Prizreni dikur i njohur me shumë zeje tani shihet se po e humb këtë pasuri. Ishin dikur me qindra zejtarë në rrugë të ndryshme të qytetit, si argjendarët, arëtarët, saraçët, bojaxhinjtë, qeleshepunuesit, shajakpunuesit, gajtanxhinjtë, terezitë, mëndafshpunuesit, mafesxhinjtë, argjendarët, kallajxhinjtë, gërshertarët, briskaxhinjtë, kovaçët, zdrukthëtarët,,poçarët, jastëkxhinjtë, armëpunuesit, tyfekxhinjtë, tirqipunuesit, terzinjtë, farkëtarët, teneqexhinjtë etj. Sipas ekspertëve të trashëgimisë deri tash janë zhdukur nga çdo formë e trashëgimisë 82 zeje të ndryshme, kurse rrezikohen të zhduken edhe 38 zejet e mbetura,shkruan Gazeta Kosova Sot.
Nëse arrihet të ruhen është sukses, por shoqëria civile dhe qeveria lokale po punojnë në rikthimin e së paku 100 prej këtyre zejeve të njohura në Prizren.
Familjet zejtare që bënë nam
Një prej zejeve që i ka mbijetuar stihisë së kohës është edhe ajo e punimit të mafesave dhe shamive të kokës. Dikur ishin jo më pak se 40 dyqane të tilla në gjithë qytetin, mirëpo tani kanë mbetur vetëm tri familje që po e mbajnë gjallë traditën e prodhimit të tyre. Familjet Buza, Tabaku dhe Zurnagjiu janë të vetmet që vazhdojnë të mbajnë dyqanet ku mund të blihen mafesat e bashkë me to edhe shamitë e ndryshme. “Mafesi është një stoli që u duhej dhe e kanë mbajtur vetëm gratë e moshuara. Edhe sot këtë e bartin vetëm plakat”, tregon profesori Sylejman Randobrava. Ai tregon se dikur mafesxhinjtë ishin zejtarë me nam të këtij qyteti. Sipas tij, këtë zeje si trashëgimi e kanë pasur disa familje të njohura të këtij qyteti, si ajo Tabaku dhe Zurnagjiu. “Këto dy familje ishin familje esnafe të zejeve, prandaj edhe i kanë edhe vetë mbiemrat si p.sh. Tabaku që vjen nga ajo lëkurëpunuesve apo kjo Zurnagjiu që vjen gjithashtu nga zeja e dikurshme e surleve”, shprehet Randobrava.
I riu që kënaqet duke punuar zejen e vjetër
Në dyqanet e familjes Buza në Prizren ne takuam aty të riun Anis Tabaku, nipin e kësaj familje. Ai tregon se ata prodhojnë shami si dhe mafesatTabaku shpjegon se kjo familje këtë zeje e zhvillon tani e një shekull.
“Është zeje e vjetër tradicionale, që dikur ishte shumë profitabile, kurse tani ajo nuk është në atë gjendje, por megjithatë mund të thuhet se prodhimi i mafesave vazhdon të mbetet më i kërkuar, sepse këtë mbulesë koke e përdorin të gjitha plakat e të moshuara pa dallim”, na thotë Anisi, i cili me punën që bën arrin të sigurojë një pagë mesatare, për çka ai shprehet i kënaqur. “Unë këtë punë e punoj që nga mosha 12-vjeçare”, tregon ai për “Kosova Sot”. Sipas tij, kjo punë kërkon angazhim jo të vogël. “Por, mund të them se mafesat janë ende të kërkuara dhe nuk janë krejtë- sisht të harruar”, thotë Anisi, i cili tregon se ky është brezi i tretë në familje që punon këtë zeje. Ai, edhe pse në moshë të re, tregon se është i përkushtuar për këtë zeje. “Unë dua ta vazhdoj këtë zeje dhe jam brezi i tretë në këtë familje që tashmë po e bart këtë zeje”, tregon ai për gazetën. Anisi shpjegon se mafesat janë të natyrave të ndryshme dhe janë një botë në vete.”Kemi mafesa të bukura dhe këto pa dyshim kanë bërë që mafesxhinjtë e Prizrenit të jenë ende në gjendje për të mbijetuar dhe për treguar se mund të jetohet nga zejet e vjetra”, shprehet Anisi.
Mallëngjimi për të kaluarën
Mallëngjimi për të kaluarën Derisa ne ishim në lokal erdhi e moshuara Hava Gashi, e cila tha se dëshiron të blejë disa mafesa. “Kam me shku tek bijtë në Gjermani, por edhe atje pa mafes nuk po mund të rri. Mafesi për ne është si obligim më duket”, thotë Hava. Sipas saj, mafesi është një trashëgimi që vjen nga e kaluara dhe gratë e brezit të saj janë besnike ndaj saj. Sipas saj, mafesi është edhe praktik. “Është i lehtë dhe pa dyshim se është i freskët në verë e i ngrohtë në dimër”, tregon ajo për “Kosova Sot”. Zonja Hava shpjegon me mallëngjim për kohën kur gratë dalloheshin se cila e ka gjendjen më të mirë ekonomike prej ojnave të mafesit.”Kurse tash nuk u qesin ojna, por dikur vajzave u dilnin sytë për të përgatitur ojna. Ojnat ishin punime dore të luleve apo zogjve dhe të cilat vendoseshin në cepat e mafesave dhe u jepnin bukuri”, tregon ajo