21 C
Prizren
E diel, 27 Korrik, 2025

Prizren: Teqeja e Saraçhanës është qendra e 12 teqeve halveti të Kosovës

Tarikatet e ndryshme islame gjetën shtrirje gjatë shekujve edhe në hapësirat shqiptare. Një shembull i tillë është edhe qyteti i Prizrenit, që shquhet për harmoninë ndërfetare. Një prej tarikateve të njohura është edhe tarikati Halveti. Themeluesit e Tarikatit Halveti fillojnë me Hazretin Piri Umeru Halveti, ku dihet se viti i vdekjes së tij shënohet me 1347 në Azerbajxhan. Tradita e këtij tarikati vazhdon me Hazreti Ahi Mirim Halveti, Izzeddin Halveti dhe Sadredin Hijavi. Po ashtu këtij tarikati i kanë kontribuar Hazreti Pirin Sejjid Jahja Shirvan, i cili ka ndërruar jetë në vitin 1464 në Azerbajxhan, për të vazhduar me Muhamed Erxinxhani, Ibrahim Kami Kajseri, Alaudin Ushaki, Pirin Ahmed Shemsedin Marnovi, pastaj Mehmed Kasim Larendevi, Ahmed Mijjedin Krahisari. Si themelues i Teqesë në Prizren llogaritet se ishte Hazreti Pirin Ramazanuddin Mahfi, ku thuhet se vdiq me 1616 në Stamboll.

“Për këtë Tarikat në Serez të Greqisë, para 300 vitesh atje studion i pari i Teqesë së Saraçhanës, Haz. Shejh Osman Prizreni dhe nga ku fillon së funksionuari kjo teqe”, shpjegon për “Kosova Sot” Sheh Abedin Shehu, kryesues i Teqesë. Ai tregon se në kohën e komunizmit ka pasur presion të madh mbi njerëzit e fesë. “Zyrtarisht nuk ishte e ndaluar feja, por realisht në hyrje të derës së teqesë ishin sigurimi shtetëror që pastaj i keqtrajtonin njerëzit deri në vdekje. Duke parë këtë gjë paraardhësi im i urdhëron që besimtarët mos të shkojnë në teqe. Në vend të kësaj, ai i vizitonte vetë ata. Kjo kohë ishte një kohë plot rreziqe. Prandaj roli dhe rëndësia e teqesë atëbotë u pa se ishte jetike”, rrëfen ai. Kjo teqe është selia e tarikatit Halveti për gjithë Ballkanin. Shejh Abedin Shehu aktualisht udhëheqës i kësaj teqeje, është intelektual i shkolluar në Universitetin e Prishtinës dhe në Turqi.

Duke folur për “Kosova Sot”, ai shpjegon edhe hierarkinë e kësaj teqeje. Sipas tij, i pari i kësaj teqeje ishte Shejh Osmani i lindur në Vlesh të Dibrës, pastaj në krye të kësaj teqeje kanë ardhur Shejh Ahmeti, Shejh Sinani (nipi i Shejh Osmanit), për të ardhur pastaj Shejh Shihabudin që ishte nipi i Shejh Osmanit prej djalit, pastaj Shejh Xhemajliu, Shejh Shibahudini (nipi i Shejh Shihabudinit të parë), Shejh Alajdini, Shejh Hyseni, Shejh Hasani, Shejh Nexhati për të ardhur tash në krye të saj Shejh Abedin Shehu. Duke folur për rolin kombë- tar që ka pasur kjo teqe, Shejh Abedin Shehu përmend rastin e dënimit të Shejh Shihabudinit, të cilin qeveria osmane e dënoi me 101 vjet burg, sepse ishte prefekt i Lumës dhe organizator i kryengritjes kundër qeverisë osmane. Rol shumë të rëndësishëm ka pasur edhe Shejh Hasani, i cili ishte prijësi kryesor i Lidhjes së Dytë të Prizrenit.

