15.8 C
Prizren
E mërkurë, 27 Nëntor, 2024

Avokat Gashi: Incizimet për rastin ‘Dehari’ janë manipuluar

Hetimet për rastin e vdekjes së aktivistit 26-vjeçar të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, po hyjnë në muajin e gjashtë. Përveç që rasti nuk është zbardhur ende, dilema të reja janë ngritur, që vënë në pikëpyetje edhe seriozitetin e organeve të hetuesisë karshi këtij rasti.

Disa ditë pas vdekjes së aktivistit të Vetëvendosjes në qelinë e Qendrës së Paraburgimit në Prizren, në disa media u patën publikuar pamje nga kamerat e sigurisë. Publikimi i paligjshëm i këtyre incizimeve ndodhi pak ditë pasi kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha, i kishte sekuestruar incizimet në cilësinë e provave materiale, shkruan Konica.al

Përfaqësuesi ligjor i familjes Dehari, avokati Tomë Gashi kishte ngritur menjëherë kallëzim penal ndaj personave përgjegjës në Drejtorinë rajonale të Policisë së Kosovës në Prizren, personave përgjegjës të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Agjensionit të Kosovës për Forenzikë për veprat penale “zbulim i paautorizuar i informacioneve konfidenciale’, ‘manipulim me prova’, ‘zbulim i fshehtësisë zyrtare’ si dhe ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’.

Afër 6 muaj pas këtij kallëzimi penal, Prokuroria Themelore në Prishtinë ende nuk ka njoftuar nëse janë hapur hetime penale për këtë rast.

Avokati Tomë Gashi, në një prononcim për portalin Konica.al, ka thënë se prokurori Besim Kelmendi e kishte dërguar me urgjencë kallëzimin në fjalë në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

“Tanimë janë mbushur 5 muaj prej kur është dërguar ky kallëzim penal, por familja Dehari dhe unë si përfaqësues juridik i saj, ende nuk kemi përgjigje se kundër kujt janë hapur hetimet penale në institucionet që i kanë pasur në posedim incizimet e Qendrës së Paraburgimit në Prizren, ku është vrarë aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë ai.

Përfaqësuesi ligjor i familjes Dehari ka thënë se në kallëzim penal është kërkuar që të mos angazhoheshin hetuesit policor nga rajoni i Prizrenit për shkak se drejtori i Policisë së Prizrenit kishte dhënë deklarata të rrejshme se Astriti kishte vdekur nga përdorimi i tepruar i ilaçeve.

Avokati Gashi ka thënë se edhe vetë prokurori Metush Biraj duket se e ka të qartë që ka prerje të incizimeve të korridorit të burgut në Prizren, pasi të njëjtat janë dërguar në Austri për ekspertizë.

“Prokurori Biraj duket se e ka të qartë se ka prerje të incizimit të korridorit të burgut në Prizren, apo ndonjë arsye tjetër që nuk iu beson institucioneve forenzike të Kosovës”, ka thënë ai.

Avokati Gashi beson se ‘incizimi është manipuluar qëllimisht nga zyrtarët kompetent, ndaj të cilëve është ngritur kallëzim penal’.

Ai ka shtuar se rasti i vrasjes së aktivistit Astrit Dehari është ndërlikuar edhe më tepër pas vdekjes së të burgosurit Naser Makolli. Sipas tij, ky dëshmitar që vdiq në burg kishte deponuar deklarata që konfirmonin frikësimin dhe keqtrajtimin që ishte bërë ndaj Astrit Deharit gjatë kohës sa mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

“Rasti i vrasjes së Astrit Deharit në burg është bërë edhe më i rëndë për t’u hetuar pasi kohë më parë vdiq edhe dëshmitari kryesor i këtij rasti, Naser Makolli, i cili kishte qenë në qeli me Astritin që nga dita e parë e burgosjes së tij”, ka thënë avokati Gashi. /Konica.al

Më Shumë

Hamza në Xerxë: Bizneset i mbështesim me investime, por kërkojmë prej tyre më shumë mbështetje për punëtorët

Kandidati për Kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza, ka vizituar një biznes prodhues në Xerxë të Rahovecit. Hamza ka thënë se do t’i mbështesin ndërmarrjet...

Arrestohen 18 persona në Prizren për skema piramidale dhe armëmbajtje pa leje

Policia e Kosovës ka arrestuar tetëmbëdhjetë persona në Prizren, të dyshuar për përfshirje në “Organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm” si dhe...

Lajmet e Fundit