28.9 C
Prizren
E hënë, 16 Qershor, 2025

Zgatari – fshati i historive dhe traditave të shumta

Tradita e “Sofrës së Ymer Prizrenit” është një nga pjesët e historisë interesante të fshatit Zgatar.

Sipas profesor Muharrem Qaflleshit, Zgatari shtrihet në skajin verior të fushëgropës së Opojës, rreth 22 km në verilindje të qendrës komunale të Sharrit.

“Është vendbanim i shpatit i eksponuar lindjes. Në vitet e fundit një pjesë e tij është zgjeruar në rrafshin fushor, në formë të zgjatur. Përbëhet prej dy mëhallëve ende të ndara për nga lokaliteti. Zgatari i Madh, me vëllazëritë Hoxha, Veliu dhe Beneke, të fisit Krasniq dhe Zgatari i Vogël me vëllazëritë Llolaj dhe Brishe (Berishë)”.

Sipas banorëve vendës, thuhet se Zgatari është njëri prej vendbanimeve më të vjetra të Opojës. Ai dikur i kishte pasur 400 shtëpi dhe 7 mëhallë. Mirëpo, fshati është “shkatërruar” për shkak të luftës dhe murtajës. Shtrija e gjatë në një luginë në mes dy kodrave malore tregon edhe vetë toponimi shqip “i zgjatur”, “i zgatur”.

Sipas Qafleshit, Zgatari i parë ka qenë i vendosur te Kroi Bullezës, mbi fshatin Lubiçevë të Prizrenit, në kufi me lokalitetin gjerman, në veriperëndim të Zgatarit. Aty është edhe Vorri i Madh që thuhet se është i gjeneralit austriak Pikoliminit ose i Sarisëlltukit. Varreza të mëdha ka në Kodrën e Kumçarit. Në Kumçar ka themele të shtëpive. Po ashtu lokaliteti i Zinovës ishte afër, në mes të fshatrave Zgatar, Bresanë dhe Brrut. Popullata vendore thotë se Zinova është shtrirë në vendin e sotëm Kumçar. Në Zgatarin e vjetër ka rënë një sëmundje dhe aty ishte mjaft ftohtë, kështu që popullata është larguar nga aty dhe janë vendosur në Zgatarin e sotëm, Pllavë dhe Mlikë. Një kishë e vjetër krishtere ka qenë në vendin Guri i Gjermanit, në veri të Zgatarit, përmbi vendbanimin e vjetër të Zgatarit. Aty janë ende themelet e saj. Në shpatina në lokalitetin e gjermanit, si dhe te Guri i Gjermanit ekzistojnë shpella të shumta. Në atë lokalitet, në gurë është këmba e dhisë, opinga e njeriut. Këto janë të gdhendura sikur me dorë.(3) Në defterin e hollësishëm të Sanxhakut të Prizrenit, nr. 368, viti 1530 ky vendbanim me emrin gjerman, nahija e Opojës kishte 4 shtëpi. (4) Sot në atë pjesë janë rrënojat e lashta të njohura në shënimet e vjetra si: Truallishta Gërman.(5) Në vitin 1348, si vendbanim afër Prizrenit, përmendet Zgatari me emrin “Zllatar”, banorëve të të cilit kodi i Dushanit, për shkak të falsifikimit të parave, ua kishte ndaluar banimin jashtë tregut.

“Shënimet e shekullit XIX flasin për një push ndërmjet Hoçës së Qytetit dhe Zgatarit, i cili është i gjerë 2 m, me thellësi të pacaktuar i quajtur “Gjerman Kujus”, i murosur me tulla e i mbuluar nga vegjetacioni. Pusi nuk kishte shkrim, ishte i braktisur dhe njerëzit nuk i afroheshin fare, gjoja se këtu fshihej një fuqi e së keqes”.

Epidemia e njohur e murtajës

Reshit Demiri tregon se banorët e fshatit Zgatar e ruajnë të freskët rrëfimin që është përcjellë brez pas brezi, se ushtria e gjermanëve e kishte çliruar këtë trevë nga zullumi i madh i turqve osmanli dhe nga atëherë ky vend për nder të çlirimtarëve është quajtur “gjerman”, kurse varri i oficerit quhet “Varri i Madh” dhe këtu banorët kërkonin ndihmë për hallet dhe brengat e tyre.

“Nisur nga këto fakte, toponimi “gjerman” dhe objekti sakral “Varri i madh i gjermanit”, i cili edhe dallohet nga të gjithë varret e tjerë, lirisht mund të lidhet pikërisht me këtë ngjarje të madhe dhe shumë të rëndësishme për fatin e popujve të Ballkanit e në radhë të parë të shqiptarëve.”Gjermani” si emërtim kishte mbetur pas betejës austriakeosmane, ngase ushtria austriake zmbrapsi ushtrinë osmane, e cila deri në atë kohë mendohej se ishte e pathyeshme. Atëbotë ishte zhvilluar beteja pikërisht në vendin që edhe tash ruhet ky emërtuar “gjerman” afër katundit Zgatar të Opojës, që atëbotë i përkiste Rrethit të Lumës, kurse gjenerali i famshëm austriak Pikolomin kishte vdekur nga epidemia e murtajës, por nuk ishte varrosur në Prizren nga frika se mos përhapej epidemia e murtajës edhe tek ushtarët e tjerë”, është shprehur ai.

