Punimi i kazanëve deri vonë ishte një prej zejeve më të përhapura në qytetin e Prizrenit, por tani kjo zeje është zhdukur. Zeja e kazanxhinjve në fillim të shekullit XX ishte shumë e përhapur në Prizren dhe në gjithë qytetin ka pasur shumë vendpunishte dhe shitore të kazanëve. Ata punonin enë bakri, legenë e ibrikë, kusi të vogla dhe të mëdha, tepsi, sini, mangall etj., me teknikën e “savatit” dhe të rrahjes. Prodhimet prej bakri nuk përdoren më. Këto prodhime sot rrallë mund të gjenden në shtëpitë e vjetra të Prizrenit. Ekspertë të trashëgimisë shprehen se Prizreni po i humb disa nga zejet e tij karakteristike më shpejt se shumë qytete të tjera.“Zeja e kazanxhinjve në Prizren është shuar. Deri vonë kazanxhinjtë punonin vetëm në një dyqan dhe tani e tridhjetë vite ajo zeje u shua në Prizren”, tregon historiani Mejdi Elezi. Ai tregon se Stanko Kazanxhia ishte kazanxhiu i fundit në Prizren, gjegjësisht para rreth 30 vjetësh, i cili ka punuar në rrugën e kazanxhinjve në Prizren që tash është rruga e “Saraçëve”.
Mjeshtrit dikur vinin nga jugu i Shqipërisë
Sylejman Randobrava shpjegon faktin se ka pasur disa kazanxhinj që kryesisht ishin ortodoksë të ardhur na jugu i Shqipërisë. “I fundit para 30 vjetësh ishte Stanko Kazanxhia”, shprehet Randobrava. Sipas tij, është interesant fakti se kazan kanë pothuajse të gjitha shtëpitë e vjetra edhe tani në Prizren. “Shumica syresh u shërbejnë për përgatitje të hajvarit ose të turshive, por më kazanxhi Prizreni s’ka tani e tri dekada”, thotë Randobrava. Ai shpjegon edhe historikun e kësaj zeje. “Dikur në rrasa, në breg të lumit Lumëbardhë, ka pasuar një sërë muresh të forta, ku kazanxhinjtë e parë punuan.
Atëbotë në Prizren quhej porta e tregut të kazanxhinjve dhe ishte një treg prej 800 hapash i gjatë përgjatë lumit. Në këtë krah të lumit kishte shtëpi të mbuluara me tjegulla, të ndërtuara lehtë e të mbajtura mirë. Veç këtyre, në anë të rrugës së madhe gjendeshin rreth 80 dyqane të mëdhenj e në mesin e tyre kishte edhe kazanxhi. Dikur rruga e “Saraçëve” quhej rruga e kazanxhinjve. Tjetër rrugë kryesore nuk ka pasur, sepse nga njëra anë ishte Tregu i Kazanxhinjve. Edhe rrugët e tregut të kazanxhinjve ishin të sheshta, dyqanet e kazanxhinjve edhe mutafxhinjve, d.m.th. të zejtarëve që punojnë bakrin dhe leshin ishin me prioritet dikur”, thotë Randobrava.
Tash kazanët shërbejnë edhe për prodhimin e rakisë
Edhe pse kanë kaluar plot tri dekada që s’ka më asnjë kazanxhi, të rralla janë ato familje myslimane që nuk kanë kazanë në shtëpi, por ata kazanë i përdorin për të zier hajvar apo për turshi. Kurse familjet katolike kanë kazanë kryesisht për të zier rakinë. Gjon Berisha, njëri nga qytetarët e Prizrenit, tregon se kazanët i merr nga kumbara i tij, Pjetri, i cili nuk gjendet tash në Kosovë, por jeton në Kroaci.“Shumë familje katolike në Prizren i kanë kazanët për raki. Por, shumica e tyre ata i ruajnë me kujdes të madh, sepse më kazanxhi nuk ka në Prizren dhe ata të rinjtë që mund të blihen nuk e kanë kualitetin e kazanëve të vjetër. Kazanët e vjetër e kishin kualitetin e punës të mirë, pasi janë të lehtë dhe janë të shëndetshëm”, pohon Berisha për “Kosova Sot”.
Ndryshe edhe në fshatrat e kësaj komune tradita për të pasur kazan ishte shumë e përhapur. Rexhep Gashi shprehet se dikur kazanët ishin të domosdoshëm për raste festash, apo për mort. “Ushqimin për dasma e bënin me këta kazanë, të thuash secila lagje i kishte kazanët e vet”, thotë Gashi, duke shtuar se tashmë ka ndërruar stili i jetesës dhe kështu ngadalë po zhduket e vjetra. Ai shprehet se nuk është mirë që nuk po kujdesemi për ruajtjen e të vjetrës.
(KosovaSot)