0.3 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Një aktor shqiptar, në Festivalin e Venecias

vadimir dodaDy vajza të reja që kërkojnë t’i ikin provincës për të shkuar ndoshta larg deri në Kinë, dhe një emigrant shqiptar… Një gërshetim i krizës sociale në vendin fqinj, Itali, me përvojat e atyre që kërkojnë të ndjekin ëndrrat e tyre me çdo kusht, edhe pse kjo rrugë mund të kushtojë mbi jetë njerëzish… Kjo është historia që regjisori dhe skenaristi i njohur italian, Alessandro Rossetto, do të tregojë në filmin e tij më të ri, “Atdheu i vogël”, i cili pritet të shfaqet më 30 gusht, në skenën e edicionit të 70 të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venecia. Në rolin kryesor në këtë film, i cili pritet të kthehet në një nga prodhimet kinematografike më të ndjekura në vendin fqinj, është aktori i ri shqiptar, Vladimir Doda. Ai interpreton përkrah aktorëve: Maria Roveran, Mirko Artuso, Diego Ribon, Lucia Mascino, Roberta Da Soller dhe Nicoletta Maragno. Edicioni i 70 i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venecia do të hapë siparin e tij më 28 gusht deri më 7 shtator. 33 vende do të prezantojnë prodhimet e tyre më të mira kinematografike, mes të cilave edhe shteti i ri i Kosovës, ku regjisorja Lendita Zeqiraj do të prezantojë filmin e shkurtër “Ballkoni”. Shqipëria mungon në këtë festival, por një aktor shqiptar do të jetë aty për të prezantuar Italinë. “Për mua si aktor ky film ka një domethënie të rëndësishme përtej ambicieve të mia. Personazhi im është një shqiptar, ndaj që në bisedën e parë me regjisorin kam kërkuar që ky imazh të mos preket, duke pasur parasysh ndikimin që mund të ketë filmi mbi imazhin e shqiptarëve”, tregon Doda. Personazhi i tij në film është një punëtor, hero, një tip i përmbajtur me një dinjitet të konsoliduar, të cilit i duhet të përballet me paragjykimet që një pjesë e shoqërisë italiane ka mbi emigrantët në përgjithësi, por edhe mbi shqiptarët. Ai vetë ka prirjen t’i ndihmojë të tjerët kur ata gabojnë, por, nga ata tjetër, refuzon të ndihmojë ata që përsërisin gabimet dhe që krimin e shndërrojnë në punë. Doda tregon se ka ndikuar në përmirësimin e portretit që regjisori kishte ndërtuar për personazhin e tij gjatë xhirimeve. Si shqiptar ai dinte më mirë të ndërtonte njeriun që Rossetto kishte në mendje. “Atdheu i vogël” rrëfen verën e nxehtë dhe mbytëse të dy adoleshentëve dhe dëshirën e tyre për të ikur tej, larg nga një fshat i provincës. Është Luiza dhe Renata. Njëra plot jetë, ndërsa tjetra gjithnjë e zymtë dhe e trishtuar… Jetët e dy të rejave tregojnë historinë e një shantazhi, të një dashurie të tradhtuar, dhe të një dhunimi të pësuar. Luiza përdor Bilalin, të dashurin e saj shqiptar, Renata harton planin dhe përdor trupin e Luizës për të drejtuar fijet e hakmarrjes së saj. Të dyja vajzat lënë provincën ku janë rritur, mes festave dhe mbledhjeve të “indipendentistëve” (është një lëvizje nacionaliste që kërkon pavarësinë e krahinës së Venetos), familjesh të lodhura dhe brezave të rinj të emigrantëve që vihen në shënjestër nga ata që ndihen të kërcënuar. Ato duan të ikin larg kulturës së punës, që është vetëm për të bërë para dhe shpesh duke mos ia arritur të ikin larg nga jetët që i përkushtohen vetëm punës dhe heshtjes; larg nga zemërimi që lodhja e të jetuarit dhe mungesa e ëndrrave shkaktojnë. “Konflikti qëndron mes dy botëve, asaj të adoleshentëve dhe asaj të të rriturve, e para e gjallë, joshëse, e lirë, por pa qenë e vetëdijshme, e dyta e ngujuar, e dorëzuar, e dyfytyrëshe… E megjithatë diçka duket sikur i bashkon të gjithë, një zonë e zymtë… Seksi që njëra përdor për t’u tallur me botën, për t’i shpëtuar pa destinacion falsitetit të konformizmit, është për tjetrën një mënyrë qorre për t’u shpenguar ndaj zemërngushtësisë, ndaj dhunës, preteksti për t’u hakmarrë. Loja e dashurisë, e joshjes dhe ajo seksuale, merr me kalimin e kohës konturet tragjike të një realiteti që humb një herë e përgjithmonë në spontanitet dhe pavetëdije.

