Astrit Dehari ka vdekur nga asfiksia me një mjet të fortë. Kështu tha avokati i familjes Dehari Tomë Gashi pasi që ka marrë raportin e Mjekësisë Ligjore.
“Në raport thuhet se Astriti ka vdekur nga asfiksia i shkaktuar nga një mjet i fortë. Ne do ta studiojmë këtë raport dhe do të dalim me një komunikatë”, tha Gashi.
Avokati i Deharëve ka shprehur pakënaqësinë e tij në lidhje me atë që Prokuroria nuk ka lejuar që provat dhe fotografitë nga qelia ku ishte Astrit Dehari t’i ketë në dispozicion.
I pyetur nëse në raport të autopsisë ceket edhe se kush e ka shkaktuar asfiksinë Gashi tha se Instituti i Mjekësisë Ligjore jep vetëm shkakun e vdekjes ndërsa me provat tjera do të merret Prokuroria.
Gashi edhe njëherë ka kërkuar nga prokurori i çështjes që të gjithë materialin që posedojnë ta kenë edhe ekspertët e angazhuar nga familja e Astrit Deharit.
Astrit Dehari ka vdekur në rrethana të paqarta më 5 nëntor derisa ishte në paraburgim në burgun e Prizrenit.
Ai dyshohej për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës që ka ndodhur më 4 gusht. /Telegrafi/
Gashi flet për raportin e autopsisë së Astrit Deharit
Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, pas pranimit të raportit të autopsisë nga Prokuroria e Shtetit ka thënë se në raport thuhet vetëm se Astrit Dehari ka vdekur nga frymënxënja nga një mjet i fortë.
Ai ka shtuar se nuk kanë arritur që akoma ta studiojnë raportin, njofton Klan Kosova.
Astrit Dehari ka vdekur në rrethana akoma të pasqaruara në Qendrën e Paraburgimit në Prizren më 05 nëntor.
Gashi: Prokurori Biraj nuk po lejon që provat t’i shohin ekspertët që ka angazhuar familja Dehari
Tomë Gashi, avokati i familjes së aktivistit të vdekur të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Astrit Dehari, ka thënë se si avokat i familjes ka bërë disa kërkesa në drejtim të Ministrisë së Drejtësisë dhe kryeprokurorit të Prizrenit, Sylë Hoxha që në këtë hetim të marrin pjesë edhe ekspertë të pavarur.
Gashi komente i ka bërë në konferencën e mbajtur për media nga VV-ja.
Ai tha se eksperti nga Shqipëria, Besim Ymaj dhe Besim Latifaj – shqiptar që jeton prej vitesh në Londër, e kanë përcjellë obduksionin e trupit të Astrit.
Por, ajo që ka kërkuar avokat Gashi, e që deri më tani nuk ka ndodhur, është që ekspertët e pavarur t’i kenë të gjitha provat, të cilat sipas tij, i kanë ekspertët e mjekësisë ligjore.
“Kundërshtimi për t’i dhënë provat vjen nga prokurori i rastit, Metush Biraj. Unë kam bërë kërkesë që të na sigurohen kopjet e fotografive kolor dhe të na sigurohet një kopje e cd-ve. Prokurori Biraj ka thënë se këto prova nuk mund të na jap, dhe se këta prova as ai vet nuk i posedon. Ai duhet të na mundësoi që t’i marrim ato. Lejimi i ekspertëve të pavarur, që kanë marrë pjesë në obduksionin e Astrit është lejuar sa për sy e faqe, sepse nuk ju është mundësuar të kenë të gjitha provat që i kanë edhe ekspertët e mjekësisë ligjore. Kjo është arsyeja se pse ende nuk mund të angazhojmë ekspertë të pavarur të të gjitha lëmive, sepse na pamundësohet marrja e materialeve”, ka shtuar Gashi.
Edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albulena Haxhiu, ka theksuar se prokurori i rastit të ish–aktivistit të VV-së, Astrit Dehari, është i dyshuar për konflikt të interesit.
Ajo në konferencë të organizuar për media nga VV-ja, ka theksuar se prokurori Metush Biraj, është duke u hetuar edhe nga Agjencioni Kundër Korrupsionit për veprën e konfliktit të interesit.
“Ky prokuror nuk ka kredibilitet as moral dhe as profesional. Ky prokuror i shërben Sylë Hoxhës (kryeprokurori të Prizrenit) dhe jo drejtësisë. Ky njeri nuk mund të sjellë drejtësi, dhe për këtë ne kërkojmë një hetim të pavarur”, ka shtuar Haxhiu. /Telegrafi/