5.5 C
Prizren
E premte, 16 Janar, 2026

Me poezitë e Thimjo Nathanailit

Nga lisi i lartë, i vjetër / Një gjethe e verdhë u shkëput / U end vallëzoi në ajër / Dhe u preh në tokën e butë…

Këto janë vargjet e para të poezisë “Lisi” me autor Thimjo Nathanaili. Një poezi e ndjerë e cila ndërthur bukur një ndjesi njerëzore, me çastet e natyrshme të natyrës, duke e parë Lisin si një pjesë tonën.

Lisi i moçëm që personifikon jetën e pafundme, nuk mban gjë tjetër veç shtresat shpesh të trishtuara të një realiteti që na rrethon. Megjithatë, poeti kërkon të shohë bukur. Ai e përdor poezinë si një formë për të depërtuar tek drita që ndodhet gjithmonë diku, përmes së cilës mund të gjesh gëzimin e jetës. “Sonata e lisit”, nr 1 dhe, nr 2, dy vëllime poetike na ftojnë në një botë të jashtëzakonshme ndjenjash, shprehur me një gjuhë të kujdesshme, e plot stil, nga një poet, i cili dhe pse vjen vonë në botën e letrave, di të befasojë e të qëndrojë aty.

Poetit i pëlqen t’i quajë dy librat si një të vetëm, një këngë në vargje që rrjedh e buron nga muza dhe filozofia e tij për trininë e shenjtë tokësore: Natyra-Njeriu-Dashuria. E kjo ndjehet lehtë teksa kalon nga një poezi në tjetrën. Shpëtim Çuçka përkthyes dhe njohës i mirë i librit, nuk mund të rrinte pa shkruar disa rreshta pas leximit të poezive të mikut të tij Nathanaili.

“Mendoj që vjershat e tua janë pjesë e letërsisë që arrin të komunikojë me lexuesin…ato arrijnë që të hapin dyert e zemrave të njerëzve. Kjo është një arritje e madhe në art. Njeriu që arrin të hyjë tek të tjerët, që gjen vend te vatra e të tjerëve është NJERI. Dhe, kjo është arritje shumë e madhe në jetë. Më e madhja! Pas këtij çasti, pas kaptimit të këtij pragu, hapet rruga e pafund e përsosmërisë. E përsosmërisë të shprehjes, e përsosmërisë së komunikimit me të tjerët, me të panjohurit…”, shkruan Çuçka.

Thimjo Nathanaili u lind më 29 dhjetor 1950 në Tiranë. Shkollën e mesme e kreu pranë gjimnazit “Petro Nini Luarasi” me rezultate shumë të mira, ku dallohet veçanërisht në lëndën e letërsisë. Si për ironi të fatit caktohet për të vazhduar shkollën e lartë për oficer, por e refuzon. Punon si punëtor për një vit. Studimet e larta i fillon pranë Fakultetit Gjeologji Miniera, dega Gjeofizikë. Më vitin 1974 diplomohet si inxhinjer gjeofizikë.

Rreth 20 vjet punon në malet e Shqipërisë, në kërkim të mineraleve të bakrit dhe aluminit, larg pasionit rinor letërsisë, por pranë e mes natyrës e njeriut shqiptar. Pas vitit 1990 punon si specialist për 12 vjet në Drejtorinë e Taksave Bashkia Tiranë.

Më vitin 2013 pas largimit nga detyra shtetërore,me kohën e lirë në dispozicion, rikthehet e takon “dashurinë e vjetër“ letërsinë. Poezitë e para publikohen në përmbledhjen me titull “Sontata e Lisit, nr1” në janar 2015.

Më pas boton “Sonata e Listit nr 2”. Tashmë ai është duke përfunduar “Sonatën e Lisit nr 3”. Kjo metaforë për të depërtuar brenda shpirtit njerëzor, përmes një peme dhe gjendje kaq të ndjerë të natyrës, e bën atë një poet që do lexohet gjithmonë.

Rasti i Thimjo Nathanailit, këtij poeti befasues tregon se koha për tu rikthyer tek gjërat që duam më shumë është gjithnjë aty, dhe asnjëherë nuk është vonë. /Shqip/

Më Shumë

Hapen regjistrimet për turneun Alley-Oop në Prizren

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka njoftuar hapjen e regjistrimeve për turneun Alley-Oop 3x3, i cili do të zhvillohet më 31 janar 2025...

Vrasje në tentativë, arrestohet një person në Prizren

Një person është arrestuar për veprën penale “Vrasje në tentativë”. Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur...

Lajmet e Fundit