opinionit publik do të mund të konsiderohej se nuk është aq kredibil dhe demokratik.

“Metoda e domosdoshme kushtetuese dhe demokratike është që të jenë të gjithë në parlament, pozitë dhe opozitë. Pra, ta korrigjojë opozita – pozitën dhe pozita të veprojë në kuadër të Kushtetutës, pasi kështu praktikohet në shtetet normale dhe demokratike”, është shprehur Baraliu.

I pyetur se çfarë efektesh mund të prodhojë bojkoti i Parlamentit nga opozita, Baraliu ka thënë se do të jetë një mangësi e madhe në qoftë se Kuvendi do të vazhdojë të punojë pa opozitën.

“Është një minus i cili do të reflektohet në efektet e punës së këtij Kuvendi, të kësaj legjislature dhe, mbi të gjitha, mund të reflektojë tek elektorati i këtyre partive politike, të cilët qytetarët ua kanë dhënë votën e tyre për diçka tjetër e jo për këtë mënyrë të konfliktualitetit pozitë-opozitë”, ka theksuar Baraliu.

Ndërkaq sa iu përket mandateve të deputetëve, në mungesë të tyre në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Baraliu ka thënë se në rast se deputetët mungojnë për gjashtë muaj në Kuvend, ata e humbin mandatin. Ai ka bërë thirrje të reflektojnë pozita dhe opozita në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për tejkalimin e kësaj situate.

“Ky ngërç nuk i krijon imazh të mirë askujt, vetëm se shkon në dëm të vendit”, është shprehur Baraliu.

Ai ka bërë me dije se me bojkot kolektiv nuk mund të ketë zëvendësim të deputetëve.

“Në qoftë se AAK-ja, ose cilado parti politike, dëshiron që individualisht t’i dorëzojë mandatet apo heqin dorë ashtu siç ka hequr dorë z. Haradinaj, atëherë natyrisht se kryetari i Parlamentit është i detyruar ta njoftojë presidenten, e cila më pas e njofton KQZ-në për ta zëvendësuar me deputetin tjetër”, ka thënë Baraliu.

Pavarësisht veprimeve të opozitës dhe situatës së krijuar, Baraliu ka thënë se Qeveria e ka mendjen ta vazhdojë punën e saj.

“Ata kanë paralajmëruar se mund të shihemi në zgjedhjet e 2018-s dhe asnjë kërkesë e opozitës s’mund të ketë sukses. Është mitë të reflektojë opozita dhe të mendojë se është më mirë ta vazhdojë luftën në parlament me metoda demokratike, apo t’i bojkotojë nga jashtë kundërshtimet”, është shprehur Baraliu.

Ndërkaq analisti tjetër politik Blerim Burjani ka thënë për gazetën “Epoka e re” se bojkoti i Kuvendit nga AAK-ja është veprim më i duhur sesa përdorimi i metodave të dhunshme.

“Nuk është në rregull që opozita të sillet në këtë mënyrë. Opozita duhet të gjejë një modalitet tjetër për zgjidhjen e problemeve, pasi tash e sa muaj kemi një jostabilitet në vend. Sido që të jetë, është më mirë të bëhet një bojkot sesa të pengohen seancat e Kuvendit me gaz lotsjellës apo me metoda të tjera”, ka thënë ai.

Edhe Burjani bojkotin e opozitës për seancat e Kuvendit e ka cilësuar si strategji të opozitës. Ai ka thënë se ky bojkot është një koncept i ri strategjik për ta obliguar koalicionin qeverisës të ulet në tavolinë për t’i zgjidhur ato probleme që, sipas tij, shumica prej tyre janë imagjinare. Burjani ka thënë se dialogu në Bruksel nuk varet nga Kosova dhe Serbia, por nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kurse sa i përket bojkotit të deputetëve, Burjani ka thënë se nëse deputetët e opozitës nuk shkojnë në Kuvend për gjashtë muaj, atyre u merren mandatet dhe u shpërndahen partive në sistemin proporcional.

“Në rastin ekstrem, nëse deputetët brenda gjashtë muajve nuk do të shkojnë në Kuvend, do ta humbin të drejtën në mandate, atëherë në sistemin proporcional do t’u shpërndahen këto mandate partive të tjera konform Ligjit për Zgjedhje. Prandaj, më e dëmshme do të ishte sikurse ta kishin bojkotuar komplet subjektet opozitare punën e Kuvendit dhe ta dorëzonin mandatin, atëherë do të ishte një fazë kritike, pasi Ligji për Zgjedhjet nuk flet rreth dorëzimit të plotë të mandateve, por flet vetëm në rastin kur një deputet bojkoton punën e Kuvendit brenda gjashtë muajve”, është shprehur Burjani.

Ai ka thënë se ka një paqartësi të njerëzve sa i përket interpretimit të bojkotit të opozitës.

“Janë disa që nuk i njohin sistemet zgjedhore në vend, prandaj edhe interpretimet e tyre kanë qenë të gabueshme nga shumë njerëz në opinionin publik. Ligji mund t’ua marrë mandatin deputetëve vetëm individualisht. Nëse dorëzohen komplet mandatet nga opozita, atëherë është një gjendje kritike për të cilën Ligji për Zgjedhjet nuk e thotë asnjë fjalë, pasi flet vetëm për individët”, ka deklaruar Burjani. /Epoka e Re/

Më Shumë

Sonte fillon edicioni i 36 –të i Festivalit folklorik “ Hasi Jehon”

Në orën 19:00, fillon edicioni i 36-të i Festivalit folklorik “Hasi Jehon” në Gjonaj të Hasit. Për tri netë në këtë festival do të...

Drini i Bardhë sot kurorëzohet kampion – festa nis në Prizren, vazhdon në Gjonaj

Drini i Bardhë do të kurorëzohet sot kampion i Ligës së Tretë të Kosovës, pas një sezoni të suksesshëm që e ka kthyer këtë...

Lajmet e Fundit