6.5 C
Prizren
E hënë, 3 Shkurt, 2025

Panairi i Librit 2017, tërheqës për vizitorët

Me fluks të madh të vizitorëve ka vijuar të martën në Prishtinë dita e dytë e Panairit të Librit, që sivjet shënon edicionin e 19-të.

Në panairin ku po marrin pjesë botues nga të gjitha trojet shqipfolëse librat po shiten me ulje çmimi, që ndryshojnë nga stenda në stendë.

Të mërkurën Shoqata e Botuesve të Kosovës shënoi 600-vjetorin e Palë Engjëllit, autorit të “Formulës së pagëzimit”. Në anën tjetër gjatë ditës pati edhe një promovim libri. Shtëpia botuese “Buzuku” promovoi librin “Gjinkallat e vapës”, të shkrimtarit nga Shqipëria, Besnik Mustafai, për të cilin folën Anton Nikë Berisha e Abdullah Zeneli.
Duke folur për veprën e Mustafait studiuesi Anton Nikë Berisha bëri thirrje që lexuesit të mësohen ta lexojnë tekstin e jo autorin.

“Autori Besnik Mustafaj ka bërë diçka që është një lloj çelësi për t’u futur brenda. Besniku na sjell diçka të sinqertë, romani faktikisht nuk është një roman i ri, por është i rishkruar”, u shpreh ai.

Në anën tjetër autori tropojan i njohur edhe si ish-politikan foli për karrierën e tij në dy drejtime, atë politike, që e ka braktisur prej vitesh dhe këtë letrare, duke u zotuar se tashmë do të merret vetëm me letërsi.

“Për shumë vite kam qenë midis politikës e letërsisë, njerëzit kërkonin fjalimet ndërsa lexuesit donin shkrimin. Ndërsa tash jam kthyer tek shkrimi dhe shpresoj dhe jam shumë i nderuar që një personalitet si Antoni e ka pëlqyer librin tim dhe po ashtu shpresoj që edhe një pjesë prej jush do ta lexoni romanin tim dhe do t’ju pëlqej. Ky roman ka një histori të veçantë, versioni i parë si tregim është botuar më 1985-ën, versioni i dytë më 1993-ën dhe është një tregim me fjalor të Tropojës dhe në këtë kuptim kjo ka qenë një lehtësi për t’iu kthyer për ta rishkruar, sepse nuk ndryshonte në thelb historia por vetëm zgjerohej dhe shpresoj që kam arritur një rezultat me këtë version të fundit”, tha Mustafai.

I kënaqur që ka sjellë shkrimtarin Besnik Mustafai në Kosovë u shpreh edhe botuesi Abdullah Zeneli.

“Nuk ka më mirë sesa kur promovohet një libër siç është ky i Besnikut sot. Unë doja që Besnik Mustafai të ishte pjesë e panairit vite më parë, por ishte e pamundur. Kështu që unë këmbëngula shumë dhe ia arritëm, por gjëja interesante ishte ajo me librin që është dashur ta dërgoja edhe në një shtyp tjetër, pasi që frikësohesha që kishim pak ekzemplarë. Dhe kështu ia dolëm dhe në panair kemi kopje të mjaftueshme të librit të Besnikut”, tha ndër të tjera Zeneli.

Në anën tjetër shtëpia botuese “Pema”, që në panairin e Prishtinës merr pjesë për herë të tretë, bëri prezantimin në stendë të 20 titujve të rinj.

“Tituj të veçantë të këtij panairi nga shtëpia botuese ‘Pema’ janë botimet e biografive të emrave të njohur bashkëkohorë, por edhe të shkrimtarëve klasikë, si biografia e Malala Yousafzai, biografia e Elon Musk dhe shënimet autobiografike të George Orwell, janë prurjet e ‘Pemës’ ekskluzivisht për panair. Mandej autori Malcolm Gladwell vjen me 3 tituj, ‘Davidi dhe Goliati’, që është botuar ekskluzivisht për panair dhe ‘Pika e kthesës’ e ‘Blink’, që janë botuar në intervalin kohor prej panairit të kaluar”, tregoi për gazetën “Zëri” botuesi i “Pemës”, Edon Zeneli.

Ndonëse në hapjen e Panairit të Librit, që u bë të martën, nuk u panë politikanë, gjatë ditës së marte dy kandidatët për kryeministër të Kosovës, Abdullah Hoti nga radhët e koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Albin Kurti nga lëvizja “Vetëvendosje”, vizituan panairin dhe biseduan me botuesit.

Këtë vit në Panairin e Librit në Prishtinë po prezantohen rreth 1100-1200 tituj të rinj, kurse numri i titujve të viteve të fundit shkon deri në rreth 4000.

Panairi i Librit në Prishtinë organizohet çdo vit nga Shoqata e Botuesve të Kosovës. Edicioni i parë i tij është mbajtur në datat 17-22 nëntor të vitit 1999, ndërsa të tjerët janë organizuar çdo herë gjatë muajve maj-qershor.

Panairi i Librit do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë deri të dielën, nga ora 9:00-20:00, kurse hyrja për vizitorë do të jetë falas. /ZËRI/

Më Shumë

Derbi i Prizrenit në Superligën e femrave: Junior 06 sfidon Bashkimin

Sonte, basketbolli i femrave në Kosovë do të ofrojë një përballje emocionuese mes dy skuadrave prizrenase, KBF Junior 06 Moni Bau dhe KBF Bashkimi....

35 milionë euro për 22 kilometrat e para të rrugës Prizren-Tetovë

Punimet në rrugën Prizren-Tetovë u inspektuan nga ministri i Infrastrukturës i Kosovës Liburn, Aliu dhe ministri i qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Aleksandër Nikoloski....

Lajmet e Fundit