7 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Diçka për Jerusalemin e PDK-së

EnisVeliu-gazetarShkruan: Enis Veliu

Edhe më tutje Partia Demokratike e Kosovës (PDK), nuk po e bën publik emrin e kandidatit për kryetar të komunës së Prizrenit, apo Jerusalemit të PDK-së, siç e konsideron këtë qytet lideri i partisë, Hashim Thaçi.

Ditët kur do të mbahen zgjedhjet lokale në vend, gjithnjë e më shumë po afrohen. E në anën tjetër, vendimi për ta bërë publik emrin e kandidatit nga radhët e PDK-së, gjithnjë e më shumë po komplikohet.

Shefi i partisë (Hashim Thaçi), është në kërkim të një njeriu të moderuar për ta futur në garë në zgjedhjet e tre nëntorit për këtë qytet.

Si opsion para pak ditësh, PDK-ja jozyrtarisht kishte “prezantuar” si kandidat të mundshëm sekretarin aktual të ministrisë së Kulturës, Veton Firzi.

Mirëpo, një pjesë e elektoratit në këtë qytet, nuk po pajtohen me propozimin e liderit të partisë. Pasi që sekretari aktual i Memli Krasniqit, në zgjedhjet e fundit të vitit 2009 ka qenë në shtabin elektoral, të kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Deri vonë për këtë pozitë, Thaçi e kishte pasur për zemër kryetarin aktual Ramadan Muja. Mirëpo, konfirmimi i aktakuzës për abuzime me fonde publike, në mënyrë automatike Thaçit ia hoqi kandidatin më të preferuar, e përmes të cilit kishte besuar se PDK-ja, do të dalë fituese e zgjedhjeve edhe për një mandat.

Mirëpo, në anën tjetër, Nait Hasani, edhe më tutje nuk po lëshon pe. Ai po kërkon nga shefi i partisë që ta fusë në garë si kandidat për kryetar të komunës nga radhët e PDK-së, e që një gjë e tillë, edhe më tutje vazhdon të jetë e papranueshme për liderin e partisë Hashim Thaçi.

Hasani pas vetes ka anëtarësinë tradicionale të PDK-së. Ndërkaq, këta të tjerët duke përfshirë edhe Firzin, mbrapa vetes kanë elektorat të “moderuar”. Siç thotë një fjalë e vjetër “Kah të fryjë era e kthejnë gëzofin”. Por, te rasti i Hasanit, si dihet shefit të partisë i kanë mbetur dy opsione.

Ta emërojë si kandidat për kryetar të komunës nga partia e tij, ose në të kundërtën me të mund të ballafaqohet si rival, pasi që Hasani mund të dalë si kandidat i pavarur për kryetar komune, apo edhe si pjesë e ndonjë partie politike tjetër.

Kështu që çdo ndryshim sado i vogël, mund të reflektohet në rezultate. Në zgjedhjet e fundit lokale në Prizren, kryetari aktual i komunës Ramadan Muja, përmes një procesi të manipuluar arriti të marrë 19,257 vota. Ndërkaq, pas tij qëndronte kandidati i LDK-së me 17,721.

Kështu që çdo humbje e mundshme e elektoratit sado e vogël të jetë ajo do të ishte “fatale” për partinë e kryeministrit.

Ky i fundit e di këtë punë më së miri, sepse kështu i ka ndodhur edhe para zgjedhjeve të fundit lokale në vend, kur për çështje parimore partinë e kryeministrit e pati braktisur kryetari i degës, Zafir Berisha.

Largimi i tij, kisha pasoja të rënda për PDK-në, pasi që Berisha pas vetes i mori së paku 4000 votues, duke e ulur dukshëm numrin e anëtarëve të PDK-së në këtë qytet.

Ditëve të fundit kryeministri Thaçi i është rikthyer Prizrenit, dhe është duke e bërë të pamundurën për ta gjetur një kandidat të pranueshëm për të gjithë njerëzit e partisë së tij. Përndryshe ai është i vetëdijshëm se nga ndarja e mundshme e partisë edhe një herë ai do ta humbë edhe Jerusalemin.

Më Shumë

Qeveria ndan nga 100 euro për fëmijët dhe pensionistët

Në një konferencë të përbashkët për shtyp, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kanë njoftuar se...

Prevalla e mbipopulluar nga vizitorët|VIDEO

Pika turistike e Prevallës është mbipopulluar me vizitorë të shumtë, që vikendeve dëshirojnë të kalojnë kohën në një ambient dimëror. Reshjet e borës kanë...

Lajmet e Fundit