25 C
Prizren
E martë, 22 Korrik, 2025

Mosndëshkimi i gjyqtarëve të korruptuar tregon degradimin e drejtësisë

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë thonë se mosndëshkimi i gjyqtarëve të korruptuar dhe për vepra abuzive me ligjin, tregon më së miri gjendjen e degradimit të sistemit të drejtësisë, i cili nuk mund të jetë i pavarur dhe i paanshëm, ashtu sikur edhe parashihet me Kushtetutë, si dhe me ligje të vendit. Së këndejmi sipas tyre qytetarët në Kosovë po vazhdojnë të jetojnë në një shtet ku nuk ka ligj dhe as nuk sundon ligji, ngase shumica e vendimeve gjyqësore dyshohet se merren përmes influencave politike e korruptive, në mënyrë të paligjshme e me metoda korruptimi, derisa në anën tjetër thuaja asnjë gjykatës (përjashto aty këtu ndonjë prej tyre), deri më sot nuk ka shkuar në burg, teksa kemi disa aktakuza, por asnjë vendim të prerë për gjykatësit që shkelin ligjin. Ndaj, ata kanë shtruar edhe çështjen për diskutim se çfarë pasojash të rënda për drejtësinë po sjell mosvlerësimi serioz për shumë vite i performancës së gjyqtarëve dhe prokurorëve nga “mbikëqyrësit” e sistemit të drejtësisë. Pra, një drejtësi që nuk pastron të korruptuarit e sistemit dhe ata që nuk kanë perfomancë të mirë nuk mund të ecë përpara assesi. Në vijim po japim vlerësimet e njohësve të kësaj fushe lidhur me çështjet në fjalë.

Shumë gjyqtarë e prokurorë janë të korruptuar

Analisti Naim Kelmendi në një prononcim për gazetën “Kosova Sot” ka thënë se në sistemin e drejtësisë fatkeqësisht ka shumë gjyqtarë e prokurorë të korruptuar, dhe për më keq kjo drejtësi mbetet e papastruar nga të korruptuarit, por që edhe “mbikëqyrësit” e sistemit të drejtësisë për vite nuk është se kanë vlerësuar gjithaq dhe seriozisht performancën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, prandaj sigurisht se kjo ka pasojat e veta për drejtësinë. “Mosndëshkimi i gjyqtarëve të korruptuar dhe për vepra abuzive me ligjin tregon më së miri gjendjen e degradimit të sistemit, i cili nuk mund të jetë i pavarur dhe i paanshëm, ashtu sikur edhe parashihet me Kushtetutë e me ligje të vendit”, theksoi ai.

“Këtu në vendin tonë fatkeqësisht sikur nuk sundon ligji dhe e drejta dhe derisa vendimet gjyqësore në ndarjen e drejtësisë merren edhe përmes influencave politike e korruptive apo në mënyrë të paligjshme atëherë nuk mund të flitet për një shtet të mirë- filltë ligjor dhe shtet të së drejtës e as me integritet e të pavarur”, u shpreh analisti Naim Kelmendi.

Mungon llogaridhënia

Hasan Preteni, nga ‘Qendra për etikë, transparencë dhe integritet’, thotë se mungesa e llogaridhënies është problem madhor, pasi nëse gjyqtarët dhe prokurorët nuk japin llogari për punën apo mospunën e tyre nuk mund të priten rezultate.

“Kjo e ka zanafillën nga ajo se Kryeprokurori i Shtetit kurrë nuk ka raportuar në Kuvendin e Kosovës e as në komisione adekuate, nuk jep llogari kryeprokurori, nuk raporton kryegjykatësi e si të raportojnë pastaj prokurorët dhe gjyqtarët e thjeshtë. Pra, nuk ka transparencë, nuk ka llogaridhënie, andaj ‘normalisht’ që ka mospunë dhe korrupsion”, theksoi për gazetën “Kosova Sot” Hasan Preteni nga ‘Qendra për etikë, transparencë dhe integritet’.

Profesori universitar, Nexhmedin Spahiu ka nënvizuar se nuk mund të presim një përgjegjësi në një sistem gjyqësor e prokurorial në qoftë se, siç tha, nuk ka gjykatës dhe prokurorë, të cilët kanë shkuar në burg për vendimet e tyre joligjore. “Vërtet duhet për të pasur një hapësirë d.m.th. të mendimit të lirë të gjyqtarit e prokurorit për çështje të caktuara, të cilat mund të korrigjohen me mbase vendime të një shkalle më të lartë në apel, ose në gjykatë supreme, etj., por ne kemi raste kur gjykatësit dyshohet se japin vendime përmes influencave politike e korruptive, pra në mënyrë të paligjshme dhe duke shkelur ligjin, andaj mendoj se këtu nuk mund të flitet për mendim të lirë të gjyqtarit”, spikati për gazetën “Kosova Sot” profesori universitar Nexhmedin Spahiu.

Më Shumë

QMF-ja në Gjonaj pajiset me autoambulancë – ndihmë më e shpejtë për banorët e Hasit

Qendra e Mjekësisë Familjare në Gjonaj ka marrë dje një autoambulancë, falë angazhimit të Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Prizrenit. Kryetari Shaqir Totaj njoftoi...

24 vjeçari nga Malisheva s’u bën ballë lëndimeve nga aksidenti, vdes në QKUK

24-vjeçari Shkodran Morina nga Malisheva ka vdekur sot në QKUK. Ai kishte pësuar një aksident më 15 korrik, duke u goditur nga një veturë në...

Lajmet e Fundit