Drejtësia në Kosovë po amniston politikanët e korruptuar, dhe ata me dosje të grumbulluara, të cilëve po ua zvarritin lëndët, gjersa atyre t’u skadojë afati ligjor, në mënyrë që dikur të njëjtit të rehabilitohen dhe sistemohen diku nëpër kthinat qeveritare, të cilat janë mbushur me udhëheqës debilë e të papërgjegjshëm. Kështu të paktën kanë vlerësuar analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë, të cilët kanë thënë po ashtu se korrupsioni i këtij niveli dhe këtyre përmasave veç tjerash në mënyrë direkte e pengon edhe zhvillimin ekonomik të vendit, e sidomos i pengon investitorët e huaj që të vijnë dhe të investojnë në Kosovë, për shkak se investitorët e vendeve perëndimore nuk investojnë në vende ku duhet dhënë dhjetë apo njëzet për qind për ta marrë një licencë ose për të hapur ndonjë biznes. Ndaj në këtë drejtim është ngritur edhe çështja se a po amnistohen politikanët e korruptuar përmes parashkrimit të lëndëve, dhe se çfarë drejtësie po ndërton Kosova në këtë aspekt, kur politikanët që vjedhin paranë publike shpëtojnë pa ferrë në këmbë, qoftë duke i hedhur në sirtar këto lëndë apo edhe më keq, duke i parashkruar fare, derisa sot nëpër gjykata nuk kemi vendime të prera për politikanë të korruptuar, por vetëm disa hetime e aktakuza që nuk përfundojnë asnjëherë.
Dibrani: Sistemi i drejtësisë në vendin tonë ka dështuar Analisti Shefqet Dibrani në një prononcim për gazetën, “Kosova Sot”, ka thënë se tashmë është e qartë se politikanët e Kosovës e kanë kapur shtetin, kurse me Kosovën dhe pasurinë e saj po sillen sikur ta kishin pronë private, derisa, sipas tij, sot nuk ka sferë e jetës që nuk është rrezikuar, kurse drejtësia është në një gjendje të mjeruar. Sipas tij, gjendja e mjeruar është edhe në arsim dhe në siguri që është katandisur si mos më keq.
“Nëse kthejmë kokën tek zhvillimi ekonomik, Kosova është vendi më i pazhvilluar dhe me një ekonomi, që nuk i përmbush as gjërat elementare të shoqërisë, tek një gjendje aspak më e mirë nuk është as në sektorin e shëndetësisë dhe të kulturës, të cilat në mënyrën e vet janë pasqyrë e realitetit të zymtë në Kosovë. Këtyre ditëve opinioni u alarmua me publikimet e testit PISA, ku Kosovën e radhit në vendet me nivelin më të ulët arsimor në botë?! As ky rast nuk e tronditi dhe as nuk e alarmoi prokurorinë e as drejtësinë e Kosovës, për të kërkuar llogari nga përgjegjësit shtetërorë. Po vite më parë problemin në arsim e ka trajtuar gjerë e gjatë edhe gazeta “Kosova Sot”, por sigurisht ato fakte dhe dëshmi nuk paskan qenë të mjaftueshme për drejtësinë në Kosovë për t’i ushtruar kompetencat e saj në këtë fushë, për të mos lejuar kësisoj degradimin e vlerave nacionale deri në këtë masë ku ka rënë Kosova”, shprehet Dibrani.
Sipas tij, vetëm në Kosovë ndodhin anomali politike ku zyrtarët kryesorë të vendit mashtrojnë popullin e tyre, ndërsa të nesërmen ndodhin ndërtime të mureve mes për mes qytetit, dhe askush nuk merr përgjegjësi për këtë dështim, e për fat të keq edhe drejtësia po hesht. “Ajo po hesht aq shumë sa tashmë me të drejtë qytetarët dyshojnë se kupola e krimit në të gjitha sferat e dështimit është pikërisht drejtësia, e cila po dëshmohet e paaftë dhe shumë e papërgjegjshme”, është shprehur më tej Dibrani. Ai ka shtuar se të gjitha këto anomali që kanë ndodhur dhe po ndodhin për çdo ditë, sikur po amnistohen nga vetë drejtësia, e cila nuk është në gjendje ta ndalë avazin e këtij degradimi kaq shqetësues.
“Drejtësia po amniston politikanët që vjedhin, politikanët e korruptuar, politikanët e papërgjegjshëm dhe politikanët me dosje të grumbulluara, të cilëve po ua zvarritin lëndët gjersa atyre t’u skadojë afati ligjor, në mënyrë që dikur ata të rehabilitohen dhe të sistemohen diku nëpër kthinat qeveritare, të cilat janë mbushur me udhëheqës debilë dhe të papërgjegjshëm. Andaj, për rrjedhojë kjo gjendje e bën edhe më të rëndë jetën në Kosovë, pasi gjykatat nuk marrin vendime të prera dhe deri më tani nuk kanë dhënë sinjale të mjaftueshme se po nis zbardhja e krimit politik, e krimit ekonomik, dhe se do të ndodhë dënimi i politikanëve të papërgjegjshëm dhe të gjithë atyre, që janë të paaftë, ndonëse i gëzojnë gradat më të larta akademike”, theksoi Dibrani.
Sipas Dibranit, si duket sistemi i drejtësisë në vendin tonë ka dështuar, por gjendja e tillë bëhet edhe më shqetë- suese, pasi vetëdija qytetare është e ulët. “Në vende të tjera, pra edhe të rajonit kanë dhënë shembuj se ata dinë të qeverisin dhe t’ua ndalin hovin degradimeve të kësaj natyre. Por, qytetari ynë sikur nuk e di për gjendjen reale, në të cilën ndodhet sistemi i drejtësisë e bashkë me të edhe sistemi arsimor, i cili përcillet edhe me dështime të tjera në fushën e sigurisë, shëndetësor dhe segmenteve të tjera, të cilat po të ishin më mirë do ta bënin jetën e qytetarit më të sigurt dhe më të lumtur”, është shprehur analisti Shefqet Dibrani./Kosova Sot/