Lidhja e Prizrenit ishte lëvizja e parë e shqiptare e madhe e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake që prej kohës së Skënderbeut. Të detyruar nga rrethanat specifike të vitit 1878, shqiptarët thirrën një Kuvend Mbarëkombëtar, i cili synonte bashkimin e Shqipërisë.
Pas firmosjes së Marrëveshjes të Shën Stefanit mes Rusisë dhe Turqisë, ku Shqipërisë nuk iu njoh asnjë e drejtë territoriale, dhe në pritje të Kongresit të Berlinit, i cili me shumë mundësi do t’i hiqte hartës shqiptare krahina të shumta, atdhetarët shqiptarë ideuan këtë mbledhje, ku do të shpallnin ndarjen përfundimtare nga sundimi osman. Më 10 qershor 1878 në Prizren të Kosovës, Kuvendi hapi dyert për të pritur delegatët, të cilët do të vinin nga të katër vilajetet e Shqipërisë: Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës, shkruan gazeta Kosova Sot.
Debati mes intelektualëve
Me rastin e përvjetorit të 138-të të LSHP-së dje Prizreni dukej i stolisur me flamuj të Kosovës, flamuj kuqezi dhe flamuj të shteteve që ndihmuan Kosovën. Në sheshin e LSHP-së u mbajt edhe Akademia solemne për të shënuar këtë datë të rëndësishme.
Prof. dr. Ferid Dragaj nga Ulqini foli për rolin e madh të Lëvizjes në politikën e asaj kohe.
“Më lejoni të hap edhe një debat që lidhet me faktin se LSHP-ja kishte një politikë shumë të fortë atdhetare, por nuk kishte lidhje ndërkombëtare”, potencoi Dragaj.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, tha se LSHP-ja ishte njëri ndër projektet më kapitale kombëtare për bashkimin e trojeve shqiptare. Sipas tij, patriotët e Lidhjes nuk kishin dallime fetare, shoqërore dhe krahinore.
Në shënimin e këtij përvjetori kanë marrë pjesë edhe shkrimtarë nga të gjitha trojet shqiptare.
Frymëzim ndër breza
Profesor Remzi Bardhi shprehet se Lidhja e Prizrenit ishte një frymëzim për breza të tërë në rrugën për liri. Ai përmend demonstratat e vitit 1968, të cilat si pikënisje kishin pikërisht objektin e LSHP-së.
“Lidhja e Prizrenit në rininë e qytetit tonë ishte dhe mbeti njëri ndër frymëzimet e pafund për liri”, thotë Bardhi.
Kjo bëri që ky objekt të bëhet halë në sytë e pushtuesve serbë. Kështu jo pa qëllim u dëmtuan edhe bustet e Shaip Pashës, Sylejman Vokshit dhe Mic Sokolit, në maj të vitit 1999. Edhe objekti i LSHP-së nuk do të kursehej nga serbët, por menjëherë pas luftës ai do të ngrihej sërish nga një grup aktivistësh. Tani ky objekt është meka e turistëve shqiptarë nga mbarë trojet shqiptare. Lidhja ende gjallon dhe ende është në kujtesën e secilit, e fortë dhe e qëndrueshme. /Kosova Sot/