“Shejh Hasani ishte figura atdhetare që assesi nuk pranoi të shiste as edhe nderin e vetëm një shqiptari, si veprimtar i palodhur i Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Vepra e tij është vepër e paharruar”, shprehet Shehu.

Teqeja e Planejës ishte çerdhe atdhetarie

Ndërsa, studiuesi Nexhat Çoçaj shprehet se edhe Teqeja e Planejës ishte njëra ndër teqetë më atdhetare për shekuj të tërë. “Sheh Sylejmani ishte bashkëpunëtor i Hasan Prishtinës e Isa Boletinit. Rrahman Shehu ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Shtjefën Gjeçovit, i cili gjatë kohës sa shërbente në Zym, më shumë ka qëndruar në Planejë se sa në Zym. Qëllimi i Gjeçovit ishte që përmes Teqesë së Sheh Tahirit t’i bindte popullin e Hasit të besimit islam që të mos shpërngulen për në Turqi. Kjo ishte edhe arsyeja e lidhjes së ngushtë të Gjeçovit me këtë teqe. Muharrem Shehu, që ishte pjesëtar i kësaj teqeje, kishte edhe miqësi me gjithë Hasin dhe në këtë mënyrë u zhvillua kjo veprimtaria e madhe kombëtare, duke mos lejuar që të shkonte askush për në Turqi”, shprehet Çoçaj. Ai rrëfen se kur vritet Gjeçovi, Rrahman Shehu organizon popullin e Hasit të besimit islam dhe për një javë të mbajnë zi për vrasjen e Gjeçovit. “Për një javë ditë as arat e Hasit nuk i lëvruan. Ky mesazh iu dha për të kuptuar edhe regjimit, por edhe dashakeqëve se mbi të gjitha tek shqiptarët është toleranca dhe atdhetaria e kësaj teqeje”, shpjegon dr. Nexhat Çoçaj.

Themelues i Teqesë në Planejë është Sheh Tahiri

Një prej tarikateve të tjera prezente në Prizren është edhe ai Nakshibendi .Ky tarikat mendohet se e ka marrë emrin nga Muhamed ibin Muhamed Bahudin al-Buhariju Nakshibendi (i vdekur në vitin 1389), e që në fakt ky tarikat nuk fillon me Bahudin Nakshibendin si themelues, por nga shumë studiues të këtij lëmi mendohet se themelues i vërtetë i këtij tarikati është Abu Jakup Jusuf al – Hamadanijem (i vdekur më 1140 ), i cili kishte hartuar listën me tetë rregulla fetare, ndërsa Nakshibeni e kishte rritur këtë numër në njëmbëdhjetë rregulla dhe kishte bashkëpunim me të gjitha tarikatet ekzistuese në atëkohë. E këtij rendi në Has është teqeja e Sheh Tahirit në Planejë, e cila u ngrit në mesin e dytë të shekullit XIX, po në atë vend ku gjendet edhe sot. Themelues i Teqesë në Planejë është Sheh Tahiri, i biri i Imerit. “Ndonëse nuk kemi të dhëna të sakta për jetën dhe veprën e Sheh Tahirit të parë, për të cilin mendohet se ishte bashkëkohanik i atdhetarit Ymer Prizreni, mendojmë se Teqeja e Planejës është themeluar përafërsisht rreth vitit 1853, pra para 159 viteve.

Këtë përllogaritje të themelimit e mbështes në numrin e kuburëve në tyrben e kësaj teqeje, në udhëheqësit e teqesë dhe në analizën e disa rrethana historike, që lidhen me kontributin e kësaj teqeje. Sheh Tahiri, i cili kishte arritur të shkollohet, për një periudhë kohore kishte shërbyer si udhëheqës i disa institucioneve arsimore në Stamboll. Në mungesë të të dhënave historike, këto supozime mund t’i bazojmë vetëm në gojëdhëna, të cilat jo se nuk kanë bazë, por mbetet detyrë e studiuesve e në veçanti e familjarëve, që të hulumtojnë në arkivat e Stambollit, kohën kur ai ka qenë drejtor i shkollave të mesme në Stamboll. Në anën tjetër, Sheh Tahiri, themelues i teqesë në Planejë, për pak kohë kur ishte kthyer nga Stambolli ka shërbyer kadi në Prizren”, rrëfen Çoçaj.

