Ata që e vizitojnë Prizrenin, kryesisht njoftohen me kalanë e këtij qyteti, por në fakt Prizreni ka edhe dy kala të tjera, Kalanë e Vashës dhe Kalanë e Kryengjëjve. Lidhur me Kalanë Vashës, që ndryshe quhet edhe e Çikës, ka të atillë që e quajnë edhe Kalaja e Cucës, ka legjenda të ndryshme. Në fakt, vendndodhja e saj është një pozitë strategjike. Studiuesit sllavë konsiderojnë se kjo është një kala e periudhës së Mesjetës. Por, supozohet se ajo është më e vjetër sesa mendojnë shumë studiues sllav.
Samir Hoxha, drejtor i Entit për Trashëgimi Kulturore në Prizren, shprehet se kjo kala ka shumë histori dhe ruan shumë misticizëm në vete. Aty ka pasur çezme me ujë të pijshëm, e që thuhet se ai ujë kishte fuqi magjike për zbukurimin e vajzave, për faktin se ishte ujë i butë, e nuk ka pasur tretje gëlqerore. Vizitorë të shumtë mahniten me bukurinë e Kalasë së vjetër, që mund të shihet pothuajse nga secila pjesë e qytetit.
“Mirëpo, të paktë janë ata vizitorë që e dinë se Prizreni ka edhe një kala tjetër, atë të Vashës, ngase ajo gjendet në luginën e Lumëbardhit, 2 – 3 kilometra në lindje të qytetit, në drejtim të Prevallës”, ka thënë Hoxha.
Supozohet se Kalaja e Vashës së fundmi është ndërtuar në vitin 1214 mbi fortifikatën e rrënuar, që në shënimet e mëhershme figuron si fortifikatë antike me katër kulla, të cilat shërbenin për kontrollimin dhe ruajtjen e rrugës që kalonte nëpër këtë nyjë malore.
Hoxha rrëfen se sipas një legjende, Kalanë e Vashës e ka ndërtuar një mbret dardan për ta strehuar vashën e tij gjatë kohës së luftës. Hoxha rrëfen edhe për karakteristikat e kësaj kalaje.
Kjo kala është e ngritur mbi një majë të thepisur në anën e majtë të rrjedhës së Lumëbardhit, ku ekzistonte një vendbanim shumë i lashtë parahistorik. Kalaja e Vashës shtrihet në një sipërfaqe prej 75 metrash katrorë dhe e ka bazën katërkëndëshe me mure të trasha mbi 2 metra të ndërtuara prej guri e llaqi gëlqeror në një lartësi mbidetare prej 650 metrash. Ajo ka 4 kulla, prej të cilave njëra është më e madhe, kurse 3 janë më të vogla. Në kohërat e lashta Kalaja e Vashës ka shërbyer si hyrje për në Kalanë e Vjetër të qytetit, ndërsa ishte e furnizuar me ujë dhe kishte kushte të përshtatshme banimi. Kalanë nëpër kohëra e kanë përdorur edhe romakët, bizantinët e të tjerët.
Vajzat laheshin me qumësht të dhisë së kuqe
Hoxha shprehet se ekzistojnë disa gojëdhëna rreth kalasë, kurse ajo që intrigon më shumë është se të gjitha ato flasin për fatin e një vashe. Gojëdhëna e parë thotë se në këtë kala ka pasur çezme me ujë të butë, dhe ai ujë thuhet se nga mosha 14-vjeçare vajzat i zbukuronte tej mase. Vajzat e reja, të cilat pastaj me bukurinë e rrallë i martonin kryesisht me familje fisnike apo udhëheqës ushtarakë të kohës. Quhej Kalaja e Vashës, ngase aty kishte vetëm vasha dhe asnjë mashkull nuk bënte shërbim. Rojat dhe përgjegjësit thuhet se ishin vetëm vashat që mbeteshin të pamartuara, që ndryshe i quanin lënesha. Aty thuhet se në shërbim të kësaj kalaje ruheshin tufa prej 500 dhive të kuqe. Po kështu ekziston gojëdhëna se këtu vajzat laheshin një herë në javë me qumësht të dhisë së kuqe.
U dashurua në bariun, por u flijua për dashurinë e ndaluar
Gojëdhëna e dytë thotë se Kalaja e Çikës ka mbetur për faktin se një pasha lokal kishte një çikë, e cila ishte shumë e bukur, por kushdo që ia kërkonte dorën ishte më i shëmtuar se ajo. Pashai duket se asnjë nuk e begeniste për çikën e tij, prandaj ia ndërtoi këtë kala për të jetuar ajo me ajrin e pastër, me diellin e hershëm, mbrëmjen e këndshme si shpërblim, pasi që nuk kishte djalë që mund t’i takonte asaj. Thuhet se ajo duke jetuar në këtë kala, një ditë kishte parë një bari dhe ishte dashuruar në të. Por, i ati i saj e kishte parë djaloshin dhe kishte vendosur të mos ia jepte atij vajzën. Në shenjë dënimi thuhet se pashai lokal këtë kala të bukur e shndërroi në burg të çikës, e cila thuhet se nga dashuria kishte vdekur duke u flijuar.
Vendstrehimi për femrat e pamartuara
Gojëdhëna e tretë flet për Kalanë e Cucës, apo të një vajze malësore të bukur, e cila nuk kishte vëlla. Ajo kishte pranuar të jetonte në këtë kala për dy arsye, e para që të ruhej nga lufta dhe e dyta për faktin se kjo kala bazuar në konfiguracionin strategjik që kishte, ishte mbrojtje e moralit të saj nga cilido armik. Mirëpo, aty thuhet se ruheshin shumë cuca malësie për të ruajtur nderin e mos të bien në dorë të asnjë armiku.
Për këtë kala, Hoxha shprehet se ka shkrime të shumta në formate të ndryshme, të cilat kryesisht gjenden në arkivat e Dubrovnikut.
“Këto gojëdhëna flasin në një formë apo tjetër për rolin e femrës në shoqërinë tonë në kohëra të ndryshme”, na thotë Hoxha.
Sipas tij, kjo kala konsiderohet si një nga kalatë më të vjetra të këtij regjioni dhe sipas tij meriton një eksplorim të shumanshëm. /Kosova Sot/