Për regjisorin Rossetto, e përditshmja është ajo që e bën më të ndjeshme kinemanë. Ndaj ai ka zgjedhur një temë sociale të prekshme për shoqërinë italiane sot, “një stuhi të vërtetë verore” siç e kanë quajtur mediat italiane. “Skenarët socialë janë veçse pretekste për t’u marrë me formën dhe esencën: Të rrezikosh dhe të eksperimentosh, të rrëfesh ndjenjat njerëzore me ironi të ëmbël dhe ndonjëherë me keqardhje”, thotë ai. Ky është filmi i parë “fiction” i Alessandro Rossetto, dhe është një afresk humaniteti dramatik, plot gjallëri, largpamës dhe i lirë, i zhvilluar në verilindjen e pazhurmshme të Italisë, që në këtë rast është një pasqyrë e provincës universale.

Filmi është prodhuar nga Gianpaolo Smiraglia për Arsenali Medicei dhe bashkëprodhuar nga Luigi Pepe për Jump Cut. Montazhi i Jacopo Quadri, muzika nga Paolo Segat e Alessandro Cellai, me këngët e shkruara e të interpretuara nga protagonistja Maria Roveran dhe me këngët sugjestionuese të koreve alpine. Filmi është xhiruar në tri krahina të verilindjes se Italisë.

 

Vladimir Doda, rrugëtimi i pazakontë drejt kinemasë

Vladimir Doda nuk e kishte menduar asnjëherë teksa udhëtonte me traget drejt Barit, për të ndjekur studimet në Universitetin “La Sapienza” në Romë për Infermieri, se e ardhmja e tij do të ishte kinemaja. Muajt e parë në fakultet do të sillnin dhe vështirësitë e para për studentin shqiptar, të cilit i duhej të punonte dhe të ndiqte leksionet njëkohësisht. “Duke qenë se nuk kisha frekuentuar një sërë lëndësh për shkak të punës, nuk më lejohej të jepja provimet. Kështu fillova ta rifilloj sërish shkollën pas një ndërprerjeje një vit më vonë, por m’u duk sërish e pamundur”, tregon ai. Gjatë kësaj periudhe ai punonte si ndihmëselektricist për një ndërmarrje ndriçimi që punonte me teatro të ndryshme në Romë. Kjo punë dhe bisedat me një shok fëmijërie që studionte për kinema, do ta bënin Dodën ta shihte me një sy tjetër kinemanë, dhe një ditë të vendoste të hiqte dorë nga studimet që kishte nisur, dhe të regjistrohej në degën e kinematografisë. Një zgjedhje në dukje rastësore, por që duket sikur ka qenë fati i tij i shkruar. Pasi u diplomua për “Histori dhe kritikë të kinemasë” në Universitetin “La Sapienza”, ai ndoqi studimet për aktrim në “Civica Accademia d’Arte Dramatica Nico Pepe” në Udine, ku banon sot. Tashmë teatri dhe dëshira për të aktruar duket sikur ka qenë gjithmonë brenda tij. Përpara se të takohej me regjisorin Alessandro Rossetto, ai ka interpretuar në një sërë pjesësh teatrore. “Kur u takova për herë të parë me Alessandron, më pyeti se çfarë formimi kisha. Kur i thashë që kisha mbaruar trevjeçaren në
Romë për kinema, më pyeti sërish për tezën që kisha mbrojtur.
I thashë që teza që kisha mbrojtur ishte mbi kinemanë e vëllezërve Marks. Ai u shpreh disi me keqardhje: Domethënë të pëlqen kinemaja klasike?”, tregon Doda. Dhe Rossetto kishte të drejtë. Kinemaja klasike gjithnjë e kishte tërhequr, por dhe kinemaja italiane nga Fellini, Scola, Antonioni ishte në shijet e tij, ashtu si filmat e neorealizmit, apo kinemaja franceze dhe autorët e Nouvelle Vogue, dokumentarët e Jean Rouche apo filmat e Casavettes. Jean Rouche do të ishte emri që do të prekte menjëherë regjisorin Rossetto-s i cili e fton menjëherë të bëjë një provë për rolin. Pjesëmarrja në këtë film do të ishte dhe përvoja e parë e Vladimirit në kinema. Që në bisedat e para me regjisorin, ai do të kuptonte më mirë se çfarë ishte në të vërtetë të bëje një film. “Mendja e një filmi ishte historia”, kjo ishte motoja e regjisorit Rossetto, të cilin aktori shqiptar do ta kuptonte në çdo fazë të xhirimeve. “Alessandro nuk kërkonte nga aktorët thjesht lojën e aktrimit për të ndërtuar një personazh, por diçka më shumë, që ka të bëjë me ndjenjat e vetë aktorit, me brendësinë e shpirtit të tij, për të nxjerrë në pah detaje të humanizmit të vet aktorit, që pa dashje ndihmojnë në formimin e personazhit…”, tregon Doda. Dhe pse iu bashkua xhirimeve me vonesë, pasi ishte pjesëmarrës në një spektakël të përvitshëm “Mittelfest 2012”, Doda u bë shumë shpejt pjesë e ekipit që do të ndërtonte historinë e “Atdheu i vogël”. Ky film është rrugëtimi i parë i aktorit të ri shqiptar drejt kinemasë, rrugëtim të cilin ai beson do të jetë i përjetshëm. Doda është i bindur se kjo zgjedhje që erdhi disi rastësisht në jetën e tij, është ajo që ka dashur të bëjë gjithnjë…Të jetosh me art është e vështirë, aq më tepër kur je në hapat para të tij. Por Doda është i bindur se, pavarësisht vështirësive, do të vijë të ndjekë ëndrrën e tij, ashtu si personazhi i Bilalit në film. “Gjatë këtyre viteve kam punuar paralelisht në punë të ndryshme, si ndihmëselektricist, në ndërmarrje transporti, ndërtimi… Vitet e fundit kam punuar si kamerier, duke qenë se është një punë me orare të përshtatshme për studentët”, tregon ai…i bindur se nga këto përvoja mbijetese do të marrë anën pozitive dhe dikur do t’i duhen për të ndërtuar personazhe në filmat e ardhshëm… Në tetor të vitit të kaluar ai interpretoi në një film, i cili është në fazën e produksionit me regji të Vittorio Moronit. Një muaj më parë, më 6 korrik, ai ishte në Francë në festivalin “Avignone OFF” me “Mistero Buffo”, tekstin më të njohur të Dario Fo, bashkëpunim mes “Civica Accademia D’Arte Drammatica Nico Pepe” e “Scuola D’Arte Drammatica di Milano Paolo Grassi”. Në shtator-tetor do të punojë në një spektakël që prodhohet nga akademia “Nico Pepe” e Udines.

