Moskalimi i Demarkacionit me Malin e Zi, që është paraparë më 1 shtator, mund të shkaktojë një furtunë në koalicionin aktual. Analistët politikë nuk e përjashtojnë mundësinë që të prishet koalicioni artificial, i cili me qeverisjen e tij të deritashme është treguar gati tërësisht i pasuksesshëm dhe vazhdimi i kësaj qeverisjeje “alla Pronto”, korruptive, klienteliste e nepotike mund të ketë pasoja tepër të mëdha për vendin.
Por, ka edhe analistë që thonë se koalicioni PDK-LDK do ta kalojë Demarkacionin dhe njëkohësisht do ta fitojnë edhe në një fushë tjetër për ta rrënuar opozitën përpara faktorit ndërkombëtarë dhe para qytetarëve si fajtorët kryesorë për krizën. Eksperti i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani, u shpreh për “Kosova Sot” se skena politike pas 1 shtatorit pritet që të tensionohet.
“Mosgatishmëria dhe mungesa e konsensusit nacional për temën e Demarkacionit mund të sjellë situatë të pakëndshme politike dhe vështirësi të funksionimit të demokracisë. Pra ka një gjendje aktuale të pashpresë për t’u kapërcyer”, është shprehur ai.
Sipas Burjanit, Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi duhet që të kalojë dhe kjo është ideja e këtij koalicioni, sepse kjo temë sikur edhe asociacioni janë tema ndërkombëtare, regjionale dhe globale.
Burjani është i mendimit se nëse në Kuvendin e Kosovës nuk arrihet që të kalojë miratimi i Demarkacionit me Malin e Zi, atëherë faktikisht ky koalicion pritet të mos mbajë përgjegjësi për këtë temë, edhe pse logjikisht do të duhej të organizoheshin zgjedhje të reja dhe të reformohet skena politike.
“Kjo klasë politike, pozitë dhe opozitë nuk mund të zgjidhin probleme të qytetarëve, por merren me inate mes tyre dhe luftë për pushtet”, është shprehur ai.
Sipas Burjanit, Kosova ka nevojë për një klasë të re politike jo me këto parti aktuale që e sollën shtetin deri këtu, duke mos bashkëpunuar me klasën intelektuale. Sipas Burjanit, nëse nuk kalon Demarkacioni, ndoshta do të ishte mirë që të riformatohet qeverisja dhe të ndërtohet një qeveri teknike e përberë prej ekspertëve deri në zgjedhje të jashtëzakonshme, që do të duhej mbajtur pas 6 muajve.
“Unë mendoj se shpresa në ndryshime duhet të orientohet te pjesa intelektuale e shtetit. Edhe shoqëria civile është e politizuar dhe përfituese”, shprehet Burjani.
Burjani thotë se kjo qeveri “alla pronto” funksionon për interesa partiake, individuale e familjare , e që nepotizmin e quajnë të ligjshëm.
“Pra, kjo klasë politike duhet të shkojë sa më para nga qeverisja me shtetin. ‘Pronto 1’ dhe ‘Pronto 2’ edhe shumë pronto të tjera janë rezultat i funksionimit të shtetit anarkik dhe partiak dhe njerëzve të varfër që merren me politikë e që kanë përfituar dhe janë bërë të pasur në saje të parasë publike, ngase këta politikën e shohin si përfitim, ndërsa partinë si kompani industriale”, shprehet Burjani.
Ai shton se Kosova mund të shohë ditën e vet, vetëm nëse klasa intelektuale dhe ajo e biznesit bëhen bashkë dhe ndërtojnë një alternativë politike, në të kundërtën do të mbetet e tillë qeverisja, me korrupsion dhe me fatkeqësi që do të përcjellin gjeneratat e tëra, ngase kjo çështje ka devalvuar shumë dhe skajshmërisht. /Kosova Sot