Në bazë të rrjedhave historike, mendohet se Sheh Tahiri, profesionin e tij kadi e ka ushtruar nga maji i vitit1851 deri në qershor të po këtij viti. Për arsye se ai duhej t’i gjykonte njerëzit e gjakut të tij, pra shqiptarët, vullnetarisht e la punën e kadiut dhe pushteti otoman e internon në afërsi të fshatit Dedaj. Meqenëse Sheh Tahiri në atë kohë ishte rreth të pesëdhjetave, për të mbajtur familjen e tij, ai nisi ta ushtrojë profesionin e imamit dhe kryente edhe shërbime të tjera fetare. Brenda një periudhe të shkurtër ai bëhet i njohur në Krahinën e Hasit edhe si besimtar, por edhe si njeri i shkolluar. Sipas shumë dëshmive, të cilat ku më shumë e ku më pak janë publikuar, mendohet se ShehTahiri ishte në njëfarë mënyrë këshilltar politik i Ymer Prizrenit, sepse që të dy ishin nxënës të një rryme fetare, pra shehlerë të tarikatit Nakshibendi. Kontributi i Sheh Tahirit në çështjen kombëtare është i madh, i cili në atë kohë do ta ndihmojë lëvizjen kombëtare dhe organizimet e shumta për t’u çliruar nga zgjedha e Turqisë.

Një kontribut të madh Sheh Tahiri i parë do ta japë edhe në ngritjen e teqesë së Kaderive në Lugishtë të Hasit, duke e ndihmuar Sheh Salihun, që ta ngrejë teqenë e vet disa vite me vonë. Sa i përket angazhimit kombëtar të kësaj teqeje, pos Sheh Tahirit, themeluesit të teqesë, me një aktivitet të bujshëm kombëtar ka qenë i njohur jo vetëm në Has, por edhe më gjerë edhe Sheh Sylejmani, nipi i Sheh Tahirit të Parë, apo i biri i Sheh Imerit. Emri i Sheh Sylejmanit gjendet hiq më pak se në pesëmbëdhjetë dëshmi në Arkivit Shtetëror të Tiranës, në dosjet e Prefekturës “Kosova” me selinë Krumë, Në Arkivin e Prishtinës e në dokumente të tjera të shkruara. Sipas të dhënave të shkruara, aktiviteti atdhetar i Sheh Sylejmanit i njohur si Sheh Syla, ka qenë nga viti 1912 e deri në vitin 1931, kur mendohet se ka kaluar nga kjo jetë e postin e tij e merr Sheh Tahiri i Dytë, djali i dytë i tij. Kontributi i Teqesë së Sheh Tahirit, gjithsesi do të jetë interesimi i studiuesve të mirëfilltë të historisë, sepse deri më tash askush nuk është marrë me historinë e bujshme të kësaj teqeje e në veçanti për kontributin e Sheh Tahirit të Parë (1796 -1882), Sheh Sylën (1871-1930), por gjithsesi kontribut në çështjen kombëtare ka luajtur edhe Sheh Tahiri i Dytë dhe Muharrem Shehu.

(Kosova Sot)

Më Shumë

Masë e re në Malishevë: Ndalohen automjetet në bulevardin kryesor pas orës 20:00

Nga data 22 korrik deri më 31 gusht 2025, çdo ditë nga ora 20:00 deri në 24:00, ndalohet qarkullimi i të gjitha automjeteve motorike...

Ndalohet lëvizja e automjeteve mbi 15 tonë nga ora 11:00 deri në 17:00

Hysen Durmishi, zëvendësministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka njoftuar për një masë kufizuese që hyn në fuqi nga nesër, më...

Lajmet e Fundit