Alessandro Rossetto

Alessandro RossetoKa lindur në Padova më 1963. Ka studiuar kinema dhe antropologji në Bolonja dhe në Paris. Autor kinematografik, regjisor dhe drejtor fotografie-operator në kamera. “Syri i tij është i çmuar, plot kuriozitet dhe ndjeshmëri”, shkruan kritika për të. Në filmat e tij që shquhen për një inskenim me korrektësi dhe poezi na prin për të na takuar me personazhe plot ndjeshmëri, duke na zbuluar imagjinatën e tyre më të fshehtë, vizionin e tyre për botën dhe jetën e tyre të jashtëzakonshme në përditshmërinë e saj”. Në 1997-n ka drejtuar dokumentarin e tij të parë “Il fuoco di Napoli” (Zjarri i Napolit. Filmi i tij i dytë, “Bibione Bye Bye One” (1999), prodhuar nga vetë Rossetto në bashkëpunim me ZDF/ Arte, Tele+ e BBC, vlerësuar me çmime në disa festivale dhe i shpërndarë në nivel botëror, është një punë tepër personale, një vrojtim dhe një meditim mbi një qytezë të vogël, një lokalitet turistik që bëhet pasqyrë poetike mbi vetë gjendjen e njeriut. Filmi i tij i tretë, “Chiusura” (2002 – “Mbyllja”), është historia e një dyqani parukerie që shkon drejt mbylljes. Filmi me metrazh të gjatë “Feltrinelli”, bashkëprodhim mes 4 shtetesh dhe 5 televizionesh europiane, u prezantua me sukses në Festivalin e Locarnos 2006 dhe është shpërndarë në nivel ndërkombëtar. Në Festën Ndërkombëtare të Kinemasë në Romë, 2007, ka prezantuar “Raul”, portretin e një muzikanti mes Italisë dhe Argjentinës. “Piccola Patria” është debutimi i tij i parë në kinemanë fiction.

Më Shumë

Homazhi për Nijazi Bytyqin rikthen në kujtesë tingujt legjendarë dhe prezanton vlerat muzikore të djemve të tij

Trashëgimia muzikore e Nijazi Bytyqit, njërit prej nismëtarëve të muzikës pop-rock në Kosovë, është shpalosur të premten mbrëma në “Autostrada Hangar 2” në Prizren....

Trajnime falas për tregun e punës në Prizren

Oda e Ndërmarrësve dhe Zejtarëve në Prizren, bashkë me ITI Pro Kosova, do të organizojnë trajnime falas për tregun e punës. Ky trajnim mbështetet nga...

Lajmet e Fundit