Kështu varri i gjeneralit për t’u dalluar nga të tjerët ishte shumë më i madh dhe i rregulluar me gurë të latuar mirë dhe të sjellë nga viset e tjera të Kosovës, sepse gurë të tillë në tërë komunën e Dragashit nuk ka, andaj s’do mend se kemi të bëjmë veç me këtë varr të këtij ushtaraku austriak, që opojanët ende atë vend e quajnë Gjermani, ndërsa varrin e quajnë Varri i madh.

Monedha e qirinj te Varri i madh

Banorët e kësaj ane, meqë nuk kanë pasur shërbim adekuat mjekësor siç ka aktualisht, me vite e shekuj kanë besuar se Varri i Madh do t’ua shërojë fëmijët, të afërmit e sëmurë ose edhe kanë qenë të bindur, se ai varr do t’iu ndihmojë në zgjedhjen e problemeve të ndryshme, ashtu si u kishte ndihmuar për t’i dëbuar forcat ushtarake osmane nga këto troje, andaj në këso raste ata i janë lutur e i janë përkulur këtij varri, duke lënë monedha e duke ndezur qirinj.

“Madje edhe tash rituali i tillë vazhdon të zbatohet në këtë varr nga popullata opojane e më gjerë, varë- sisht nga lidhjet familjare e farefisnore, që i kanë banorët e kësaj ane me banorët përreth e më larg, madje edhe nga diaspora shqiptare, kur kthehen gjatë muajve të verës, shkojnë dhe e vizitojnë atë varr dhe lënë para në atë vend opojanët”, tregon Ibrahim Skenderi.

Njëra ndër shpellat e besimit të lashtë në Opojë është shpella e Zgatarit. Profesori Berat Batiu thotë se besimi në këtë shpellë është pagan.

“Ajo që e bën këtë shpellë interesante janë edhe studimet e fundit që i kanë bërë speologët. Përveç besimit islam, që aplikon popullata opojane, ajo gjatë periudhave kohore ka pasur edhe ka respektuar pjesërisht edhe ritet pagane. Duhet theksuar faktin se popullata opojane në masë të madhe e respekton fenë e besimit islam dhe ritet e faljes nëpër xhami, të cilat ekzistojnë nëpër të gjitha këto fshatra”, shprehet Berat Batiu.

Në zonën e Opojës sa herë që shkohej për tregti, e nëse u binte rruga nga shpella e madhe afër Zgatarit, porositeshin të hidhnin ndonjë gurë brenda saj (sidomos kur në familje kishin ndonjë grua shtatzënë), për ta trazuar ndonjë shpend që gjendej brenda shpellës. Dhe kur ndodhte të ishte pëllumb, identifikohej me simbolikën e djalit, ndërsa shpendët e tjerë në gjini tjetër. E kur dilte ndonjë korb (sorrë), nuk kishte lindje. Kjo porosi u jepej edhe fëmijëve, nga nënat dhe gratë e familjes, që zakonisht shkonin në shëtitje, të rrafshnalta e Zgatarit, nëpër festa tradicionale, sidomos në festën e verëzave”, tregon ai.

40 për qind e banorëve të Zgatarit janë kurbetçinj

Sipas Ibrahim Skenderit, fshati Zgatar ende ka ruajtur tradita e dasmave edhe të vdekjeve. Mirëpo, sipas tij, ajo që është brengë për këta banorë është fakti se janë mbi 40 për qind e banorëve që jetojnë jashtë, duke migruar nëpër kohë të ndryshme për një jetë më të mirë, Ekziston edhe fakti tjetër se janë mbi 150 familje nga ky fshat që janë shpërngulur në Prizren për një jetë më të mirë.

“Fshati ka mbi 80 familje, që atje ende frymojnë e jetojnë, por janë mbi 150 familje nga ky fshat që janë shpërngulur”, tregon Skenderi.

Ai tregon edhe për traditën e fshatit ku së paku një herë në vit shtrohet sofra e prodhimeve vendore të këtij fshati.

Mexhid Mehmeti, nga fshati Bozovc i Tetovës, tregon se kjo sofër e bujarisë, që shtrohet me të gjitha prodhimet e këtij fshati, ngjan si edhe në Bozovc.(Kosova Sot)

 

Më Shumë

Në Zgatar të Dragashit shënohet 147-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Për nder të përvjetorit të 147-të të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në fshatin Zgatar të Dragashit u mbajt manifestimi tradicional "Sofra e Ymer Prizrenit". Në...

Artan Abrashi pritet të garojë për kryetar të Prizrenit

Artan Abrashi, deputet dhe kryetar aktual i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, pritet të jetë kandidati i këtij subjekti për kryetar të komunës...

Lajmet e Fundit