Në mesin e shumë zejeve që kanë ushtruar zejtarët prizrenas ishte edhe ajo e kambanave e zileve që vendosen edhe sot e kësaj dite në qafë të deleve apo të bagëtive të tjera. Profesor Dr. Nexhat Çoçaj, etnolog, është shprehur për “Kosova Sot” se kambana ose kumona, siç njihet në popull, vendoset për ta orientuar vathen. “Ajo i vihet ogiçit, lopëve e gjedheve, të cilat u prijnë deleve ose kopesë së lopëve dhe kjo për arsye që ato kope të mos kalojnë nëpër ara për shkaktuar dëmeve të fqinjëve. Sipas Çoçajt, kambanat e zilet kanë edhe një rol tjetër të rëndësishëm dhe ai është që ato largojnë syrin e keq.
Sipas tij, ato kryesisht janë punuar nga bakri që kanë pasur rëndësi të mos e lëndojë qafen e bagëtisë dhe për faktin se kurrë nuk ndryshken. Profesor Adem Morina shpjegon se kambanat (kumonat) kanë pasur rëndësi edhe në rajonin e Hasit për bagëtinë që mos të humben ato dhe të gjenden më lehtë. “Janë tradita shumë shekullore, ku banorët brez pas brezi trashëgojnë bile edhe muzikën baritore me fyej, cyla, longari dhe zilet e bagëtive”, shprehet ai. Çoçaj shpjegon se karvanëve ia kanë vënë zilet edhe për faktin se shtigjet ishin të ngushta dhe duhej pritur që ato mos të binin honeve. Sipas tij, në Has e Përdrini për kambanat (kumona) ka pasur edhe një rit se nëse fëmijët pinë ujë nga ajo apo zilja e një vathe të madhe në jetë do të jenë të pasur. Kambanat janë një simbolikë e besimit të lashtë ilir.
Prizreni dikur ka pasur shumë kambanarë
Sipas profesor Sylejman Randobravës, Prizreni dikur ka pasur disa kambanar që janë marrë me këtë zeje. Ai tregon se kambanat apo zilet i punonin shumë farkëtarë të Prizrenit, por, sipas tij, më të njohurit ishin farkëtarët e familjes Çukiqi. Farkëtari i kësaj familjes Rexhep Çukiqi tregon se ata kishin bakrin e mirë dhe punonin shumë kambana (kumona), por ato tash pak kërkohen. Shadan Shinik tregon për gazetën se dikur kishte shumë llogari të merreshe me prodhimin e kambanave, dhe, sipas tij, deri para lufte një kumonë e apo zile shitej deri në 40 marka gjermane. Shton se tash kërkesat janë më të vogla. Shiniku thotë se pos turistëve që i blejnë ato, blegtorët i blejnë secilën herë e më rrallë. Kurse farkëtari Rexhep Çukiqi tregon se tashmë nuk i punojnë më, ngase produktet e tilla i sjellin tregtarët nga Turqia. Thotë se dikur kishin përfitime të mëdha nga ky zanat. Çukiqi shprehet se për të tingëlluar kambanat sa më shumë, ato duhej bërë sa më të holla. “Pastaj duhej vënë edhe një rrumbullak çeliku që e dërgonte zërin deri në largësi. Mirëpo, pasi nevojat janë reduktuar shumë, tash edhe prodhimin e bëjmë vetëm me porosi, ngase materiali i bakrit është mjaft i shtrenjtë”, tregon Çukiqi.
Ujë nga kambana që fëmijët të bëheshin të pasur kur të rriteshin
Kambanat (kumonat) edhe në besimin e traditës kanë pasur një rol dhe rëndësi të veçantë, tregon Nexhat Çoçaj. Plaka Besire Berisha tregon për gazetën se dikur edhe fëmijëve të vegjël u vinin nga një zile të vogël, që ata të bëheshin të parët më të dalluarit dhe iu vihej fëmijëve për t’i larguar nga syri i keq. Berisha thotë se, sipas traditës, fëmijëve të vegjël rreth tre muaj u jepnin tri ditë ujë nga zilja apo kumonat, që të bëhen të pasur e të dalluar e apo që të mos i përcjell ndonjë e keqe. Sipas saj, edhe sot e kësaj dite kur lindin fëmijët e hasretit vazhdojnë t’u vendosin nga një zile të vogël. “Në Has bile u vendosen këto zile që fëmijët të jenë të zgjuar, të zëshëm dhe të aftë për të jetuar me sukses”, shprehet Berisha. Leme Fejzullahu tregon se këtë traditë edhe sot e bëjnë në shumë familje. “Ka plot familje që zilet në secilën festë tradicionale apo fetare i vendosin kambanat apo zilet në dyert e hyrjeve”, është shprehur ajo. “Mirëpo, tani prodhimi i këtyre kambanave apo zileve në Prizren është i pakët dhe është vështirë të gjenden”, tregon ajo. Dyqani që i ka prodhuar dikur këto produkte në Prizren, i familjes Shinik, i sjellin nga Turqia e i shesin me çmime më të kapshme për blerësit.
(Kosova Sot)