11.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Kryeprokurorin e shtetit nuk e “vizituan” hajnat e pulave !

Agim Muhaxheri

Mesazhi i sulmuesve të kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezit, ishte kërcenimi me likuidim, ta trembin, që të mos i prek “grerëzat me krande”, se ndryshe e vrasin në gjumë. Si Lumezi, para nëntë vitesh e pësoi edhe paraardhësi i tij Hilmi Zhitia, por shtëpinë e këtij të dytit e “vizituan” hajnat e pulave. Kur sulmohet “shteti”, çfarë sigurie kanë qytetarët e rëndomtë ?

Mbitoka, jo nëntoka, kreu operacionin e një grabitjeje të pazakontë. Hallakati “shtetin”, kryeprokurorin e Republikës së Kosovës, Aleksandër Lumezin, në kohën kur ai gjendej në gjumë.

Drama në disa akte, si në filmat e Alfred Joseph Hitchcockut, ndodhi në errësirë, pak minuta pas orës 3:00, të martën. Po këtë ditë, shteti reagon shpejt, dy policët “jovigjilentë”, njëri mbikqyrës e tjetri zyrtar i lartë, i suspendojnë nga puna.

Policia po i bën hetimet kush ka mundur të hyjë në pallatin e Lumezit, që gjendet në Prishtinë, rrugën “Xhevat Qena”.

Sulmuesit në pallatin e Lumezit ndër të tjera i morën edhe telefonin e tij personal.

Kush mund të jenë “zogjtë e natës” ?

Ata janë të mbitokës, kapësit e shtetit.

Natën e 22 nëntorit 2016, Lumezi nuk do ta harrojë.

Pikësynim i tyre ishte mesazhi, kërcënimi me jetë, ta trembin kryeprokurorin sipas asaj: Ke mendjen, hiq dorë nga akuzat në procesin…, ndryshe të vrasim edhe në gjumë”.

Mbeti enigma. E kishte zënë gjumi policin mbikqyrës, apo ai ishte zënë pisk, sulmuesit t’i kenë thënë atij: Shiko përpara, mos e kthe kryet mbrapa…

Ia matën pulsin kryeprokurorit të shtetit që në të ardhmën të jetë i vëmendshëm, të mos i prek “grerëzat me krande” se mund ta pësoj si është më së keqi.

Si Lumezi, para nëntë vjetësh e pësoi edhe kryeprokurori i atëhershëm i shtetit Hilmi Zhitia. Shtëpinë e këtij të dytit e kishin hallakatur tre të rinj. Këtu morën gjësende të ndryshme, stoli të arit, para, pasaporta… Procesin e këtyre tre të rinjve si gazetar e kam ndjekur në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Gjatë procedurës dëgjimore, të pandehurit pranuan veprimet inkriminuese.

– E pranojmë se kemi vjedhë në atë shpi, por s’e kemi dijtë se ajo asht e kryeprokurorit Zhitia”, kishin deklaruar të pandehurit. Një vërejtje e vockël e tyre doli se prokurori i kishte ngarkuar pak si tepër. “S’asht e vërtetë se ia kemi marrë pesëlirshin…”, pati thënë njëri nga ta.

Para shtatë vitesh, një i ri e hallakat shtëpinë ku banonte me qira ish – kryeministri Hashim Thaçi. Prokurori i çështjes, për këtë të ri qëndisi aktakuzën, për të tha: Ai ka pas ndërmend ta vras Thaçin… Shihe ti, ta vras Thaçin në kohën kur ai nuk gjendej në shtëpi ! Për këtë nonsens juridik e kam ngritur zërin me komentin “Kirurgët” e politikës…, të publikuar në gazetën elektronike “Telegrafi.com”.

Mjerisht, e fatkeqësisht, disa prokurorë ende e kanë vesin e së kaluarës, duan të bëhen “interesant”, t’i hyjnë në hatër politikës, për të treguar se organet e ndjekjes janë të efektshme, e ‘godasin krimin’.

Ajo çfarë ndodhi me kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezin, është një ogur i keq.

Edhe berberët, shitësit e specave e patëllxhanëve e të tjerët e dijnë se në rastin konkret, pallatin e Lumezit nuk e “vizituan” hajnat e pulave, por ata të mbitokës.

Hajnat e pulave nuk janë aq budallenj t’i hyjnë kësaj aventure.

Hetuesit e kanë vështirë ta ndriqojnë krimin.

Mbase ky krim që “dridhi” shtetin mund të ngel akt i përsosur, siç do të shpreheshin kriminalistët.

Kur sulmohet “shteti”, çfarë sigurie kanë qytetarët e rëndomtë ?

Më Shumë

Hyseni për herë të pestë fiton çmimin ‘Ylli i javës’

Federata e Futbollit e Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i javës”. Ky çmim për javën e 31-të...

Moti sot i ngrohtë, temperaturat deri në 22 gradë Celsius

Sot në Kosovë parashihet të mbajë mot me diell dhe vranësira, ku gjatë pasdites pritet të ketë reshje të izoluara shiu, kryesisht në zonat...

Lajmet e Fundit