Zyrtari policor, Edmond Villa, në seancën gjyqësore të së premtes ku po gjykohen Shaqir Likaj dhe Hajdin Likaj për vrasjen e vëllait të tyre, Kujtim Likaj, ka thënë se kur kishte arritur në vendin e ngjarjes në fshatin Krajk, kishte parë dy trupa në tokë. I njëjti deklaroi se njëri prej trupave ishte i palëvizshëm, ndërsa tjetri murmuriste nga dhimbjet.
Dëshmitari Villa, deklaroi se fillimisht me një peshqir ka larguar armën afër të akuzuarit Shaqir Likaj, i cili poashtu kishte qenë i plagosur. Ai tha se pasi që e ka siguruar armën, ka ardhur emergjenca dhe e kanë marrë Shaqirin.
Në këtë seancë kishte për të dëshmuar edhe i dëmtuari Flamur Likaj, i cili është djali i të ndjerit, Kujtim Likaj, por i njëjti ka kërkuar që dëshmia e tij të merret në një seancë tjetër pasi që për arsye emocionale nuk është në gjendje të dëshmojë.
Poashtu në këtë seancë kishte për të dëshmuar edhe eksperti mjekoligjor Naim Ukaj dhe eksperti i balistikës Hazir Kelmendi. Mirëpo në seancë nuk ishte i pranishëm eksperti Ukaj, i cili ka lajmëruar gjykatën se do të mungojë për shkak të një mbledhje të rëndësishme. Ndërkaq, eksperti Kelmendi ka kërkuar që të deklarohet rreth ekspertizës së bashku me ekspertin Ukaj, pasi që kanë lidhshmëri ekspertizat.
Në këto rrethana, trupit gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Xhevdet Elshani, ka miratuar kërkesat e të dëmtuarit Flamur Likaj dhe ekspertit Hazir Kelmendi, të cilët janë caktuar që të deklarohen në seancën e radhës të 15 majit 2017, më fillim në ora 9:00.
Ndryshe, ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, me të cilën, të akuzuarit Shaqir dhe Hajdin Likaj, i ngarkon me veprën penale të vrasjes së rëndë, në bashkëkryerje.
Sipas aktakuzës, rasti kishte ndodhur pas mosmarrëveshjeve të mëhershme, dhe fjalosjes në ditën kritike në mes të akuzuarve dhe të ndjerit Kujtim Likaj. Fjalosja kishte të bënte lidhur me kalimin e veturave të dasmorëve në një rrugicë të përbashkët, nga e cila kanë filluar të shtinë me armë zjarri të akuzuarit dhe i ndjeri.
Me këtë rast, ka mbetur i vdekur Kujtim Likaj dhe është lënduar rëndë djali i tij Flamur Likaj. Poshtu edhe të akuzuarit kanë qenë të plagosur nga armët e zjarrit.
Aktakuza i ngarkon edhe të akuzuarit Hajdar, Isuf, Shpejtim dhe Shkëlqim Likaj, me veprën penale “pjesëmarrje në rrahje”./betimiperdrejtesi/